Eksodi i Bllacës përjetësohet në muze
Foto: Laura Hasani

Eksodi i Bllacës përjetësohet në muze

Kultura April 11, 2019 - 07:55
Lexo tjera detaje
Image

Njësoj si 20 vjet më parë, një tren i nisur nga Mitrovica e që kaloi në qendra të ndryshme të Kosovës stacion të fundit pati Bllacën, zonën kufitare mes Kosovës e Maqedonisë. Ky udhëtim simbolik u bë për të risjellë në kujtesë eksodin e shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999. Me moton “Përjetësisht në memorien shqiptare” kjo ngjarje u kujtua pas dy dekadash, shkruan Gazeta "Zëri".

Qytetarë të të gjitha moshave e përfaqësues të shtetit u mblodhën të mërkurën në Bllacë. Shumë prej tyre erdhën me tren, si 20 vjet më parë e kësisoj kujtuan prillin e vitit 1999 dhe ditën e kaluar në vendin ku u improvizua një kamp refugjatësh. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, vendosi gurthemelin e qendrës memoriale “Gjenocidi serb – Bllacë 1999”. Aty pritet që së shpejti të ndërtohet ky muze, ku do të ruhen dëshmitë e asaj kohe, krahas njërit nga trenat që në vitin 1999 ishte përdorur për të bartur refugjatë, i cili do të qëndrojë aty si eksponat.

Bllaca flet me zërin e ndërgjegjes kundër harresës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, para të pranishmëve në manifestimin e përgatitur për 20-vjetorin e eksodit të Bllacës tha se gurthemeli i kësaj shtëpie të jashtëzakonshme, që i zë kujtimet e shqiptarëve, siç u shpreh ai, po vihet me shpresë se ndjekjen nga toka e vet kurrë më nuk do ta përjetojë askush. “Një shtëpi që do të jetë shtëpi e kujtesës kolektive, ku do të vijnë breza e breza për të mësuar leksionin e parë: Sa e shtrenjtë është liria dhe sa dhembje sjell rruga deri në liri. Me respekt dhe me përkujtim ndaj vuajtjeve, por edhe rezistencës së refugjatëve kosovarë, po e ngremë këtë qendër përkujtimore të gjenocidit serb në Kosovë. Kjo do të jetë shtëpi që flet me zërin e ndërgjegjes kundër harresës”, tha Haradinaj.

Më tutje i pari i Qeverisë shtoi se ky duhet të jetë një muze botëror që flet kundër mizorisë së njeriut ndaj njeriut. “Jemi sot këtu për respekt të rezistencës së atyre 44 mijë shqiptarëve që kanë kaluar në kampin e Bllacës. Nga mbi një milion gra e burra, fëmijë e pleq që prapa kishin lënë të kaluarën, emrat, kujtimet, varrezat dhe njerëzit e tyre në zjarrin e luftës. Faleminderit shqiptarë bashkëkombës kudo që jeni për bukën dhe ujin, për strehën dhe shpresën që ua mbajtët gjallë të përndjekurve, me qindra të vrarë”, theksoi Haradinaj. Kryeministri përfundoi fjalën e tij duke thënë se liria e Kosovës në themelet e veta e ka emrin e secilit refugjat të Bllacës dhe kampeve tjera dhe gjithë atyre që dhunshëm u përzunë nga shtëpitë e tyre. “Ata u bënë zëri dhe imazhi i Kosovës, që e kërkonte të drejtën e vet”, theksoi kryeministri.

Në këtë tubim përkujtimor kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se e kaluara nuk duhet të harrohet, pasi nëse ajo harrohet do të jetë e vështirë të ndërtohet e ardhmja. “Ky gjenocid mori me mijëra e mijëra njerëz që sot plagët akoma i kanë të hapura. Me mijëra që nuk dihet se ku i kanë varret dhe nuk dihet se ç’fat kanë pasur. Ky tren dhe kjo ngjarje përkujtimore na kujton të gjithë neve të kaluarën, të cilën duhet të mos e harrojmë, sepse nëse harrohet e kaluara vështirë që mund të ndërtojmë të ardhme. Ky moment vërtet është një moment i rëndësishëm dhe duhet të përgëzohet iniciativa e kryeministrit dhe ekzekutorëve, sepse kështu nuk harrohet e kaluara dhe nuk lejohet që të përsëritet ajo”, tha Aliu, shkruan Gazeta "Zëri".

Kryetari i Hanit të Elezit, Refki Suma, tha se Bllaca dhe eksodi ’99 duhet t’i mësojë gjeneratat e Ballkanit që këto ngjarje nuk bën të ndodhin sepse janë kundër vlerave njerëzore. “Vendosja e gurthemelit të këtij memoriali përpos që ka vlerën historike, përmban një vlerë të trashëgimisë së natyrës gjenocidiale. Bllaca dhe eksodi ’99 duhet t’i mësojë gjeneratat e Ballkanit që këto ngjarje nuk bën të ndodhin, sepse janë kundër vlerave njerëzore. Me sytë tanë kemi parë tmerrin që forcat serbe e kanë bërë në këtë anë, si dëshmi kemi trupat e gjetur në lumin Ibër-Lepenc”, tha Suma.

Brenda trenit të shpëtimit nga vdekja

Dyert e trenit, i cili dikur i kishte larguar nga Kosova e rrjedhimisht edhe nga vdekja, u hapën edhe një herë për qytetarët. Pa dyshim që dy dekada kanë lënë gjurmë edhe në këta trena, por janë të njëjtat korridore, vagonë, dritare e karrige të stofit dikur të stërmbushura me refugjatë e sot me vizitorë. Ky tren i përzgjedhur do të shërbejë si simbol i asaj lëvizjeje masive të një numri të madh qytetarësh. E njëra nga dëshmitë më të mëdha të asaj që ngjau në Bllacë, por edhe në kampet e tjera të refugjatëve, janë edhe fotografitë.

Në këtë 20-vjetor aty u ekspozuan qindra fotografi të prillit 1999, të shkrepura nga fotografi tashmë i ndjerë Asllan Krasniqi. Në objektivin e tij Krasniqi kishte fokusuar shumë refugjatë kosovarë në kampe të ndryshme. Cikli i fotografive të zgjedhura për t’u ekspozuar fokusohet në shpërnguljen e popullatës, kampet dhe të plagosurit, kthimi në atdhe, gjendja e shkatërrimeve dhe rivarrimet.

Në trenin që i rikthente në Bllacë shumë qytetarë të Kosovës, dikur refugjatë, dëgjoheshin shumë histori, kujtime të shpalosura nga ajo periudhë. Secili vizitor në Bllacën e vitit 2019 po sillte kujtimet e Bllacës së vitit 1999, të cilat ia rrëfente fëmijës, nipit a mbesës, që i kishin marrë me vete. Pleq, gra të cilat dikur kishin qenë shtatzëna e të rinj që kishin qenë foshnje e kujtonin Bllacën që e kishin lënë. Të gjithë i bashkonte një kujtim, frika e humbjes së anëtarëve të familjes në tollovinë e përndjekjes dhe hipjes nëpër trena, si dhe arritja në Bllacë.

Për gazetën “Zëri” Remzije Shahini, nënë e dy fëmijëve, shpalos kujtimet e saj në këtë kamp. Ajo thotë se kthimi në këtë vend i ka ngjallur emocione më të mëdha se që mund ta kishte imagjinuar. “Ai që nuk e ka përjetuar Bllacën e ka vështirë ta kuptojë se çka kemi përjetuar në këtu. Unë e burri bashkë me dy fëmijët që i kishim të vegjël, Zanën e Artonin, tri ditë e tri net ishim këtu. Si të gjithë të tjerët, të përndjekur, të pashpresë e të frikësuar. Sikurse po bie sot, shumë shi ra edhe atë pranverë, edhe ato ditë. Dhimbja e familjes sonë ishte e madhe, si e të gjitha familjeve të tjera, sepse nuk e dinim çka do të bëhet me ne”, kujton Shahini. Ajo thotë se ky tren ia ka kthyer ankthin që ndiente atë ditë prilli nga mbipopullimi i tij, por ndihet e lumtur që do të jetë si muze tash e tutje.

“Atëherë as në ëndërr s’do të kishim ditë me pa se do të shpëtojmë, do të çlirohemi e do të vijmë këtu në këtë vend si në një muze. Vajza kishte lexuar në lajme se këtë tren do ta bëjnë muze. E saj ishte edhe ideja që të vijmë ta shohim, sepse ajo mban mend pak nga ajo periudhë, më shumë prej asaj që i kemi treguar ne. Unë u pajtova menjëherë. Nuk mjaftojnë fjalët që t’u tregojmë gjeneratave të reja se çka kemi hequr, se tek e fundit fjalëve mund edhe të mos u besojnë ata që po vinë. Sa më shumë dëshmi të asaj kohe të ruhen, aq më mirë”, thotë Shahini.

Për tridhjetëvjeçaren Rreze Kastrati Bllaca është një vend i lidhur me fëmijërinë e saj. Ajo thotë se i mban mend fare mirë ditët e kaluara në atë zonë dhe konfuzitetin që e kishte kapluar kur lanë shtëpinë. “E mbaj mend fare mirë dëbimin prej shtëpisë, rrugëtimin me tren e arritjen në Bllacë. Kur je fëmijë shumë gjëra nuk i merr vesh mirë. As unë s’e kisha shumë të qartë pse po e linim shtëpinë, pse po na ndjekin, pse po flemë në qiell të hapur”, thotë Kastrati, duke theksuar se për të pjesa më e tmerrshme ka qenë udhëtimi me tren.

“Të them të drejtën, që nga ajo kohë sikur i kam pasur fobi trenat dhe nuk kam dashur të hip në ta. Të gjithë e dinë se ishim aq shumë njerëz nëpër ata vagonë, sa fryma të zihej. Na shtynin, na kërcënonin. Fëmijët u kumbisnin prindërve nga duart. Kishte britma e lot. Ndoshta për këtë arsye për një kohë të gjatë kam pasur një mendim të errët për trenat, derisa kam pasur rastin të dal jashtë vendit e të udhëtoj me tren, që ta kuptoj se jo të gjithë trenat janë të tmerrshëm si këta që na quan në Bllacë”, thekson Rrezja, e cila e vlerëson idenë për këtë muze dhe u sugjeron të gjithëve që e kanë përjetuar këtë eksod, por edhe të tjerëve, të vijnë ta vizitojnë këtë zonë kufitare.

Programi i përgatitur për shënimin e 20-vjetorit të këtij eksodi u plotësua me një paraqitje të ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”, kurse në Bllacë nuk mungoi as poezia kushtuar kësaj ngjarjeje. Aty u mbajt edhe një orë letrare, ku dashamirë të fjalës së shkruar lexuan poezitë e tyre në kuadër të temës “Eksodi 1999”./ZËRI

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image

Image