“Fritland”, suksesi i një shqiptari në skenën belge

“Fritland”, suksesi i një shqiptari në skenën belge

Kultura May 20, 2019 - 11:54
Lexo më shumë detaje

 

Pas një kohe të gjatë si shitës i patateve të skuqura (simbol gastronomik i Belgjikës), Zenel Laci arrin të bëhet autor dhe aktor i suksesshëm. Historia e tij është e veçantë. Ai rrëfimin e tij për gazetën “Le Soir” e nisi në orën dhjetë të mëngjesit. Në qendër të Brukselit është pak herët për të ngrënë patate të skuqura në biznesin e prindërve, ku Zeneli Laci ka punuar që nga mosha 14 deri në 30-vjeçare. “Është një pjesë e një jete të jashtëzakonshme që Zeneli na e shpalos mbi tavolinën prej druri në dyqanin ‘Fritland’, në këtë mbretëri të patateve të skuqura të Belgjikës, e cila ia ka tjetërsuar një pjesë të jetës, por që gjithashtu ka ushqyer njeriun e posaçërisht autorin dhe aktorin që është bërë sot”, shkruan gazeta belge.

“Burg dhe muzë” e njëkohësisht “Fritland” ia ka dhënë titullin shfaqjes të cilën e ka krijuar për teatrin “Poche” të Brukselit. Një histori që rrënjët i ka në Shqipëri, kur më 1952 gjyshërit dhe babai i tij ikin nga regjimi komunist. “Gjyshi im ka qenë pronar tokash dhe përkrahës i Mbretit Zog. Duke iu kundërvënë regjimit komunist ai rrezikonte të burgosej dhe të shpronësohej. Për këtë arsye kanë ikur”, ka treguar ai për “Le Soir”.

Babai i tij ishte 16 vjeç kur ëndërronte të shkonte në Amerikë. Por realiteti do të jetë shumë më tragjikë për të, duke kaluar kufirin gjatë një nate të ftohtë dimri, familjes do t’i vdesin tre anëtarë që do t’i varrosin në Kosovë, para se të barten në kampet e refugjatëve në Kroaci dhe në Itali. “Prindërit kanë lindur në Shqipëri, dy motrat e mëdha në Kosovë, vëllai i madh në Itali, ndërsa vëllai tjetër dhe unë në Belgjikë”, tregon artisti.

Por edhe pse vendoset në Belgjikë, i ati i Zenelit s’pranon të heqë dorë nga ëndrra e tij. “Ideja ishte të grumbullojë të holla të mjaftueshme që do t’i duheshin për të shkuar në Amerikë. Si pasojë, një pjesë të mirë të kohës ne fëmijët e kalonim mbyllur në shtëpi. Babai s’na lejonte të shoqëroheshim me belgë nga frika se nëse integroheshim ëndrra e tij për Amerikën do të vdiste”.

Pasi ka punuar në qytezën Clabecq, ky baba kokëfortë, papritur zhvendoset me familje në Bruksel. “Një mik ia kishte këshilluar këtë dyqan që jepej me qira. Babai kurrë në jetën e tij s’kishte përgatitur patate të skuqura, (ushqimi më i preferuar belg). Është punë e thjeshtë i kishte thënë: Duhen patate, punëtorë për t’i qëruar dhe të fërgohen dy herë në yndyrë. Babai e kupton se ky është fati i tij dhe e merr lokalin në vitin 1978, duke na vënë në punë neve pesë fëmijëve”, rrëfen kështu Zeneli.

Letërsia më ka shpëtuar

Zeneli rrëfen se në adoleshencën e hershme ishte shumë i dhënë pas letërsisë, ndonëse babai e shtynte të shkollohej dhe të punonte. “Atëkohë isha 14 vjeç dhe vijoja një shkollë teknike. Kjo shkollë nuk me përshtatej dhe në vend se të shkoja tetë orë në shkollë, unë fshihesha nën çati dhe lexoja. Jules Verne, Edgar Allan Poe, Baudelaire, Rimbaud, Verlaine etj”, kujton ai. Gjatë atyre 16 vjetëve punë në “Fritland”, Zeneli vazhdon të lexojë prapa banakut dhe të shkruajë poezi në qeset prej letre të patateve të skuqura. Dhe sipas tij përderisa vëllezërit e tij me të hollat që fitonin visheshin e dilnin, ai blen libra. Lokali “Fritland” bëhet teatri i tij, një lloj observatori i gjendjes njerëzore.

Më 1997 në moshën 30-vjeçare Zeneli kërkon të bëjë jetë tjetër. Ai braktis familjen, lë punën në lokal dhe fillon studimet për të arritur ëndrrën e tij. Në vitin 2000 mbaron shkollën e lartë për skenografi dhe më 2004 vazhdon studimet universitare për regji dhe dramaturgji. Tani e tutje dyert e teatrit atij iu hapën.

Deri më tash Zeneli ka shkruar dhe ka vënë në skenë pjesë dramatike ndër të cilat: “Vivre”, “Human Beauty”, “Journal du femme du Kosove” (Ditari i një gruaje nga Kosova), frymëzuar nga kronika e mbajtur nga Sevdije Ahmeti, aktiviste shqiptare për të drejtat e njeriut, gjatë luftës në Kosovë.

Sot Zeneli është autor, regjisor dhe aktor. Ai luan për herë të parë në skenë rolin e tij. Prej 23 prillit çdo mbrëmje në orën 20:30 para një salle të stërmbushur rrëfen historinë e tij. Si shpërblim duartrokitjet e gjata dhe të përzemërta të publikut ndezin sallën. Shfaqja vazhdon deri më 23 maj. Suksesi publik e shpie spektaklin në mediet belge: gazetat, radio, televizioni.

Ky vlerësim ka shtyrë Olivier Blin, drejtor i teatrit të “Poche” të Brukselit, që shfaqja të luhet edhe dy javë në qershor, prej datës 8 e 20 dhe të riprogramohet për vitin e ardhshëm. Regjinë e kësaj shfaqjeje ku Zeneli është aktor e ka bëre regjisori me origjinë franceze Denis Laujol, njëherësh edhe aktor në këtë shfaqje. Shfaqja rrëfen historinë e një fëmije, përkatësisht të riut të një refugjati politik shqiptar, që ka përballuar realitetin duke u emancipuar nga kultura patriarkale e prindërve te vet dhe duke pasur guxim të besojë e të realizojë ëndrrën e tij.

Katherine Makereel

Gazeta “Le Soir”, 23 prill 2019

Përktheu: E. Gashi