Basha sjell “Karnavalet e Korçës” në Prishtinë

Kultura February 21, 2019 - 10:22
Lexo më shumë detaje
Image

 

E shkruar në vitin 1935 nga korçari Spiro Comora, “Karnavalet e Korçës”, drama që rrëfehen historinë e një familjeje korçare, vjen në Teatrin Kombëtar të Kosovës me regji të Altin Bashës. Në konferencën për medie që i parapriu premierës e cila do të mbahet sonte, më 21 shkurt, me fillim nga ora 20:00, nga drejtuesit e TKK-së u tha se regjisori Basha është i mirëpritur në skenën e këtij institucioni.

Agim Sopi, drejtor i TKK-së, për medie është shprehur mjaft i kënaqur që startohet një sezon me një regjisor si Basha dhe me një kast të aktorëve profesionistë, siç janë: Luan Jaha, Ilire Vinca, Edona Reshitaj, Ylber Bardhi, Ernest Malazogu, Besart Sllamniku, Adem Karaga, May-Linda Kosumoviç, Arta Selimi, Ermal Sadiku, Muhamet Zeka dhe Qëndresa Kajtazi. Sopi rrëfeu dhe për sukseset e Bashës, i cili ka realizuar shfaqjen “Pallati i ëndrrave” të Ismail Kadaresë, që për konceptin e tij është njëra ndër shfaqjet më të mira të realizuara pas luftës. “Altini është i njohur për publikun tonë, ka sjellë disa shfaqje jashtëzakonisht të suksesshme në TKK, menjëherë pas luftës ka realizuar shfaqjen ‘Pallati i ëndrrave’ e që për mendimin tim është njëra nga shfaqjet më të realizuara pas luftës dhe po ashtu shfaqjen ‘I ligu për mend’, që ka thyer të gjitha rekordet e publikut, ne kemi realizuar 50 repriza me sallën e mbushur me publik dhe shfaqjen të cilën e kemi ende në repertor”, tha drejtori i TKK-së.

Regjisori Basha falënderoi Teatrin Kombëtar që e ka riftuar brenda dy vjetësh tri herë, duke e vlerësuar këtë gjest dhe duke potencuar se në Teatrin e Tiranës nuk punon shpesh drama të tilla dhe njëra nga arsyet është se ka qenë fanatik mbi vlerat e dramës shqipe dhe peshën që ajo duhet të ketë në repertorin e teatrove shqiptare. “Unë e kam pritur këtë ftesë me shumë kënaqësi. Projekti i katërt që punoj në këtë teatër. Ky është një tekst i cili ka një histori interesante, kurse sa na përket neve, kemi bërë një punë intensive dhe kam pasur po ashtu mundësinë të rizbuloj detaje të reja. Sigurisht është kënaqësi të punoj me Ilire Vincën, mikeshë prej shumë e shumë kohësh, me Edonën kemi punuar edhe më parë. Jam shumë i kënaqur, një aktor nga Shkupi si Adem Karaga që i shtohet stafit tonë, gjeografia është shumë e gjerë, përfshin të gjitha teatrot shqipfolëse”, u shpreh ai.

 

Më tutje regjisori i shfaqjes tha se teksti trajton disa problematika të cilat rezonojnë edhe sot, siç janë pabarazia sociale, kapja e shtetit, korrupsioni e raportet e biznesit me politikën. Ai tha se kjo vjen si shfaqje me shumë ngjyra dhe mahnitëse. “Ka elemente që rezenojnë edhe në botën e sotme, ndërsa nga pikëpamja e trajtimit estetik ne kemi mbetur në vitet e ’30-ta, pasi që na tërheq ajo pamje dhe ajo hijeshi. Nga pikëpamja e trajtimit regjisorial të formave skenale, të lojës së aktorëve, të lojës muzikore e skenografike, ne provojmë të bëjmë një teatër modern, një teatër të gjallë”, u shpreh Basha. Ai theksoi se njëra nga kyçet e suksesit ka qenë kasti. Sipas tij, kasti do t’ia japë veprës një dimension tjetër, dimension të fuqishëm artistik, i cili e çon përtej edhe nivelin e komedisë, shfaqje me shumë ngjyra, shfaqje mbresëlënëse. “Jemi përpjekur shumë dhe kemi arritur një rezultat që mezi presim t’ia shfaqim publikut, kam pasur rastin të zbuloj dhe bashkëpunime tjera, fjala është për Ylber Bardhin, i cili është njeriu më i gëzueshëm që mund të gjendet në teatrot shqiptare, njeri që gëzohet kur luan dhe përçon pozitivistet, madje edhe me grupin e aktorëve të rinj.

Teatri Kombëtar i Kosovës ka një kastë të aktorëve që nderon çdo regjisor dhe e bën jo të humbur”, përfundoi fjalën e tij regjisori.

Aktorja Edona Reshitaj, që do të luajë në këtë shfaqje, u shpreh e kënaqur dhe thotë se ka qenë kënaqësi e jashtëzakonshme që është pjesë e kësaj shfaqjeje. “Është problem të jesh modeste karshi këtij projekti. Ky projekt është njëri prej eksperiencave më të mira që kam pasur kohëve të fundit. Ajo çka e bën të veçantë ka qenë se secili prej nesh mezi kemi pritur që të vijmë në prova. Në këtë projekt dominon energjia pozitive”, tha Reshitaj, e cila rrëfeu se çdo gjë që shihet në këtë shfaqje është tepër e bukur, duke u nisur prej tekstit, i cili është një komedi vendore, kasta e puna me regjisorin, që sipas saj ka qenë super e lehtë.

Edhe Luan Jaha tha se ndihet i kënaqur që është pjesë e një kaste, ku shkëlqejnë të gjithë. Ai konsideroi se kjo shfaqje është njëra nga shfaqjet e rralla ku në tekstet kombëtare gërshetohen shumë mirë muzika, skenografia, kostumet dhe publiku. “Unë ju garantoj që kjo shfaqje është më e mirë dhe shpresoj që të jetë më e shikuar se ‘I ligu për mend’. Mirë se vini në teatër”, tha aktori Jaha në konferencën për medie.

Ilire Vinca e lartësoi punën e Altin Bashës dhe tha se e konsideron si dhuratë bashkëpunimin e radhës si ky. “Ndihem shumë mirë që e theva akullin dhe po shpresoj që në çdo shfaqje të Altinit do të jem”, ka përfunduar fjalën Vinca.

“Karnavalet e Korçës” do të reprizohet edhe më datat 22, 25 dhe 26 të këtij muaji.