2019-a, vit i madh për 'Disney'-n

2019-a, vit i madh për 'Disney'-n

Kultura March 18, 2019 - 10:28

Për kompaninë e famshme filmike “Walt Disney” 2019-a është vit i kurorëzimit me premiera për shumë filma të famshëm, në të cilët kjo kompani ka punuar për vite. Gjatë muajve në vijim kinematë anembanë botës do të mirëpresin filma nga “Walt Disney”. Shumë prej tyre janë filma ikonikë që brezat e ndryshëm i kanë përcjellë ndër vite, duke e rritur e që sivjet vijnë në pjesë e në versione të reja. Më poshtë jua sjellim një listë të filmave nga “Walt Disney”, të cilët do të publikohen gjatë vitit 2019, shkruan sot gazeta "Zëri".

“Captain Marvel”

Ky film tashmë ka dalë nëpër kinema. Filmi ndjek Carol Danvers, rolin e së cilës e luan Brie Larson, teksa ajo rilind me superfuqi në vitet e ’90-ta dhe bëhet e njohur si Captain Marvel. Nëse ju jeni nga ata shikues që planifikojnë ta shikojnë pjesën e re të serisë “Avengers”, e cila do të publikohet në prill, atëherë jeni në kohën e duhur që të shikoni filmin “Captain Marvel”.

“Dumbo”

Në fund të këtij muaji vjen premiera e filmit shumë të dashur për fëmijë “Dumbo”, që është një ribërje e filmit të animuar i cili u realizua në vitin 1941. Ky film flet për elefantin e vogël Dumbo, i cili përqeshet për veshët e tij tejet të mëdhenj. Tashmë është bërë e ditur se në versionin e regjisorit Tim Burton do të largohen disa elemente raciste, si dhe do të përfshihen disa aktorë të rinj. Këtu përmenden personazhet e dy fëmijëve, të cilët siç duket do të jenë ata që do ta zbulojnë se Dumbo mund të fluturojë.

“Penguins”

Muajin prill kompania “Walt Disney” e ka rezervuar për premierën e filmit “Penguins”. Siç bëhet e ditur, ky film ndjek një pinguin me emrin Steve, i cili kërkon një partnere për të filluar një familje në Antarktik.

“Avengers: Endgame”

Gjatë prillit gjithashtu vjen premiera e filmit “Avengers: Endgame”. Ky film shoqëron heronjtë si Iron Man, Captain America dhe Ant-Man, duke u përpjekur për të ndryshuar jetën e Thanos. Ky film në fakt konsiderohet të jetë premiera kryesore e vitit për adhuruesit e zhanrit të cilit i takon.

“Aladdin”

Historia e djaloshit të varfër Aladdin, fati i të cilit ndryshon për jetë kur dashurohet në princeshën Jasemina, si dhe e gjen një llambë magjike, vjen në ekran në një version të ri e bashkëkohor. Kureshtja për të parë versionin e “Aladdinit” të punuar nga regjisori Guy Ritchie do t’u shuhet shikuesve në muajin maj, kur edhe filmi do të jepet premierë.

“Toy Story 4”

Sipas “Disney”-t dhe “Pixar”-it, filmi i katërt “Toy Story” flet për kaubojin Woody dhe pjesën tjetër të lodrave ndërsa ata mirëpresin disa miq të rinj që bashkohen me dhomën e pronarit të tyre. Midis tyre është një pirun i cili insiston se ai nuk është një lodër.

“The Lion King”

Historia mahnitëse e babait dhe e birit që filmi “The Lion King” e tregon vjen nga “Disney” në një version të ri në muajin korrik. Rrugëtimi i Simbës për t’u kthyer në shtëpi dhe për të marrë fronin që i takon vjen kësaj here pak më ndryshe se në filmin e vitit 1994, por lufta e Simbës për ta çuar drejtësinë në vend vazhdon.

“Artemis Fowl”

I përshtatur nga romani i Eoin Colfer, filmi “Artemis Fowl” flet për një gjeni 12-vjeçar që vjen nga një familje kriminele. Ky djalosh tejet i zgjuar gjendet në disa situata të vështira, të cilat mund të kenë lidhje edhe me zhdukjen misterioze të babait të tij.

“Frozen 2”

Filmi që flet për triumfin e një dashurie të fortë, siç mund të jetë vetëm ajo mes dy motrash, rikthehet në ekran me pjesën e dytë, pas suksesit të jashtëzakonshëm me pjesën e parë të publikuar në vitin 2013. Deri më tani nuk është bërë i ditur ndonjë detaj lidhur me këtë pjesë të re, por është e konfirmuar se Kristen Bell, Idina Menzel dhe Josh Gad vijnë në rolet e Anës, të Elsës dhe të Olafit respektivisht. Gjithashtu është konfirmuar se do të ketë këngë të reja për të dyja motrat.

“Star Wars: Episode IX”

Një tjetër film i shumëpritur i këtij viti është “Star Wars: Episode IX”. “Disney” dhe “Lucasfilm” ende nuk kanë publikuar një përmbledhje zyrtare për filmin e nëntë “Star Wars”, por e dimë që do të arrijë kulminacionin si vazhdimësi e historisë së Skywalker dhe do të përfshijë më shumë gjeneralin Leia të Carrie Fisher përmes pamjeve të papërdorura më parë.