Shënohet Dita Botërore e Poezisë

Shënohet Dita Botërore e Poezisë

Kultura March 22, 2019 - 10:05
Lexo më shumë detaje
Image

Që nga viti 1999, 21 marsi është shpallur nga UNESCO-ja Dita Botërore e Poezisë. Vendimi i marrë në kongresin e 30-të të kësaj agjencie, e zhvilluar në Paris, ka si objektiv kryesor mbështetjen e diversitetit linguistik përmes shprehjes poetike.

Drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s, Irina Bokova, kishte dhënë mesazh se në këtë datë nderohen burrat dhe gratë që imagjinojnë, veprojnë dhe instrument të vetëm kanë fjalën e lirë. “Poezia është ajo që u jep fjalë gjërave për të cilat një emër është i pamundur të gjendet. Duke i dhënë emër si bukurisë së padepërtueshme që na rrethon, mjerimi dhe dhimbjet e botës, poezia kontribuon në zgjerimin e humanizmit tonë të përbashkët, duke ndihmuar në rritjen e solidaritetit dhe të ndërgjegjësimit të njeriut”, ishte mesazhi i Irina Bokovas.

Në të njëjtën kohë, caktimi i një dite ndërkombëtare për poezinë bëhet edhe me qëllimin për t’i kthyer kësaj gjinie të letërsisë funksionin e saj të parë, traditën gojore.

Në këtë ditë të shënuar për adhuruesit e fjalës së shkruar, poetja e re nga Mali i Zi, Flutur Mustafa, thotë për gazetën “Zëri” se poezia duhet të jetë pjesë e përditshmërisë së njerëzve dhe brezat e rinj duhet të edukohen që të jenë më afër asaj si art. “Poezia mbi të gjitha është frymë sublime, e cila më mundëson që ta shoh jetën nga një tjetër këndvështrim. Më ndihmon të gjej pozitivitetin e munguar në këtë botë të zymtë. Poezisë duhet t’i jepet më shumë hapësirë si nëpër shtëpi botuese, po ashtu edhe nëpër medie”, thotë Mustafa, libri i fundit poetik i së cilës titullohet “Andje”.

Sipas shkrimtarit Prend Buzhala, edhe në Kosovë, në nderim të kësaj dite, zhvillohen veprimtari. Sipas tij, shënimi i kësaj dite është dashur të jetë i organizuar si manifestim me poetë nga rajone të tjera, jo vetëm nga Evropa, po edhe nga ato afrikane apo aziatike, për njohje, shkëmbim përvojash, afirmime të letërsive të ndërsjella.

“Mund të organizohej me manifestime festive në ambiente festive-poetike, domethënë, mund të pasurohet me forma të tilla në të ardhmen”, tha ai, që tutje njoftoi se në Klinë Klubi i Shkrimtarëve “VOREA UJKO” në kujtim të kësaj dite, ka më shumës e 15 vite që e shënon tradicionalisht me orë letrare, qoftë nëpër shkolla, qoftë dhe me veprimtari të ngjashme.

“Sivjet simbolikisht e shënuam me Tryezën e Librit: me përurimin e vëllimit tim “Shqiptimi i shpirtit poetik” (me 354 faqe) që doli këto ditë nga shtypi e që janë ese që i kushtohen ekskluzivisht poezisë”, tha për “Zërin”, Buzhala.

Rrona Jaka, poete, ka vlerësuar se poezia nuk e ka vlerën si ka pasur më herët, por një kohë poezia është konsideruar si forma më e lartë e shprehjes njerëzore, madje që të gjitha tekstet, si ato kritike si ato letrare, janë shkruar në formë të poezisë në kohën e Greqisë së Vjetër.

“Poezia ka arritur kulmin e saj, ose më mirë të themi se ka gjetur publikun më të gjerë gjatë renesancës nga ku jemi dashuruar me poezinë përmes shkrimeve të Shekspirt, të Dantes, të Petrarkës e shumë të tjerëve. Ndoshta shkaku që poezia ka mbijetuar kaq gjatë ka të bëjë me faktin se kombinon faksionin dhe fiksionin duke na dërguar në një dimension përtej përditshmërisë mundane”, tha Jaka.

Sipas shkrimtarit të ri Donart Rexhbogaj, poezia sot përballet me lexues dhe krijues të ndryshëm.

“Poezinë sot si art ‘Elitar’ e konceptojmë në mënyra të ndryshme, pikëspari hasim tendenca të shumë krijuesve që artin e tyre mos ta klasifikojnë për lexuesit, e në këtë drejtëz shfaqën një mori elementesh, si marrjen e poezisë si "mjet" për ta shfaqur frustrimin dhe rebelimin ndaj realitetit, e më këtë "Figuracioni i realitetit" shmanget tërësisht duke e mënjanuar imagjinatën dhe idetë”, u shpreh poeti për “Zërin”.

Sipas Rexhbogaj, shoqëria jonë ka mjaft krijues serioz, që rrinë të heshtur ndaj flukseve dhe reklamave që bëhen në emër të artit dhe përgjithësisht, poezia sot është duke e përjetuar një evolucion dhe transforim nga poetika e deri tek diskursi.

Ndërsa në kohët antike, në Greqinë e lashtë poemat e Homerit mësoheshin përmendësh nga aedët dhe recitoheshin kryesisht në ambiente publike tashmë duket se poezisë i ka humbur ky tipar i vet kryesor. Në këtë mënyrë UNESCO-ja kërkon që përmes recitaleve të ndryshme, përmes takimeve poetike dhe përmes mbrëmjeve artistike të krijojë një urë lidhjeje mes poezisë dhe formave të tjera të artit si teatri, kërcimi, muzika, piktura etj. E në të njëjtën kohë të mbështesë poetët e rinj, t’i promovojë ata dhe të krijojë një imazh tërheqës për poetin, që shpeshherë shihet si dikush që nuk është më në modë, shkruan KP-ja.

Dita Botërore e Poezisë është konceptuar si një ftesë për të reflektuar mbi fuqinë e gjuhës dhe për zhvillimin e plotë të kapaciteteve kreative të secilit prej nesh. Për këtë arsye UNESCO-ja bën thirrje për zhvillimin e aktiviteteve kulturore në nivel lokal e ndërkombëtar në institucione publike e private duke përfshirë këtu shkolla, bashki, muze, shoqata kulturore, shtëpi botuese etj. Para caktimit të 21 marsit, si Dita Botërore e Poezisë, ishte 15 tetori që kremtohej në gjithë botën me aktivitete të larmishme letrare, pasi ai përkonte me ditëlindjen e poetit epik romak Virgjil. Në disa vende kjo traditë e të festuarit në muajin tetor vazhdon të ruhet ende.

Image