Hamiti prezanton dy libra para lexuesve

Hamiti prezanton dy libra para lexuesve

Kultura April 12, 2019 - 11:07
Lexo më shumë detaje
Image

Ditën e enjte në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës janë promovuar librat “Testamenti” dhe “Kukuta e Sokratit” të akademik Sabri Hamitit. Në mesin e shumë gjeneratave dhe dashamirëve të letërsisë veprën e Hamitit e vlerësuan lart edhe profesorë, linguistë e akademikë.

Ali Aliu, akademik pranë ASHAK-ut, tha se në këto vëllime vjen mesazhi i maestros, ku tregon për mallin dhe dëshpërimin. “Ne këtë libër të poezive që nga numri i poezive, të cilat kanë nga 7 cikle dhe parandjenja, për disa muaj poeti shkel në ndjenjat, të gjitha këto janë një lëvizje, një lloj funksionon mesazhi, gjithnjë në frymën e një maestroje ose mjeshtri të mallit, por edhe të dëshpërimit. Në këtë vëllim ka vetëm 4 poezi, të cilat janë frymëzime më të lehta dhe prekëse midis shqetësimeve trishtuese, nganjëherë një prekje e lehtë, një paqe ëndërrimtare”, vlerëson Aliu.

Akademiku Rexhep Ismajli Hamitin e vlerësoi duke thënë se ai ka manifestuar e zotëruar prirje për poezi dhe talent që nuk i është shterur kurrë. “Kemi para nesh dy vepra të një autori në statuse krejt të ndryshme, por kanë një të përbashkët të rëndësishme, fjala është për veprat e Sabri Hamitit, e para që është një përmbledhje prej 372 faqeve në statusin e studimeve për letërsi dhe e dyta, ‘Kukuta e Sokratit’, vepër kjo me poezi. Si një lexues i interesuar, në një përgjigje në formë përshtypje para se të lexoja librin ‘Testamenti’ afërsisht kisha thënë këto fjalë: ‘Sabri Hamiti ka ardhur me frymëzimin dhe talentin e interesave të ndryshme nga të tjerët. Ka manifestuar prirje për poezi dhe talent që nuk është shterur kurrë. Studimet për letërsi i ka marrë ndryshe nga rrethi’”, tha për të pranishmit Ismajli.

Ai më tutje theksoi se Hamiti gjithnjë ka punuar më shumë drejt konceptimeve më të gjera të studimeve dhe më eseistike në kuptimin që i lë të hapura mundësitë për interpretime. E kjo bindje sipas tij vjen e ia rikujton leximi i veprës së fundit, në një vështrim rekapitulues, por në një këmishë cilësuese.

Muhamet Hamiti, profesor universitar, tha se autori rrëfen jetën e vet në letërsinë që ai kultivon. “Sabri Hamiti është i moçëm, që i bie i hershëm në të dyja fushat e letërsisë. E ka përkthyer jetën e vet në letërsinë që ai krijon, kjo jetë ë cila nuk është jetë e vogël, por jetë e madhe e jetuar në poezinë e tij, duke pasur edhe autoportretin e tij kritik. Edhe pse në librin e studimeve nuk shkruan për veten, Sabriu në fund bën autoreferencë, duke thënë; ‘nga marazi i leximeve me shkrim të nyjave të lidhura përmes autorit nëpërmjet nyjave të zgjidhura të lexuesit”’, tha Halimi.

Ai radhiti vlerat e autorit Sabri Hamiti duke kujtuar se së pari ai është autor i veprave të vlefshme, të kryeveprave, të stileve dhe të informacioneve. Pastaj ai tha se Sabri Hamiti është autor i frymës së kohës së shqiptarëve dhe transformimit të tyre, ku gjërat bëhen të besueshme dhe ato nuk lidhen vetëm me jetën e individit, por më thellë me jetën e njeriut dhe se kritika e vërtetë e njeh veten jo vetëm si një lexim, por edhe si një modus kujtese.

Nysret Krasniqi, profesor i letërsisë, tha se formimi dijetar i Hamitit është tërësisht estetik, ndërsa empiria e Hamitit është lexim i mbrehtë sistematik.

Ai ndër të tjera tha se Sabri Hamiti që në nisje të studimeve letrare injoroi kohën ideologjike në të mirë të kohës së tanishme estetike. “Në kohën ideologjike, e cila në hapësirën kulturore shqiptare zgjati shumë dhe instaloi qendrën e mendimit, Hamiti thoshte se teksti letrar jeton. Teksti i vjetër bëhet i ri kur dramatizohet në lojën e polivalencës filozofike. Se autorët e mënjanuar nga koha ideologjike janë pikërisht ata që patën vetëdijen letrare, të cilët Hamiti i riktheu në historinë letrare-shqipe, se këta autorë janë klasikë estetike”, thekson Krasniqi. E sipas tij Hamiti e di që autentikja edhe pse studim në esencë është universale.

Image

Para të pranishmëve Sabri Hamiti u shpreh i emocionuar duke iu drejtuar të gjithëve me falënderim. E duke kujtuar se letërsia është kultura në përgjithësi edhe kultura shqiptare ka bazë në letërsi. “I ndjej të gjithë këta që janë këtu të pranishëm, shkrues të letërsisë, interpretues të letërsisë dhe më të dashurit, dashurues të letërsisë. Letërsia, arti, kultura në përgjithësi është pjesa më esenciale, thellë e njeriut, që nuk dëgjohet si bubullimë, por si pëshpërimë, këtë e kanë të gjithë dashamirësit e letërsisë. Nuk kam se si të mos i falënderoj të gjithë ata që janë të pranishëm sot nga të gjitha kategoritë që janë të cilësuara në letërsi, nga më i madhi deri te më i vogli edhe për një arsye tjetër, sepse mendoj që kultura shqipe nuk mundet pa letërsi”, ka thënë Hamiti.

Ai më tutje tha se që nga fillimi e deri tash krejt kultura shqiptare ka bazë në letërsi dhe letërsia është instrument për vetënjohje dhe ushtrim i vërtetë i mbrojtjes së shpirtit. Hamiti ka kujtuar edhe kohën kur janë vlerësuar vlerat e mirëfillta të letërsisë. “Jam këtu dhe më merr malli, po kthehem në vitet e ’70-ta, kur pamja e sotme, mënyra e dëgjimit, ligjërimit për letërsinë është pothuajse e ngjashme me atëherë, kur çdo botim e konsideronim solemnitet kulturor. Mendoj që duhet të kthehet letërsia në solemnitet kulturor”, vlerëson autori.

Duke qeshur ai tha se: “Fëmijë më ka bërë nëna, djalë më ka bërë babai, burrë më ka bërë gruaja, babë më kanë bërë fëmijët e poet, poet jam bërë vetë”.

Ai kujton kohën kur dikush prej kureshtjes e ka pyetur se cilin libër e do më së shumti dhe se asnjëherë nuk ka dhënë përgjigje. “Të gjithë librat janë bij të shpirtit dhe bijtë e shpirtit nuk mundesh t’i ndash. Por kur bëhesh personal thjeshtëzon, sistematizon e unë po e them përgjigjen tash, gjithmonë libri i parë dhe i fundit”, përfundoi fjalën e tij autori i shumë veprave, Hamiti.