Promovohet fjalori japonisht-shqip me 13 mijë fjalë

Promovohet fjalori japonisht-shqip me 13 mijë fjalë

Kultura mars 21, 2019 - 09:58
Lexo më shumë detaje
Image

Të mërkurën në Pallatin e Rinisë Asociacioni i Miqësisë Kosovaro-Japoneze ka prezantuar fjalorin japonisht-shqip të autores Reko Dida. Fjalor ky që në përbërje ka 13 mijë fjalë dhe ashtu si u cilësua nga autorja është më tepër sesa një fjalor, sepse ka përmbledhur të gjitha shënimet e saj që ka bërë brenda një viti dhe ka dedikim të veçantë për njerëzit me të cilët ka jetuar në Japoni dhe në qytetin, që ia ka falur një eksperiencë të paharruar. Siç thotë Dida, brenda fletave të bardha të fjalorit ka histori, lidhje shpirtërore që krijojnë urën për ata që dëshirojnë të shkojnë në Japoni.

Para të pranishmëve autorja Dida ka ndarë eksperiencën e saj në Japoni, duke i përkrahur të gjithë ata të cilët dëshirojnë që zhvillimin profesional ta zhvillojnë në Japoni. “Quhem Reko Dida jam korçare, e rritur në Korçë, e diplomuar në Tiranë, e martuar në Kosovë. Bota është me fat që akoma ka vende si Japonia prej të cilëve njerëzit mund të mësojnë dhe jemi akoma më me fat që ata na kanë pranuar ne. Është e mrekullueshme të mësosh dhe t’i vësh në zbatim ato gjëra që merr nga një vend ideal, aq i zhvilluar siç është Japonia. Ajo që e bën të bukur Japoninë janë pikërisht japonezët, njerëzit janë pasuria më e madhe që ka ai vend. Njeriu bën vendin dhe jo vendi njeriun”, tha Dida, e cila theksoi se këto janë edhe disa prej arsyeve të hartimit të fjalorit. Ajo ka treguar se si ka filluar ta mësojë japonishten me idenë se nuk do të mundet të fitojë në nxënie, por që në orën e parë siç thotë ajo, çdo gjë ka shkuar shpejt, rrjedhshëm dhe përkushtimi vetëm sa shtohej. E sipas saj, ka qenë fat i madh që është ndeshur me një kulturë dhe me njerëz të tillë, kurse siç zbulon autorja emri që ajo bart është tipik japonez dhe ka 30 për qind të femrave në Japoni që e kanë këtë emër. “Pas orëve që mësoja japonishten, unë u avancova shpejt në nxënien e japonishtes dhe një ditë më thanë se duhet ta sjellë në shqip. Në fillim nuk e besova se do ta realizoj një gjë të tillë edhe pse e pata konfirmuar, por sot ja ku jemi”, rrëfen Dida.

Reko sot ka një numër të madh studentësh që mësojnë japonisht, e sipas saj asnjëherë nuk mungon iniciativa që së bashku me Ambasadën Japoneze t’i nxisim për të vazhduar atje nivelin profesional.

Luljeta Arifi, një ndër themelueset e Asociacionit të Miqësisë Kosovar-Japoneze, ka treguar se ky asociacion është themeluar në vjeshtën e vitit të kaluar me qëllim të dhënies të karakterit të vërtetë të miqësisë në mes dy shteteve dhe është krijuar nga dy kosovarë dhe një mik japonez. “E morëm këtë iniciativë për themelimin e asociacionit si rezultat i përvojës të jashtëzakonshme që kemi pasur në Japoni, në fushëveprimtari të ndryshme. Pikërisht këto afërsi kulturash na kanë shtyrë në mozaikun e thellimit të bashkëpunimit e të shkëmbimit në mes të Kosovës dhe Japonisë. Aktivitetet e asociacionit do të shtrihen në sërë fushash si në shkëmbimin e përvojave të nivelit arsimor, ekonomik, inovacion, mjedis, kulturë dhe sport. Për t’i përmbushur qëllimet e veta asociacioni përveçqë do të bashkëpunojë ngushtë me zyrën ndërlidhëse japoneze në Kosovë, me Ambasadën, institucionet shtetërore, organizata joqeveritare, do të ketë veprime me qytetarë në shumë projekte të vlefshme”, u shpreh Arifi, e cila tutje shton se me admirim e shohin Japoninë si një ndër vendet më të zhvilluara në botë që është e njohur me të arriturat e tyre në ekonomi, inovacion, transport, në ruajtjen e ambientit. “Kemi shumë gjëra të përbashkëta me popullin japonez, ndër to do të veçojmë konceptin e besës që te japonezët e kemi gjetur me fjalën ‘bushido’, që shpreh shumë më shumë se dhënien e fjalës, mentalitetin, traditat. Japonia ka përkrahur Kosovën në ditët më të vështira dhe vazhdon të na përkrahë në programet zhvillimore e në projekte të vlefshme”, ka vlerësuar Arifi, themeluese e asociacionit. Ajo theksoi se e Japonia vazhdon ta përkrahë Kosovën vazhdimisht dhe këtë e dëshmon fakti se së shpejti do të hapet Ambasada e Japonisë në Prishtinë.

Mark Rodiqi, në emër të Ambasadës Japoneze në Vjenë e vlerësoi themelimin e asociacionit të miqësisë në mes Kosovës dhe Japonisë. Ai tha se është pritur me shumë kënaqësi nga Ambasada e Japonisë në Kosovë. E sipas tij, ky vit është shumë i rëndësishëm për Ambasadën e Japonisë sepse festohet 10-vjetori i marrëdhënieve bilaterale, diplomatike mes shteteve.

Siç u tha, Japonia ka ndihmuar kosovarët edhe në ngritjet e kapaciteteve profesionale. Anjeza Alaj, e cila ka përfunduar doktoratën në Japoni, për të pranishmit ka ndarë eksperiencën e saj në studimet e doktoratës në Japoni. “Ndihem shumë e lumtur që kam pasur rastin që për herë të parë pas kohës së studimeve në Japoni ta ndaj eksperiencën time në ambientet publike si ky. Krejt ideja për të vazhduar një shkollim tutje ka qenë spontane, e cila është shndërruar në një prej përvojave më të mira të jetës sime. Fillimi ka qenë i vështirë, ka qenë ballafaqim i kulturave të ndryshme të cilat nuk kam mundur të i imagjinoj”. rrëfen Alaj e cila tutje thotë se rezultati ka qenë i asaj mënyre sa në fund është mishëruar me atë kulturë, ambient saqë sot e tutje i mungon, edhe katër vjet pasi është kthyer prej Japonisë. “Të përqafohet fillimi i një kulture dhe pastaj integrimi është më i lehtë. Edhe pse gjeografikisht jemi larg me Japoninë, mësimi i gjuhës japoneze është një mundësi e shkëlqyer për të intensifikuar bashkëpunimin në mes të Kosovës dhe Japonisë”, tha në fjalën e saj Alaj.

Reko Dido, autorja e fjalorit japonisht-shqip, ka doktoruar në Degën e Letërsisë Shqipe për Shkollat e Mesme. Që nga viti 1999 deri në vitin 2009 ka punuar si koordinatore teknike e “Japonese International Coorporatiom Agency” për Shqipëri, nga 2009 deri më 2015-n është kthyer në Japoni duke e shoqëruar bashkëshortin në detyrën e ambasadorit. Me një eksperiencë të gjerë në gjuhën japoneze ajo ka të mbaruar të gjitha nivelet e gjuhës japoneze dhe ka botuar fjalorin e parë japonisht-shqip në vitin 2012, me 13 mijë fjalë.