Në 74-vjetorin e 'Rilindjes' gazetarët e saj shpalosin kujtimet

Kultura February 13, 2019 - 10:09
Image

 

Gazeta emblematike e Kosovës “Rilindja” nisi të dalë para 74 vjetëve, më 12 shkurt, falë angazhimit të intelektualëve më të shquar të asaj kohe. Njëra prej qëllimeve të saj ishte mësimi i shkronjave shqipe, i shkrimit e i leximit në atë kohë kur analfabetizmi ishte më i theksuar.Në përvjetorin e 74-të të daljes në shtyp për gazetën “Zëri” disa ish-punëtorë të “Rilindjes” shpalosin kujtime nga ajo kohë.

Esad Dujaka, gazetar i “Rilindjes”, ka thënë se ajo ishte një kronikë e kohës, pra e shqiptarëve të Kosovës. Sipas tij, ajo ishte edhe gazetë, edhe libër “Abetare”, si edhe udhërrëfyese. “Po, e vërtetë se ishte gazetë e sistemit, por në të ka punuar ajka e inteligjencës shqiptare të Kosovës dhe se me maturinë, me pjekurinë e me mençurinë e tyre kemi ecur thuajse mbi fusha të minuara, duke shprehur edhe dëshirat, vullnetin, por edhe punën që bënte ky popull nën një regjim të huaj”, vlerëson gazetari i “Rilindjes”, Dujaka. Ai thotë se asokohe i kanë besuar “Rilindjes”, sepse kishte atë privilegj duke qenë e vetmja. E sipas Dujakës sot është një kohë tjetër dhe se gazetat dhe mjetet e tjera informative, veçmas portalet dhe gazetarët, punojnë në kushte krejt tjera. “Medie që anojnë nga strukturat politike, medie që u dalin telashe nëse kanë mëvetësi dhe prekin tema të nxehta, që mund të prishin raporte ndërmjet shefave, botuesit e liderëve të shtetit ose të politikës. Ajo e vjetra e kohës sonë ‘shtatë herë vërtetoje e një herë shkruaje’ duket shpesh se nuk po respektohet, sidomos kjo po vërehet te disa portale, të cilat nga dëshira për sa më shumë klikime fatkeqësisht që me të dyja këmbët po e shkelin etikën e gazetarisë profesionale e kjo duhet korrigjuar”, shprehet Dujaka.

Në mesin e kujtimeve Dujaka ka thënë se ka pasur shumë momente kritike, por që dy herë e ka ndier veten keq edhe atë në 5 gushtin e vitit 1990, një muaj pasi regjimi serb mbylli RTP-në. Forca të mëdha policore erdhën në Pallatin e Shtypit dhe i kishin urdhëruar ta lëshojnë ndërtesën, pra koha kur kanë dalë me zemër të vrarë nga Pallati i Shtypit. Dhe e dyta, që sipas tij ka qenë edhe më e rëndë, është momenti kur njëri nga komandantët e luftës, ish-gazetar i “Rilindjes”, me allti në brez u është drejtuar kolegëve më të moshuarve duke u thënë: “Ju komunistët nuk keni vend në Rilindje”. “Kësaj po ia shtoj edhe vitin 2009 kur nuk e patëm më në dorë gazetën ‘Rilindja’, jo me fajin tonë, por me fajin e pushtetit ‘demokratik’ të Kosovës që edhe kështu fatkeqësisht mendonte të bëhej shtet i civilizuar dhe evropian. Dhe krejt në fund, të gjitha njësitë federale të ish-Jugosllavisë në një mënyrë ose një tjetër i kanë ruajtur gazetat e tyre ditore qoftë si të shtypura ose si portale, sepse kështu ruhet edhe një pjesë e historisë së një populli, kurse ne u treguam më të pakujdesshëm”, thotë Dujaka.

Në anën tjetër edhe Binak Kelmendi, po ashtu gazetar i “Rilindjes”, e vlerëson gazetën “Rilindja” si atdhetare e popullit të Kosovës. Ai ka thënë se me të ka filluar edhe emancipimi kulturor, politik e kombëtar, njëherësh duke e vlerësuar si një udhërrëfyes të jashtëzakonshëm në rrugën kombëtare, ekonomike të popullit shqiptar në Ish-Jugosllavi.  “Tani gazetaria sikur është në rënie për shkak të pushtimit të madh të internetit, për shkak të leximit kryesisht online të lajmeve, lexues ka, por nuk ka besnikë të gazetës së shtypur siç kishte në atë kohë”, ka vlerësuar Binaku. Për të 22 shkurti i vitit 1999 ishte kujtim i veçantë. Atë ditë “Rilindja” në kushte të dhunshme ka punuar dhe ka botuar diku rreth tridhjetë numra, në të cilat ishin paraqitur ngjarjet e atëhershme në Kosovë nën pushtimin serb. “Kujtimi më i mirë dhe kujtimi me të cilin mburrem edhe sot është përgatitja e ‘Rilindjes’ gjatë luftës, koha kur kishte djem dhe vajza të cilët shkruanin fshehtas nëpër shtëpi private dhe kurrë nuk e kursenin veten për lajmin e vërtetë”, përfundon Kelmendi fjalën e tij.

Edhe Nehat Islami ka vlerësuar se “Rilindja” ka qenë mësuese për shumë gjenerata të gazetarëve dhe intelektualëve. Islami thekson se atëherë gazetaria është zhvilluar përmes gazetarëve profesionistë, ndërsa sot me zhvillimin e teknologjisë gazetar është edhe qytetari i thjeshtë, që gjendet në vendin e ngjarjes, por sipas tij kjo nuk do të thotë se ata edhe e njohin zanatin e gazetarisë e i njohin rregullat e etikës. “Solidariteti i gazetarëve në kohëra më të vështira, koha kur jemi munduar që në atë terror të regjimit serb të Millosheviqit ta themi të vërtetën me mjaft rreziqe, koha kur shumë gazetarë janë burgosur për një artikull ose mendim të shprehur, koha kur kemi punuar edhe pa rroga, është kujtimi që e veçoj dhe po në këtë kohë na ka mbajtur vullneti që ta mbrojmë profesionin dhe ta japim lajmin. Atëherë lufta për lajmin ka qenë më e vështirë dhe më e dhimbshme, sot gazetarët kanë më tepër mundësi dhe kushte ta zhvillojnë profesionin”, përfundon fjalën e tij gazetari i “Rilindjes”.

Në anën tjetër kryeredaktori i fundit i gazetës “Rilindja”, Behlul Jashari, përmes një njoftimi për medie me rastin e 74-vjetorit ka deklaruar se deri në ditën e fundit “Rilindja” ka bërë raportime të dinjitetshme. “Gazeta ‘Rilindja’, kryeredaktor i së cilës isha në kohën e dëbimit nga UNMIK-u e deri në numrin e fundit, pas datës 21 shkurt 2002 deri kur doli përditë, doli me numra të jashtëzakonshëm, të kohëpaskohshëm e protestues, duke e bërë gazetën tradicionale dhe histori të Kosovës që nga koha e rreth një viti pas Konferencës së Bujanit, e nisur në 31 dhjetor 1943 dhe e përfunduar në 2 janar 1944, deri në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurtin historik 2008 e njohjet ndërkombëtare”, ka thënë ndër të tjera Jashari.

Vlen të theksohet se numri i parë i gazetës “Rilindja”, që kishte katër faqe, u radhit me dorë për rreth 72 orë dhe për këtë u deshën katër arka shkronja shqipe të derdhura në plumb, që u sollën nga Tirana. Zëri