Pashoja-Myftiu riboton librin për refugjatët

Pashoja-Myftiu riboton librin për refugjatët

Kultura March 25, 2019 - 09:51
Lexo më shumë detaje
Image

Libri “Refugjatë në qiellin e ri” është libri i ribotuar i autores Ganimete Pashoja-Myftiu, i cili u promovua në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë. Libër ky që përmban rrëfime të refugjatëve të Kosovës në lidhje me bombardimet e NATO-s, duke u përshkruar ajo që ka ndodhur në Kosovë, 20 vjet më parë.

Autorja e librit ka thënë se promovimi i librit aq sa ka për qëllim rikujtimin e librit që është botuar për herë të parë në vitin 2002 dhe është shkruar në Amerikë para 18 vjetësh, aq ka për qëllim ndriçimin e kujtimeve të thella që ne kolektivisht i kemi përjetuar. “Unë mendoj se edhe ne në Kosovë duhet ta bëjmë këtë punë kolosale për ta dokumentuar historinë tonë dhe për t’i treguar gjeneratave të ardhshme shkallën e flijimit me të cilën kemi ardhur në këtë pikë ku jemi sot”, tha Pashoja- Myftiu, e cila tutje ka thënë se ne jemi peng i traumave të shtresuara dhe të trashëguara me traumën madhore që na ka goditur para 20 vjetësh.

“Kur dikush më thotë se jemi në gjumë unë e refuzoj kategorikisht. Ne nuk jemi në gjumë, ne jemi në komë, ne ende po presim shërimin minimal që do të na mundësojë t’i hapim sytë dhe tek pastaj të na hapet gradualisht mundësia të tregojmë rrëfimin tonë të plotë, sepse pa rrëfim të traumës nuk ka shërim”, tha në fjalën e saj autorja.

Dëshminë e saj për audiencën e ndau veterania e arsimit Ajtene Pllana, e cila në atë kohë ishte duke qëndruar në SHBA. E sipas saj, ata që ishin larg Kosovës vetëm me kilometra e kanë përjetuar shumë rëndë situatën e krijuar. Duke u përballur çdo ditë me atë se dikush tregonte diçka që ju kishte ndodhur në familje, në shtëpi, në lagje, në fshat e gjithandej. “Nipi im Rroni në atë kohë shtatëvjeçar ishte anëtar i korit të fëmijëve në Metropolit të Operave në Nju-Jork dhe një ditë gjatë provave kishte qarë, dirigjentja e kishte pyetur se pse po qante dhe ai i kishte thënë se atje në Kosovë po luftojnë dhe prindërit e mi janë nga Kosova, kishte thënë ai. Dirigjentja për ta vërtetuar i kishte telefonuar bijës sime Teutës dhe kishte kuptuar se me të vërtetë janë nga Kosova. Kurse të nesërmen te dera e hyrjes ishte vendosur një kuti për të mbledhur ndihma për Kosovën”, evokon kujtimet dëshmitarja që është pjesë e librit.

Rrëfimet e tyre për 24 marsin i ndanë edhe Flora Durmishi e Rreze Xhaferi.

Flora Durmishi, studiuese e letërsisë, për të pranishmit ka thënë se ka qenë kohë e vështirë kur ka lënë familjen në Kosovë dhe nuk e dinte se çka po ndodhte me ta dhe një ditë më vonë kishte marrë lajmin se profesori saj Latif Berisha ishte vrarë në pragun e shtëpisë dhe për vëllain që e kishin burgosur.

Rreze Berisha kujton kohën kur e gjithë familja mblidheshin për të shikuar lajmet e orës gjashtë e gjysmë të TVSH-së dhe me vëmendje pritnin lajmet se çka po ndodh në Kosovë e për të momenti i paharruar ka qenë kur në një ditë të zakonshme duke u përfunduar lajmet kanë dëgjuar se si gazetari thotë se është momenti që NATO-ja do të intervenojë në caqet serbe. Dhe se si pas pak sekondave kanë dëgjuar bombardimin e parë duke e përkufizuar si momentin më të lumtur të jetës së tij.

Image

Edona Dobroshi, njëra prej lexueseve të para të librit, në përurimin e librit ka lexuar një kapitull gjithëpërfshirës ku autorja tregon rrëfimin e saj si refugjate dhe përvojat e saj me refugjatët. Autorja thotë se libri saj kishte të bënte kryesisht me përvojën si refugjate kosovare në SHBA dhe me mallin për t’u kthyer sërish në atdheun e saj, Kosovën. “Kisha hedhur në letër një fragment nga historitë e mia prej refugjati. Për të zbutur ashpërsinë e këtij shfrimi të dhimbshëm, nisa të kërkoja histori të tjera të ngjashme me to, kështu që rastin tim e vendosa brenda një antologjie me histori të ndryshme refugjatësh që ndodheshin në qytetin e Nju-Hevënit, Kontektikat, SHBA”, thekson autorja nga e cila tutje mësohet se dy vijat narrative themelore ishin tregimi mbi mbijetesën e Dr. Laubit gjatë holokaustit dhe mbijetesa e familjes së saj pas krizës së Kosovës (e njohur si kriza e Kosovës sipas CNN-së).

“Në libër ndërthura disa histori të shkurtra nga individë dhe familje refugjatësh nga Afganistani, Serbia, Kenia dhe Kalabria (Italia Jugore). Sot kam bindjen se ata i kam intervistuar për të konfirmuar ndjesinë time se NE, refugjatët, kishim një varg emocionesh të larmishme dhe një dhembje të njëjtë për të ndarë me shoqi-shoqin. Ishte ndjenja e shpërnguljes, e humbjes së identitetit, e humbjes së kombit dhe nëse do të donte fati ndjenja e një kombi të ardhshëm, të ri, të rifituar”, tha ajo.

Kurse të hollat nga shitja e librit autorja ka vendosur t’i dhurojë si donacion për bashkësinë “Carnakolo” , për personat e varur nga droga.