Camaj kujtohet në 27-vjetorin e vdekjes

Camaj kujtohet në 27-vjetorin e vdekjes

Kultura March 13, 2019 - 09:45
Lexo më shumë detaje

 

Të martën më 12 mars janë mbushur 27 vjet që nga vdekja e shkrimtarit dhe albanologut shqiptar Martin Camaj në Munih. Në këtë datë të rëndësishme Camajn e kanë kujtuar dashamirët e fjalës së shkruar.  Veprimtaria e tij letrare në harkun 45-vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhanër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë te proza.

Martini lindi në Dushman të Dukagjinit më 13 korrik 1927 në vendin e quajtur Telumë. Në vendlindje kaloi dhjetë vjetët e parë të jetës së tij. Nis t’i fitojë në mënyrë autodidakte njohuritë e para në shkrim e lexim shqip dhe në matematikë. Kjo gjë do t’i binte në sy ish-pagëzuesit P. David Pepës OFM, duke e nxitur të ndërmjetësojë pranë instancave eprore në Shkodër që të ndërmerrnin përpjekje për arsimimin dhe për përgatitjen, pse jo, për meshtari. Në vitin 1935 vendoset përfundimisht në Shkodër dhe fillon të marrë arsim të rregullt pranë kolegjit jezuit “Xaverianum”, ku do kalonte edhe tuberkulozin. Rektor i kolegjit atëbotë qe P. Giuseppe Valentini SJ, prej të cilit mësojmë se arsimin fillor 5-vjeçar e kishte përfunduar në 4 vjet. Pesë vjetët në vijim ai ndoqi rregullisht gjimnazin, gjë që i dha të drejtën për t’i vijuar studimet në liceun klasik të kolegjit. I ati vdes pak vite pasi Martini i vogël u fut në kolegj. Studimet detyrohet t’i ndërpresë në vitin e tretë, më 1946 – mbas mbylljes së instituteve fetare të Shkodrës. Kërkimet akademike të Camajt u përqendruan në gjuhën shqipe dhe në dialektet, në veçanti të atyre në Italinë Jugore. Veprimtaria e tij letrare në harkun 45-vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhanër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë te proza. Vëllimi i tij i parë me varg klasik “Nji fyell ndër male”, Prishtinë 1953 dhe “Kânga e vërrinit”, Prishtinë 1954 (Kënga e lëndinave), u frymëzuan nga banorët e zonave ku lindi, malësorët e veriut, mbas të cilëve qëndroi shumë i afërt shpirtërisht edhe mbas shumë e shumë viteve në mërgim dhe pamundësia për t’u kthyer.

Këto u ndoqën nga “Djella”, Romë 1958, një novelë me disa vargje mbi dashurinë e një mësuesi me një vajzë të re. Përmbledhja e poezive “Legjenda”, Romë 1964 dhe “Lirika mes dy moteve”, Munich 1967, kishte disa poezi nga “Kânga e vërrinit”, që u ribotuan në “Poezi” 1953-1967, Munich 1981.