Gashi, i zhgënjyer me shkarkimin e anëtares serbe nga RYCO-ja

Gashi, i zhgënjyer me shkarkimin e anëtares serbe nga RYCO-ja

Kultura March 14, 2019 - 09:44
Lexo më shumë detaje

 

Milica Skiljevic, anëtare e bordit drejtues të Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor RYCO, pasi ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në takimin e kësaj organizate në Kosovë është shkarkuar nga shteti i saj amë, Serbia. Ky fakt e ka shqetësuar ministrin e Kulturës Kujtim Gashin, i cili ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për medie. Gashi ka njoftuar për shkarkimin e anëtares nga bordi i RYCO-s derisa e ka quajtur shqetësuese ndërhyrjen e politikës në këtë bord. “Kosova në vitin 2019 e kryeson një nga proceset më të rëndësishme siç është RYCO-ja. Është fat i mirë që të gjitha shtetet anëtare të RYCO-s kanë pasur përfaqësuesit e tyre, por mbrëmë në orët e vona jemi njoftuar se njëra nga anëtarët e Serbisë është shkarkuar vetëm pse e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim dhe mosprezenca e saj ka bërë që ky takim të mos vazhdojë, sepse nuk ka pasur kuorum”, ka thënë Gashi.

Tutje Gashi ka thënë se ky është një lajm shumë i keq për Kosovën dhe është zhgënjyes veprimi i Serbisë. “Ky është një lajm shumë i keq, sepse Kosova ka qenë e përkushtuar ta shtyjë përpara misionin e RYCO-s dhe mua si kryesues i këtij bordi është jashtëzakonisht zhgënjyese veprimi i Serbisë dhe shfrytëzimi i temave politike”, ka vazhduar ai.

Gashi i ka bërë thirrje Berlinit që t’i bëjë presion Serbisë të mos i pengojë proceset e RYCO-s. RYCO-ja është mekanizëm i pavarur institucional i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës, Maqedonisë Veriore, Malit të Zi dhe Serbisë për bashkëpunim rajonal në fushën e rinisë.