Bashkëdyzohen disiplinat e artit në PAAF

Bashkëdyzohen disiplinat e artit në PAAF

Kultura maj 23, 2019 - 09:42
Lexo më shumë detaje

 

Duke lidhur disiplina të ndryshme në fushën e artit dhe të arkitekturës, përmes konferencave, ekspozitave, filmave, instilacioneve, koncerteve, tryezave të diskutimit e punëtorive, ka filluar edicioni i dytë i Festivali të Artit dhe Arkitekturës.

Ndonëse i themeluar në vitin 2018, është konsideruar si një nismë e vogël, por tejet ambicioze, PAAF vlerësohet se që në edicionin e parë ka arritur të thyejë kufijtë e Kosovës, duke sjellë në programin e vet projekte e punime të studentëve të artit edhe nga Shqipëria, Maqedonia, Bosnjë e Hercegovina dhe nga Sllovenia.

Këtë vit Festivali po mbahet nga data 22-24 maj 2019 në Prishtinë, ku krahas profesorëve e ekspertëve do të ketë hapësirë ëtë konsiderueshme për artistët e rinj, veçanërisht studentët. Siç është vlerësuar, ky festival është konceptuar për të promovuar punën e studentëve të arteve, festivali i vetëm i studentëve në Kosovë, shkruan gazeta “Zëri”.

Ky edicion, që do të zgjasë dy ditë dhe është duke u mbajtur në hapësirat e kolegjit “AAB”, sipas organizatorëve do të sjellë risi në përmbajtjen e tij, ndërsa do të prezantohet krijimtaria njëvjeçare e studentëve të të gjitha fushave: pikturë, dizajn grafik, dizajn mode, arkitekturë, enterier, produksion filmik e muzikë.

Zija Rexhepi, drejtor i Festivalit, ka thënë që këtë festival synojnë ta bëjnë tradicional dhe qëllimi i tij është që t’i mbledhin të gjithë studentët e Fakultetit të Arteve dhe të Komunikimit Masiv në një festival. “Synimi ishte që të përmbledhim punën e këtyre dy drejtimeve që zhvillohen në ‘AAB’ tash e dy dekada. Ne në vazhdimësi kemi pasur ekspozita, performanca të ndryshme, kemi pasur projeksione të ndryshme të filmave dhe kësaj here kemi vendosur që të gjitha këto t’i përmbledhim bashkë në një festival”, tha ai për të cilin veçantia e këtij festivali qëndron edhe në faktin që në seksionin e filmit kanë mbledhur punime të studentëve nga shkolla nga vende të ndryshme të botës.

Në ditën e parë të tij “PAAF 2019” do të sjellë një program artistik të studentëve të Fakultetit të Muzikologjisë, të cilët do të performojnë vepra të ndryshme muzikore individuale e grupore, në këndim e në instrumente, ndërsa do të ketë edhe një prezantim të korit të studentëve të kolegjit “AAB” me një varg numrash muzikorë.

Po kështu dita e parë e “PAAF 2019” ishte edhe dita hapëse e Ekspozitës Kolektive të Studentëve, ku do të prezantohen dhjetëra punime të studentëve.

Në ditën e dytë të Festivalit vëmendje e veçantë i kushtohet dizajnit të modës. Nën titullin e punës “Tulipan” studentët e Dizajnit të Modës do të sjellin kreacionet e tyre në dizajnin e veshjeve, të cilat janë punuar nën përkujdesjen e mësimdhënësve Flutura Dedinja e Krenare Rugova.

Dita e dytë e Festivalit do të fokusohet gjithashtu edhe në fushën e arkitekturës, në kuadër të së cilës do të mbahet konferenca shkencore e arteve dhe arkitekturës “Love and Hate” dhe me punimet e veta do të paraqiten studiues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Italia e Sllovenia.

Gjatë tre ditëve të Festivalit një pjesë të rëndësisë së veçantë do ta ketë Seksioni i Filmit, që organizohet nga Fakulteti i Komunikimit Masiv, drejtimi Produksion e ku në këtë vit me projektet e tyre filmike paraqiten shkolla të filmit dhe pjesëmarrës nga SHBA-ja, Brazili, Turqia, Italia, Sllovenia, Mali i Zi dhe Kosova, shkruan gazeta “Zëri”.

Një pjesë të rëndësishme të Festivalit sivjet e zënë edhe punëtoritë, ku studentët do të ndjekin trajnime e punëtori si: Punëtoria e Vitrazhit – një mjeshtëri artistike në qelq, pastaj punëtori për arkitekturë: “Studim Urb-Arkitektonik i pjesshëm i kampusit të ‘AAB’-së”, “Fisnikërimi/revitalizimi i hapësirave publike në qytetin e Prishtinës”,

“Studim urban, arkitektonik, vizual-estetik alternativ”, “Dizajnimi i një shtëpie / ville” dhe “Fisnikërimi/revitalizimi i hapësirave publike në qytetin e Prishtinës”.

Në seksionin e filmit studentët do të ndjekin punëtorinë “Si të arrihen kooproduksionet në film?”, i cili do të udhëhiqet nga producentja kroate, Tea Korolia.

Veçanti tjetër e edicionit të dytë të “PAAF 2019” do të jetë edhe kolona artistike, ku studentë të arteve vizuele nga kolegji “AAB”, nga Universiteti i Prishtinës, por edhe nga universitete nga Maqedonia e Veriut e Shqipëria për dy ditë me radhë do të punojnë në ambientet e kolegjit “AAB” për të shkëmbyer përvojat e tyre dhe për të krijuar vepra që do të mbeten gjatë në galeritë e kolegjit “AAB”.

I themeluar nga kolegji “AAB”, “Prishtina Arts & Architecture Festival” (PAAF) është një ngjarje që kërkon të lidhë disiplina të ndryshme në fushën e artit dhe të arkitekturës.

Drejtor i Festivalit është Zija Rexhepi, kurse Bordi i Festivalit është i përbërë nga Shyqri Nimani, Lulzim Tafa, Burbuqe Berisha, Lulzim Nixha, Zijad Mehic, Andrea Grilleto, Maja Kikiritkova, Damjana Celcaj, Bekim Mulaj, Oliver Petrovski dhe Kushtrim Jakupi

Image