Komuna e Prishtinës hesht për sallën koncertale

Kultura February 06, 2019 - 10:06
Lexo më shumë detaje

 

Image

Pas zhvillimit të një debati për finalizimin e projektit për ndërtimin e një salle koncertale në Prishtinë, Komuna e Prishtinës akoma nuk ka ofruar një lokacion për sallën në fjalë.

I pari i kryeqytetit u pat takuar me kryeministrin Haradinaj në janar të vitit 2018 dhe u patën dakorduar që Administrata Tatimore e Kosovës, e cila është në qendër të Prishtinës, të zhvendoset dhe objekti i saj të shfrytëzohet si sallë koncertale ose si pallat i operës. Më vonë u pa si mundësi edhe rrënimi i këtij objekti që dikur shërbente si shtëpia e mallrave “Gërmia”, në mënyrë që aty të ndërtohej një objekt i ri. “U dakorduam për krijimin e një task force për zhvendosjen e një pjese të administratës shtetërore në periferi të qytetit, duke filluar nga largimi i ATK-së, ashtu që atë objekt ta shfrytëzojmë si sallë koncertale ose si pallat të operës”, pati njoftuar Shpend Ahmeti.

Komuna e Prishtinës planifikon që këtë sallë ta ndërtojë me një fond, të cilin synon ta fitojë në Komisionin Evropian, teksa ky i fundit i ka kërkuar KP-së një lokacion në qendër të qytetit ku do të ndërtohej salla si kusht për financim.

Kurse muaj pas këtij zotimi zyrtarë të Komisionit Evropian për gazetën “Zëri” kanë thënë se ka gatishmëri që përmes IPA-së të përkrahet ndërtimi i një salle koncertale në Prishtinë, porse ata ende po presin një konfirmim nga Komuna e Prishtinës se kjo e fundit disponon një tokë të përshtatshme pa ndonjë kufizim ligjor. “Sa i përket ndërtimit të sallës së koncerteve në Prishtinë, ky projekt është ende në fazën e identifikimit. Zyra e Bashkimit Evropian ka informuar tashmë institucionet e Kosovës për disponueshmërinë tonë të mundshme në mbështetjen e ndërtimit të sallës së koncerteve në Prishtinë nën financimin e IPA-së. Për të përfunduar pozitivisht identifikimin paraprak është e domosdoshme të konstatohet se është e disponueshme një tokë e përshtatshme, pra pa ndonjë kufizim ligjor dhe teknik ose pengesë. Komisioni Evropian ende është duke pritur për një konfirmim të tillë”, kanë thënë nga KE-ja.

Besa Luzha, pjesë e grupit punues për ndërtimin e kësaj salle, është shprehur duke thënë se grupi punues ka përfunduar punën në atë kohë kur janë identifikuar disa lokacione dhe Komuna bashkë me BE-në kanë parapëlqyer si lokacion më të përshtatshëm lokacionin ku tash është objekti i ATK-së. “Debati që ndodhi ka shkaktuar pak vonesë në procedura, sepse kishte zëra të ndryshëm pro dhe kundër lokacionit të identifikuar dhe pastaj edhe debati që nëse shkojmë me atë lokacion, si t’i qasemi objektit ekzistues, të rrënohet plotësisht, të ndërtohet mbi të, të ruhet pjesërisht etj.

Këto vendime tash i marrin BE-ja dhe Komuna me grupet e ekspertëve në të cilat komuniteti i artistëve më nuk përfshihet, sepse janë çështje arkitektësh, planerësh e ekspertësh të urbanizmit”, u shpreh Luzha për “Zërin”.

Ajo ka thënë se beson që se shpejti kjo pjesë e grupit punues do të dalë me komunikimin se ku kanë arritur punët dhe a kanë përgatitur kushtet e referencës për konkursin ndërkombëtar që do të hapet.

Javë më parë Yll Rugova, ish-drejtor i Kulturës në Komunën e Prishtinës, si dhe ish-kryetar i Bordit të Rrjetit të Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës, pati deklaruar se prejse ka dhënë dorëheqje nuk ka pasur më kontakt dhe nuk është i informuar për situatën e tanishme. “Duke qenë se Drejtoria ka mbetur ende pa drejtor të ri, dyshoj të ketë lëvizur diçka. Ky projekt ka kërkuar angazhim të madh dhe të vazhdueshëm që kjo sallë të financohet nga BE-ja”, deklaroi Rugova. Ai ka vlerësuar se lokacioni më i përshtatshëm për sallën ndodhet te Kampusi Universitar përballë Katedrales katolike. “Mund të ju them se për këtë lokacion është pajtuar edhe BE-ja. Andaj është për t’u çuditur pse është insistuar për ndërtesën e ish-‘Gërmisë’. Sidoqoftë, shpresoj shumë të punohet në realizimin e këtij projekti. Besoj se duhet edhe presioni i opinionit që ky projekt i nisur të mos neglizhohet nga Komuna”, ka thënë ai.

Kryeqyteti i Kosovës ende nuk ka një sallë koncertale që do të ishte në shërbim të institucioneve e që njëherësh do të ishte në adresë edhe për artdashësit. Në këtë mënyrë koncertet vazhdojnë të mbahen në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, në Katedrale, nëpër kisha e në salla të tjera të improvizuara.

Rikujtojmë se Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit e ka futur më 11 tetor të 2018-ës objektin e ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia” në listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme, derisa Komuna e Prishtinës e shihte si opsion rrënimin e këtij objekti dhe ndërtimin aty të sallës koncertale, të cilën artistët insistojnë ta kenë tash e disa vjet.

Rikujtojmë se Komisioni Evropian ka shfaqur interesim për t’i investuar 15.4 milionë euro me kushtin që salla të jetë në një lokacion qendror.