“E bukura fillon me ne”, ekspozita që thyen paragjykimet

Kultura January 22, 2019 - 09:55
Lexo më shumë detaje
Image

 Natalya Apostolova, përfaqësuesja e BE-së në Kosovë, së bashku me Elvana Shalën, Ambasadore e Vullnetit të Mirë, të hënën hapën ekspozitën ‘E Bukura fillon me ne” në  zyrat e EUICC në Prishtinë. Ekspozitë kjo përbëhet nga fotografi të realizuara gjatë ngjarjes së modës për persona me nevoja të veçanta të mbajtur javë më parë.

Apostolova ka hapur këtë ekspozitë duke thënë se të gjithë këta fëmijë janë të bukur dhe meritojnë të trajtohen të barabartë. “Të gjithë këta persona që janë në fotografitë e ekspozitës janë të bukur. Secili ka bukurinë e tij dhe meritojnë të trajtohen të barabartë”, tha ajo.

Në anën tjetër ambasadorja Elvana Shala, për të pranishmit ka thënë se këto fotografi janë dëshmia më e mirë se personat me nevoja të veçanta, janë të inkuadruar në mënyrë të barabartë në shoqërinë tonë. Shala bëri të ditur se ideja dhe dëshira ka qenë e zonjës Apostolova, në mënyrë që fotografitë e tilla të ekspozohen në një ambient  më të hapur dhe njerëzit të njoftohen më shumë me ta dhe të kenë mundësinë ti shohin videot e xhiruara gjatë ngjarjes. Fotografitë dhe videot do të jenë në dispozicion të publikut për 15 ditë.Shala theksoi se përmes ekspozitës, i gjithë publiku njoftohet më tepër se si ka rrjedhur e gjithë ngjarja.

 “Do të organizohen evenimente të tilla dhe në vazhdim edhe pse i kësaj natyre ky ishte organizimi i parë, por do të vazhdojmë për të mos mbetur me kaq. Do të mundohemi që fokusin kryesor të e kemi te këta persona, të e këmi mbështetjen më të madhe për ta sepse kanë nevojë”, ka thënë Shala, duke potencuar se para ekspozitës kanë zhvilluar dhe  një diskutim, për barazinë gjinore dhe inkuadrimin e këtyre personave. E pyetur nga “Zëri” se sa po përkrahet një ide dhe një nismë e tillë, Shala tha se janë të kënaqur me reagimet që kanë marrë.

“Natyrisht sic po shihet, vërehet interesimi njerëzve dhe kjo është për tu përshëndetur, dhe është e kënaqshme. Secili person që vjen me i pa fotot do të sheh skena nga spektakli, fotot janë statike, nuk preken prej momentit që janë vendosur”, theksoi ajo.

Për gazetën “Zëri”, Elvana tregoi se ky është bashkëpunimi i parë me zyrat e BE-së dhe në cilësinë e ambasadores së vullnetit të mirë, cdo vit sjell nga një projekt, për një kategori e cila është e margjinalizuar në shoqërinë tonë.

“Vitin e kaluar vendosa që t’i kushtoj rëndësi personave me nevoja të veçanta. Më pas pasoi edhe kjo ekspozitë, natyrisht që do të ketë bashkëpunime të tjera, që të inkuadrohen më mënyrën më të mirë, personat e vecantë në shoqëri”, është shprehur ambasadorja. Ajo shpjegoi se nga rezultatet e tryezës, kanë pasur një sugjerim nga Rrjeti i grave të Kosovës që të punojë për respektimin dhe të drejtat e këtyre personave, natyrisht me monitorimin e ligjit që dalin nga Kuvendi i Kosovës. Duke ditur se ligji për personat me aftësi të veçanta ekziston, por që duhet të ketë ndikim të nevojshëm.

 

“Duhet të theksojë se misioni im nuk ka të bëjë vetëm me zgjidhjen e problemeve të personave me aftësi të veçanta, përndryshe merrem me secilën kategori të grupeve të margjinalizuara në Kosovë. Sfida ka pasur shumë por ne kemi punuar gjatë gjithë kohës, dhe është arritur një thyerje e paragjykimeve, në fushën e modës. Suksesi është vetprezenca e njerëzve”, përfundoi fjalën e saj Shala.

 

Elvana Shala, ambasadore e vullnetit të mirë në Kosovë tha se njerëzit me nevoja të veçanta duhet të jenë më këmbëngulës në realizimin e qëllimeve të tyre.  “Në Kosovë mungon edhe vetëdija qytetare, personat me nevoja të veçanta nuk duhet të fshihen në shtëpi por të përkrahen në punësim, arsim etj. Vetëm Kuvendi Kosovës ka arritur deri diku ta plotësoj kuoten e punësimit të nevoja të veçanta. Do të duhej një mbikëqyrje në institucione për zbatim të punësimit në institucione”, ka thënë ambasadorja.

Ekspozita “E bukura fillon me ne”është hapur zyrtarisht më 21 janar dhe do të jetë e hapur deri me datë 10 shkurt.