Frika nga vdekja ndikoi në zbutjen e njeriut të lashtë dhe në lindjen e ndjenjës së moralit

Frika nga vdekja ndikoi në zbutjen e njeriut të lashtë dhe në lindjen e ndjenjës së moralit

Kultura prill 15, 2019 - 09:41
Lexoni detajet e fundit

Antropologu britanik, Richard Wrangham, beson se njerëzimi ynë filloi me vrasjen e një tirani. Në një intervistë për “Der Spiegel”, ai shpjegon se përse njerëzit (homo sapiens) janë kaq vrasës, ndërsa janë në të njëjtën kohë në mesin e specieve më paqësore.

Profesor Wrangham, jeni të interesuar mbi çështjen e agresivitetit. Pse shkuat në xhungël, në Ugandë, për të studiuar këtë fenomen?

Xhungla është plot me agresivitet. Një nga gjërat e mia të preferuara është të shkoj për një shëtitje në pyll, të mbyll sytë dhe dëgjoj cicërimat e zogjve, zhurmën e insekteve, ulërimën e majmunëve, ndonjëherë edhe hungërimën e një elefanti. Pjesa më e madhe e tyre prodhohet nga meshkujt, që bërtasin për shkak të pozitës së tyre dominuese. Me fjalë të tjera, kjo është gjuha e agresionit.

Në studimet tuaja mbi shimpanzetë, a jeni përqendruar gjithnjë tek agresioni?

Jo. Fillimisht kam studiuar se si ushqehen kafshët, që është një temë tërësisht e ndryshme. Por, kur vëzhgoni një shimpanze që nga agimi deri në muzg, agresiviteti është diçka që bie shumë në sy. Krahasuar me ne njerëzit, shkalla e agresivitetit të tyre është jashtëzakonisht më e lartë.

Në këtë aspekt, të paktën ne njerëzit duket se kemi bërë hapa përpara shimpanzeve?!

Po. Nëse do të fusni për tetë orë në një avion 300 shimpanze, të cilat nuk e njohin njëri-tjetrin, shumë prej tyre ndoshta nuk do të dilnin gjallë prej andej. Nga ana tjetër, njerëzit mezi prekin njëri-tjetrin në një fluturim të gjatë. Niveli i dhunës është monitoruar tek një grup gjuetarësh dhe mbledhësish në Australi. Këta aborigjenë vuajnë nga trazirat e forta shoqërore; abuzimi me alkoolin është i lartë. Por, edhe në këto kushte, frekuenca e dhunës në mesin e këtyre njerëzve është 500 deri 1.000 herë më e ulët se në mesin e shimpanzeve.

Edhe pse njerëzit janë të aftë të torturojnë njëri-tjetrin, dhe historia jonë është e mbushur me luftë dhe gjenocid… Duke pasur parasysh këtë, si mund të flisni për qetësinë e natyrës njerëzore?

Keni të drejtë, kjo duket paradoksale. Por, është e rëndësishme të kuptohet se ekzistojnë dy lloje të ndryshme agresiviteti. Dhuna në luftë është më së shumti e planifikuar, e qëllimshme dhe gjakftohtë. Nga ana tjetër, agresioni i përditshëm i shimpanzeve është spontan, i lindur direkt në moment. Këtu kemi një nga misteret e mëdha të natyrës njerëzore: Pse e trajtojmë njëri-tjetrin kaq paqësisht në jetën e përditshme, kur jemi të aftë për një shkallë të madhe të mizorive të qëllimshme?

A është kjo formë e paramenduar e planifikuar e agresionit, një veçori e njerëzve?

Aspak. Këtë e gjeni edhe midis shimpanzeve. Konrad Lorenz, besonte se kafshët nuk vrasin njëra-tjetrën. Por, u provua se e kishte gabim. Isha pjesë e ekipit të Jane Goodall-it, që vuri re e para sesi shimpanzetë sulmonin anëtarët e grupeve fqinje, qëllimisht për t’i vrarë.

Me fjalë të tjera, ne e kemi trashëguar pjesën brutale të natyrës sonë nga paraardhësit tanë, ndërsa pjesa paqësore na dallon prej tyre?

Po, mund ta themi edhe kështu.

Ju shkruani se njerëzit ia detyrojnë qetësinë që kanë vetëzbutjes së tyre. Ç’doni të thoni me këtë?

Ne, njerëzit, shfaqim një numër tiparesh biologjike që janë më tipike për kafshët shtëpiake, sesa kafshët e egra, duke përfshirë një shkallë shumë të ulët agresioni kur jemi ballë për ballë njëri-tjetrit. Arsyeja pse ia atribuoj qetësinë tonë, është se ne ndajmë me kafshët tona shtëpiake dhe kafshët e fermave disa prej këtyre karakteristikave të tjera, të cilat tani i quajmë si “sindromi i zbutjes”. Charles Darwin ishte i hipnotizuar nga ky fenomen. Ai studioi kafshët shtëpiake dhe vuri re se ato ndajnë një numër veçorish, që nuk gjenden tek kafshët e egra.

Ju keni thënë më pare se truri ynë filloi të pakësohet në masë, rreth 30,000 vjet më parë. A është kjo koha kur nisën të zbuten njerëzit?

Jo. Ne mund ta ndjekim procesin e zbutjes mjaft mirë në regjistrin fosil. Sipas kësaj, zhvillimi filloi rreth 300,000 vjet më parë. Madhësia e trurit nisi të ulet vetëm në fund.

Natyrisht, ne zbutëm qentë, kuajt dhe macet, por ne kush na zbuti?

Termi “zbutje” është disi çorientues. Ai nënkupton një marrëdhënie me njerëzit. Por, eksperimentet me dhelprat Belyayev tregojnë se është e rëndësishme vetëm përzgjedhja e sjelljeve joagresive. Nëse kjo përzgjedhje ndodh në robëri apo në botën e egër, kjo nuk ka rëndësi. Derisa disa lloje janë zbutur nga njerëzit, të tjerat janë zbutur vetë në kuptimin e reduktimit të agresivitetit të tyre. Ne jemi një nga speciet që zbutëm vetveten.

Çfarë lloj kafshësh të zbutura, jetojnë ende në botën e egër?

Shembulli më i mirë mund të gjendet tek të afërmit tanë më të afërt: majmunët bonobos. Ata duken shumë të ngjashëm me shimpanzetë, por kafkat e tyre tregojnë tipare të zbutjes: një fytyrë më e shkurtër, dhëmbë më të vegjël, një tru më i vogël dhe ndryshime të vogla midis gjinive.

Dhe sjellja e tyre është më paqësore?

Po. Kur një mashkull bonobos sulmon një femër, ajo do të kërkojë ndihmë dhe brenda pak minutave, meshkujt do të përballen me një aleancë me femra që u kundërvihen atyre.

Femrat bonobos zbutën meshkujt?

Ndoshta. Bonobos jetojnë në një habitat që i lejon femrat të udhëtojnë së bashku gjatë gjithë kohës, ndryshe nga shimpanzetë. Kjo ka favorizuar aleancat shoqërore midis femrave.

Po në lidhje me njerëzit? A civilizuan gratë burrat?

Kjo duket e pamundur. Ka shumë kujtime mitologjike të një epoke, në të cilën pushteti ishte në duart e grave, por sot nuk ekziston më matriarkat kudo në botë dhe nuk kemi dëshmi se ka ekzistuar ndonjëherë.

Nëse nuk ishin gratë, kush i zbuti njerëzit?

Këtu hyjmë në terrenin e spekulimeve, pasi fosilet nuk na tregojnë se çfarë ndodhi saktësisht. Ajo që duhet të bëjmë është të shohim se si gjuetarët dhe grumbulluesit e sotëm i trajtojnë individët që sillen në mënyrë agresive. Edhe në këta komunitete, përgjithësisht paqedashës, disa individë si shimpanzetë alfa, përpiqen të dominojnë të tjerët me dhunë.

Si reagojnë anëtarët e një komuniteti të tillë, pa burgje, pa ushtri, pa polici?

Ekziston vetëm një mënyrë për ta mbrojtur veten kundër kreut të caktuar: ai ekzekutohet! Vrasja bëhet me marrëveshje midis njerëzve të tjerë në shoqëri.

Ju argumentoni se kjo është mënyra se si është çrrënjosur sistematikisht agresivitetin nga moria e gjeneve të njerëzimit?

Por, agresiviteti u reduktua, edhe nëse nuk u zhduk. Virtyti duket se ka evoluar nga diçka e dhunshme si vrasja. Por, mos u keqkuptoni. Unë nuk po mbroj ekzekutimet me vdekje në botën e sotme. Drejtësia është e gabueshme, ndaj dënimi me vdekje çon në mënyrë të pashmangshme në vrasjen e njerëzve të pafajshëm. Për më tepër, s’ka dëshmi se ai i pengon vërtet njerëzit që të kryejnë krime.

Është një hipotezë mjaft e guximshme, të argumentosh se dënimi me vdekje na ka bërë ata që jemi sot. Si arritët në këtë përfundim?

Kur lexova librin e Christopher Boehmit, “Hierarkia në pyll”. Në këtë libër ai përshkruan se si agresioni në komunitetet e gjahtarëve dhe mbledhësve, kontrollohet nga ekzekutimet. Mendova: ndoshta ky mekanizëm ka formësuar evolucionin tonë?

Ndryshe nga të gjitha kafshët, njeriu është i aftë të veprojë moralisht. Në librin tuaj, ju pretendoni se kjo është një tjetër pasojë e kryengritjes së mashkullit beta kundër atij alfa?

Po. Në një farë mënyre komuniteti i njerëzve beta u bashkua kundër më të fuqishmit. Pastaj, ata e kuptuan se tani e tutje kishin fuqinë për të vrarë të gjithë në grup. Ndaj vendosën rregulla për të jetuar bashkë dhe kushdo që i shkelte ato duhej të kishte frikë nga vdekja. Në këtë mënyrë, ata që iu bindën rregullave ishin të favorizuar nga evolucioni.

Pra nënshtrimi na bëri qenie morale?

Ju përdorët një frazë elegante. Por, mund të jetë zhgënjyese. Kam frikë se është paksa ndryshe: morali lindi nga një përpjekje e njeriut që të mos vihet në shënjestër nga drejtësia e komunitetit.

Dhe pak e nga pak, frika u brendësua në gjenet tona…?

Po. Dhe të dhënat e fosileve tregojnë se procesi i zbutjes madje u përshpejtua.

A ka përfunduar tani? Apo njeriu është duke e zbutur ende veten?

S’ka asnjë të dhënë, që procesi të ketë ndaluar. /Intervistoi: Johann Grolle