Libri i javës  “Murtaja” nga Albert Camus

Libri i javës “Murtaja” nga Albert Camus

Kultura March 25, 2019 - 10:11
Lexo më shumë detaje

 

Redaksia e gazetës “Zëri” së bashku me librarinë “Buzuku” në Prishtinë në kuadër të rubrikës “Libri i javës” këtë të hënë jua rekomandojnë për lexim librin “Murtaja” nga Albert Camus. Librin e gjeni në këtë librari të përkthyer në shqip nga Bashkim Shehu dhe të botuar nga shtëpia botuese “Fan Noli”.

Romani i vendos ngjarjet në qytetin algjerian Oran, i përshkruar si një qytet bregdetar i ngathët e i pluhurosur, i ndërtuar me shpinën e kthyer nga porti. Ngjarja nis kur protagonisti Dr. Rieux fillon të shohë minjtë e ngordhur. Shpejt edhe njerëzit po bien përdhe të vdekur e me gjasa, Oran e gjen veten në karantinë, të izoluar nga pjesa tjetër e botës. Nuk kalon shumë kohë, ndërsa qindra njerëz po vdesin çdo ditë: funeralet zëvendësohen me ceremoni të shpejta varrimi pas dyerve të mbyllura të varrezave. Shpejt nis dhuna dhe grabitjet. E ndërsa trupat e pajetë bëhen pirgje, nis të mbizotërojë klima e dëshpërimit dhe dorëzimit.

Albert Camus në romanin “Murtaja” do t’i japë lexuesit një shpjegim të saktë të asaj çfarë ndodh në të vërtetë, i shkruar kjo në formë alegorike. Përmes leximit kuptohet qartë se murtaja që ai përshkruan nënkupton “Rajhun e Tretë”. E shkruar në vitin 1947, kur bota sapo kishte dalë nga një fitore mbi të keqen e madhe, siç ishte nazizmi me sloganin “Kurrë më”, Camus këmbëngul që murtaja e ardhshme mund t’i zgjojë sërish minjtë e saj. Nëse një grup kritikësh këmbëngul se romani është një reflektim mbi shpërfilljen metafizike të njeriut në botë, të tjerë mbështesin idenë se romani përcjell histori të një murtaje tjetër: ajo e një kapitalizmi destruktiv dhe hipermaterialist. Shoqëria jonë është absurde, cilëson shkrimtari, ndaj dhe romani im shqyrton marrëdhënien tonë me absurditetin e kohës moderne. Aty përshkruhet murtaja në një shoqëri që gjëmon fantazmagorinë e saj në të gjithë botën e varfër, ndërsa milionat priten të mbërrijnë prej anijeve të vdekjes. Shkruar si një alegori për jetën në Parisin e pushtuar, romani i Kamysë nuk është një portret nga afër i së keqes ose i dominimit. Në vend të kësaj, ai shërben si një udhërrëfyes për viktimizimin dhe dëshpërimin që sjell një krizë jashtë kontrollit: kjo është edhe arsyeja përse romani rezonoi më shumë se çdo gjë tjetër gjatë mesnatës së shekullit të kaluar. Historia përsëritet si atëherë. Me miliona njerëz sërish janë duke parë pasaportat e tyre dhe duke hamendësuar se ku dhe kur mund të jenë të mirëpritur. E çuditshme që nevoja jonë për shpëtim është po kaq e vërtetë sa ç’ishte 70 vjet më parë, kur protagonisti i Camus del në përfundimin se “ka më shumë gjëra te njerëzit që duhen admiruar sesa ato që duhen përbuzur”.