Si lindi ideja për ‘Muzeun e Iluzioneve’?

Si lindi ideja për ‘Muzeun e Iluzioneve’?

Kultura April 19, 2019 - 10:47
Lexoni detajet

Muzeu i iluzioneve, për një kohë mjaft të shkurtër është bërë një ndër vendet me të vizituara në Prishtinë.

Ndonëse ky muze është krijuar në muajin shkurt të këtij viti, interesimi për ta vizituar këtë muze është mjaft i madh.

Drejtori i këtij muzeu Lulzim Zeka në emisionin “Trend me Renaten”, në “Radio Prishtina”, ka shpalosur disa nga karakteristikat që e dallojnë këtë muze nga të tjerët.

Siç mësohet nga Zeka, ky muze ka diku rreth 16 instilacione ose dhoma në të cilat mund të fotografoheni dhe ka rreth njëzet fotografi ose vështrime optike në të cilat vizitorët mund të shohin një kënd tjetër prej asaj që shohim në realitet. Zeka vlerëson se secili iluzion bart me vete mesazhin e vet, që të shikohet, të fotografohet, të incizohet, nga një perspektivë e veçantë.

E ideja për këtë muze sipas Zekës ka ardhur nga një muze i ngjashëm që gjendet në Shkup.

“Muzeu është hapur në fillim të shkurtit pra pak më shumë se dy muaj. Po më vjen mirë që ka bërë bum. Ideja ka qenë e tillë që të hapim një vend që është pak më ndryshe. Një atraksion për Prishtinën, një atraksion për Kosovën. Besoj që po shkon mirë për momentin. Ideja ka lindur me disa bashkëpunëtorë nga Shkupi. Jo të gjitha ato dhomat janë të ngjashme por ideja është e njëjtë. Ne e menduam që ta sjellim edhe në Prishtinë”, ka thënë ai në “Radio Prishtina”.

Muzeu që të dërgon larg nga realiteti po vizitohet shumë nga qytetarët e që sipas drejtorit të muzeut pritshmërinë nuk kanë qenë kaq të mëdha.

“Kam pritur që do të ketë interesim por jo aq shpejtë. Jam shumë i kënaqur. Ka zgjuar interesim dhe është diçka më ndryshe. Ne i udhëzojmë që të nxjerrin fotografi më interesante dhe më të rebeluar dhe më ndryshe. Kemi parë foto prej më të ndryshme dhe tipe të njerëzve se çfarë fotografi mund të nxjerrin”, tha tutje ai.

Më poshtë mund ta ndiqni intervistën e plotë. /ZËRI