Me triumfin në “Grammy” Dua Lipa bën histori

Kultura February 12, 2019 - 09:45
Lexo më shumë detaje

Këngëtarja Dua Lipa është bërë shqiptarja e parë në botë që është shpërblyer me çmim prestigjioz “Grammy”. Në fakt ajo ka fituar dy sosh të dielën mbrëma. Prishtinasja, që po ndërton karrierën në Britani të Madhe e në SHBA, ka fituar çmimin për “Artisten e Re më të Mirë”, si dhe atë për “Këngën më të Mirë për Zhanrin Dance”, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Njëzetetrevjeçarja u pa jashtëzakonisht e emocionuar kur e pranoi çmimin për “Artisten e Re më të Mirë”, njëri nga katër shpërblimet më të mëdha të natës. Pasi e mori këtë çmim Lipa pothuajse e përlotur tha se nuk di nga t’ia nisë fjalimin e saj. Dua inkurajoi të gjithë që të mos e shohin prejardhjen ose ndonjë element tjetër si pengesë kur duan të ecin më tutje në rrugën e tyre drejt suksesit.

“Dua ta nis duke thënë se jam shumë e nderuar që jam nominuar mes kaq shumë artisteve të mrekullueshme këtë vit, besoj se këtë vit kemi ecur përpara”, ka thënë ajo, duke thumbuar kështu presidentin e “Grammy”-s Neil Portnow për deklaratën e tij të vitit të kaluar. Ajo ka falënderuar adhuruesit, familjen dhe ekipin e saj për gjithë mbështetjen që i kanë dhënë. “Dua të falënderoj shumë fansat e mi që më kanë lejuar të jem versioni më i mirë i vetes sime. Ju dua shumë. Dua të falënderoj ekipin tim që kanë qenë krah meje, që kanë punuar shumë pa u lodhur asnjëherë dhe duke qenë gjithmonë afër meje. Dua të falënderoj edhe familjen time që janë këtu sonte me mua. O Zot, jam shumë e nervozuar, e emocionuar dhe mirënjohëse”, është shprehur e përlotur Dua.

Vajza me prejardhje nga Kosova ka motivuar të gjithë ata që kanë një histori ndryshe se nuk duhet të heqin dorë nga ëndrrat e tyre. “Dua të them se secili që nuk e ka kuptuar ende sa i veçantë është, që ka një histori tjetër, një prejardhje tjetër, duhet ta dini që pavarësisht nga jeni, çfarë prejardhje keni ose në çka besoni, mos e lini një gjë të tillë t’ju ndalojë t’i jetoni ëndrrat tuaja, sepse ju e meritoni një gjë të tillë. Unë jam një shembull që tregon se mund të bëni çdo që gjë e mendoni, faleminderit shumë”, ka përfunduar kështu ajo.

Si arritje të pakontestueshme triumfin e Lipës në moshë kaq të re në “Grammy”-s e kanë konsideruar edhe mediet botërore. Ata kanë theksuar faktin se si Dua në fjalimin e vet, por edhe më tutje ka vënë theksin te rëndësia e prezantimit të sa më shumë artisteve të reja femra në industrinë muzikore. “Duke qenë në ‘Kategorinë e Artistit të Ri’ dhe duke pasur shumë artiste femra të nominuara, është një ndryshim i madh dhe është një ndryshim që ne duam të shohim për shumë vite që do të vijë. Ndihem mirë, sepse kishte kaq shumë artiste atje që unë  i dua dhe i admiroj”, citohet të këtë thënë prapa skenës Dua Lipa për mediumin prestigjioz britanik CNN, shkruan më tutje Gazeta "Zëri". 

Me gëzim dhe si një sukses që e afirmon edhe Kosovën është pritur fitorja e Lipës në “Grammy” edhe te ne, prej nga Dua e ka familjen e ku e ka kaluar një pjesë të jetës. Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairí O’Connell, e ka uruar këngëtaren Lipa përmes rrjetin social “Facebook”, duke e cilësuar si krenari të dy shteteve. “Urime Dua Lipa, krenaria e dy shteteve”, ka shkruar O'Connell.

Edhe ish-ambasadori i Kosovës në Britani të Madhe, Lirim Greiçevci, e ka uruar Dua Lipën për suksesin e arritur. “Fjalët janë të tepërta për ta përshkruar ngritjen meteorike të vajzës sonë, Dua. Më kujtohet korriku i vitit 2015, ceremonia e dekorimit të Rita Orës si ambasadore nderi e Kosovës në Ambasadën në Londër. Aty kisha ftuar shumë personalitete të shquara, në mesin e tyre edhe Duan, por ajo në atë kohë ishte tek në fillet e para të karrierës muzikore dhe prania e saj nuk qe vërejtur edhe aq shumë në sallë. Prej atëherë kanë kaluar jo më shumë se tre vjet e gjysmë dhe shih çfarë suksesi në nivel botëror ka arritur Dua! Është gjë e mahnitshme! Të fitosh ‘Grammy’ për muzikë është pothuajse njësoj si të fitosh ‘Oscar’ për film. Faleminderit Dua, faleminderit familje e mrekullueshme e Duas për këtë dhuratë kaq të çmueshme për të gjithë ne”, ka shkruar ai.

Rikujtojmë se njëra nga ngjarjet kulturore më të mëdha vitin që lamë pas ishte festivali “Sunny Hill Festival”, i ideuar nga këngëtarja prishtinase me famë botërore, Dua Lipa. Ky festival, që në edicionin e parë mblodhi në Kosovë disa artistë më famë botërore dhe artistë të mirënjohur shqiptarë, do të kthehet në vitin 2019 me edicionin e dytë. /ZERI