'Shkumësi', dramë e patosit introspektiv

Kultura February 20, 2019 - 10:26

Lutfi Lepaja

Drama “Shkumësi” e autorit të tekstit dhe regjisë Naser Shatrolli, me aktorët Faris Berisha dhe Ermal Sadiku, që u vu në skenë në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar, ka në vetvete karakteristika të veprës me shenja të tragjedisë, sepse ajo fillon me paralajmërimin e vrasjes së njërit personazh, që po i njëjti këtë ia komunikon tjetrit.

Spektatori menjëherë bie në dilemë se cili do të dalë këtu kryepersonazh e cili episodik dhe a u shkaktua pesha e frikës nga njëri-tjetri ose nga një ekzekutues i mundshëm. Ligji logjikisht tash nuk përmendet, por ai do ta zbuste dilemën se cila është viktima e mundshme, si lajmësi, ashtu edhe marrësi i këtij lajmi.

Që të dy i nënshtrohen shqetësimit që aty për aty bashkëpunojnë ngushtë, duke e forcuar

gjithnjë e më tepër supozimin se do të ndodhë vrasja sesa mbështetjen te arsyeja se s’ka pse të ndodhë një gjë e tillë përderisa nuk janë mbledhur shkaqet dhe nuk janë pjekur kushtet për këtë akt. Prandaj ngjarja vihet në koordinata regjisoriale të patosit, që interkorporohen mes vete dhe bëhen brengë shpirtërore e atij që dyshon më tepër sesa e atij që e pret aktin makabër të vrasjes së tij.

Ky skaj e krijon kontradiktën dramatike të depersonalizimit mes dy personash, e shkakton frustrimin e tyre moral, intelektual dhe material deri në shkallë ngritjeje graduale të tensionit për ta shtrirë nëpër detaje të përhapjes së kësaj gangrene që nuk e lë rehat njeriun. Kësisoj arrihet shkalla kulminante e trazimit të tyre shpirtëror për fatin e paralajmëruar nga ajo prognozë delirante që ka dalë prej humnerës së heshtjes së deritashme të atij që iu ka shpifur në mendje dhe e ka ngarkuar me aq faje sa jo një person që ia besoi, por e ka bërë edhe vetë të dyzetin, prandaj jetohet në këto rrethana hallabatshëm, saqë duhet të ikësh të mos të ta tregojë ndokush i papritur, i panjohur ose secili.

Në këtë mënyrë frustrimi bëhet alfa dhe omega e njeriut të sotshëm. Por përgjithësisht dihet se njeriu më i ngrysur zgjohet në mëngjes. Tashmë është vërtetuar se përditshmëria, ajo që ndodh është materia ose lënda e parë e dramës moderne dhe ajo ndodh këtu për këtu, ndodh njësoj sa me aktorët në skenë, aq dhe njëlloj ashtu edhe me spektatorët në sallë.

Këtij moderniteti në inskenim tekstit autorial i bashkohet edhe regjisori, që mund të themi se është rasti më ilustrativ ku kombinohen dramaturgu, regjisori dhe sufleri. Duke i shkrirë të tria këto tipare të dramës në një dhe duke i plasuar edhe si ndjesi të shpërndara për publikun dhe në publik autori na shfaqet me një transformim të gjinisë së dramës që e nxjerr në kthesë dhe në mishërim të ri të artit skenik.

Edhe një karakteristikë që nuk i kemi hasur kaq haptas me rastin e inskenimeve të teksteve dramatike është shkrirja ose shmangia e perdes mes skenës dhe auditorit. Loja fillon si bashkëbisedë dhe pjesëmarrje e të gjithëve, edhe aktorëve në skenë, edhe e publikut në sallë, që në këtë mënyrë paraqesin atribute të dramaturgjisë që i thyen tabutë e rregullat dhe shkakton katarzën me aktet e veprimit në raste dhe me inkuadrimin edhe të ndonjë spektatori që merret si rast i inkriminuar në “fajin” që tashmë ka kaluar në gjendje shpirtërore të frustrimit kolektiv dhe të pashmangshëm karshi çfarëdo ndëshkuesi të mundshëm.

Drama merr intensitet gjithnjë e më tepër drejt konfliktit verbal, saqë ashtu qysh nuk gjendet gjilpëra në kashtë, në thënien që u përafrohet valëve që e çojnë dramën drejt introspektivës, në vorbullën e përhupjes së shtigjeve në jetë për njeriun e tjetërsuar të kohës sonë.

Konflikti bëhet plagë që nuk qet gjak, por lëng limfatik, që e presupozon sëmundjen kronike të shoqërisë, e cila tashmë i abstrahon individët e aftë dhe kreativë dhe i qet në margjina të aktiviteteve për t’i pushuar nga puna “me pagesë” me mjete të paadresë. Ky gjest dhe kjo taktikë ushtrohet mbi personazhin Shkumsi, të cilin mundohet ta shpëtojë duke e futur në rrjedha shoqërore, edhe ashtu siç janë, të rezonit dekadent dhe kjo është ajo forca që këtu theksohet ad hok – ligji – por edhe në paragrafët e tij ofrohet vetëm mundësia e sehirit, asgjë më tepër, sepse as ligji nuk ia arrin ta shpëtojë, tash edhe vetë ligji sillet si terziu pa penj. E vetmja rrugëdalje mbetet lëkundja e litarit, që i përkund në iluzione frutat e jetës, gjallërinë, lëvizjen, vizionin e shpresën. Krejt loja kryesisht sillet dhe amendamentohet rreth atij litari oscilues ku në fund të dramës implikohet akti sublim i pantomimës dhe “ilustrimi” më i përafërt që ua ka bërë në letërsi dhe në dramë ose në film aktit të vdekjes.

Pozitat kryesore i mban opozita! Sepse ajo nuk ka certifikatë e as alibi, por aktivitetin e vet e ushqen me frazeologji të ngjyrosur me floskula patriotike prej atyre më të buta të shtirjes deri tek ato më të egrat që u gjetën në meditimin kafkian si ekuivalent i shoqërimit të tekstit nëpër deklamimin e aktorëve, që në vijimësi, herë me tone të buta e herë të tjera me tone të ngritura, por rezultati proverbial përfundon me shkrirjen në pasojë gjithmonë para shkakut, që merr tiparet e një teksti dramatik me vijën e (pa)përcaktimit a do të lirohet ndonjëherë njeriu prej shkakut tiranik për ta përqafur pasojën që do ta ndante proporcionalisht dhe në mënyrë të barabartë personazhi në skenë si palë e fushës së artit që e dekonspiron fuqishëm dinakërinë njerëzore dhe spektatori në sallë si palë që e mori si terapi një ngjarje kulturore të inskenimit të dramës, e cila nuk do të harrohet për shumë e shumë kohë në memorien e tij. Aktorët Faris Berisha dhe Ermal Sadiku ishin një duet

që artikuloi për mrekulli gjuhën, i harmonizoi mirë lëvizjet gjymtyrore e trupore me kërkesat e koreografisë. Muzika e fuqizoi dhe e përshpirtëroi tekstin e deklamuar. Skena e përshtatur me profesionalizëm iu plasua shqisës së të parit – syrit dhe kjo shqisë me lehtësi e shkarkonte panoramën e lojës dramatike në të gjitha shqisat e tjera. Një realizim dramatik sa avancues për kohën, si tekst, aq i paharrueshëm si inskenim, me kthesën që pruri në këtë zhanër artistik kombinatorik me artet e tjera.