Filmi i Kushtrim Bekteshit jepet premierë në Shkup

Filmi i Kushtrim Bekteshit jepet premierë në Shkup

Kultura March 15, 2019 - 11:13

Premiera e filmit “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar” do të mirëpritet në kinemanë “Cineplexx” në Shkup, më 29 mars, në orën shtatë e gjysmë të mbrëmjes, shkruan sot gazeta "Zëri".

Premiera e filmit artistik me metrazh të gjatë “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar” është me skenar dhe me regji të Kushtrim Bekteshit, Filmi është xhiruar në fshatin Gjonomadh të rrethit të Korçës. Drejtor i fotografisë në këtë film është Almir Gjikolli, muzikën origjinale e ka kompozuar Trimor Dhomi. Montazhin e filmit e ka bërë Radovan Petroviç, kurse skenograf është Durim Neziri. Kostumografe e filmit është Zhaklina Krstevska dhe disenjator i zërit është Darko Spasovski.

Filmi trajton jetën e zakonshme dhe të qetë të një fshati të harruar, i cili çrregullohet nga ardhja e tri prostitutave në kafenenë e fshatit. Burrat, pavarësisht përpjekjeve të grave të tyre për t’i ndaluar, tërë kohën e kalojnë në kafene duke shpenzuar gjithë paratë në alkool dhe në seks. Në shkollë fillon të mbizotërojë një gjendje kaotike. Hoxha i fshatit e humb autoritetin dhe xhamia mbetet pa besimtarë. Vetëm dy të rinj përfitojnë nga kjo rrethanë duke arritur ta realizojnë lidhjen e dashurisë të ndaluar nga prindërit. Në fund gratë e fshatit çohen në kryengritje dhe si pasojë kafeneja digjet, ndërsa jeta në fshat duket se do të kthehet përsëri në normalitet.

Në film është përfshirë një kastë e madhe aktorësh nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria dhe Bullgaria, ndër të cilët: Shkumbin Istrefi, Osman Ahmeti, Ndriçim Xhepa, Luan Jaha, Salaetin Bilall, Muzbajdin Qamili, Vjollca Bekteshi Hamiti, Adriana Matoshi, Diana Spasova, Hismet Ramadani, Musa Isufi, Ervin Bejleri, Romir Zalla, Adrian Aziri, Bujar Ahmeti, Shengyl Ismaili, Donikë Ahmeti, Taulanta Jupi, Mona Mustafa, Sokol Hajrullai, Ilire Vinca, Vebi Qerimi, Adem Karaga, Muzafer Etemi, Besmir Bitraku, Gentë Ratkoceri, Lili Çavdarova Suçeva, Amernis Nokshiqi Jovanovska, Emine Kadriu, Flora Kadriu, Blerim Dardhishta, Muhamed Arifi, Mendim Murtezi, Teuta Ajdini Jegeni, Drita Kaba Karaga, Elhame Bilalli, Hajrullah Ramizi, Zijadin Murtezi, Vaske Niço, etj…

Siç bëhet e ditur filmi financiarisht është i mbështetur nga Agjencia për Film e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare e Kinematografisë e Shqipërisë, Radiotelevizioni i Kosovës, Radiotelevizioni i Maqedonisë 2 dhe Radiotelevizioni i Shqipërisë. Zëri