Kosova e viteve 1912-1915, në librin e Shpend Avdiut

Kosova e viteve 1912-1915, në librin e Shpend Avdiut

Kultura prill 16, 2019 - 10:18
Lexo më shumë detaje

 

“Kosova gjatë viteve 1912-1915” është libri i ri i botuar nga dr. Shpend Avdiu, hulumtues i Degës së Historisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Libri trajton temat politike e ushtarake në Kosovë në vitet 1908-1912, Kryengritja e Përgjithshme Shqiptare 1912, Kosova gjatë Luftës së Parë Ballkanike, Konferenca e Ambasadorëve në Londër 1912-1913, si dhe zhvillimet tjera politike të shtetit serb dhe të vendeve të tjera ballkanike që janë të ndërlidhura me zhvillimet politike në Kosovë.

Po ashtu këtij libri i bashkëngjiten edhe zhvillimet e kryengritjeve antiserbe në Kosovë 1913-1915, administrimi, kolonizimi, shpërnguljet dhe pasojat e tjera siç janë krimet shtetërore e konvertimi i dhunshëm i shqiptarëve myslimanë dhe katolikë në ritin ortodoks.

Siç edhe shkruhet në rezymenë e këtij punimi, autori thotë se temën të cilën e kanë përzgjedhur ta trajtojnë është trajtuar pak në përgjithësi, ose thënë më mirë është trajtuar në mënyrë të tërthortë. “Gjithashtu mendojmë se deri më tani në aspektin studimor edhe ato pak vështrime që janë bërë për këtë periudhë në mjaft raste dalin të ngarkuara nga pikëpamja ideologjike, qoftë komuniste dhe nacionaliste ose të ndonjë natyre tjetër. Si pikë e dytë që më ka shtyrë të merrem më ketë problematikë kanë qenë edhe zhvillimet e mëdha politiko-ushtarake në hapësirat e Kosovës gjatë viteve 1912-1915. Në këtë punim kemi bërë përpjekje t’i trajtojmë shkaqet dhe pasojat e këtyre zhvillimeve në këto territore”, shkruhet në rezymenë që publikoi autori.

Mësohet se dokumentet e materialet që janë përdorur në këtë studim janë marrë në arkivat dhe në bibliotekat kombëtare dhe ndërkombëtare, si në Kosovë, në Shqipëri, në Turqi dhe në bibliotekat digjitale të Austrisë, të Francës, të Serbisë etj.