“Anibar”-i organizon punëtorinë “Kuzhina tradicionale e Kosovës – Hyrje në një kulturë”

Kultura January 17, 2019 - 11:53
Lexo më shumë detaje

Festivali ndërkombëtar i filmit të animuar “Anibar” ka hapur thirrjen për pjesëmarrës në punëtorinë e animacionit “Kuzhina tradicionale e Kosovës – Hyrje në një kulturë”.

“‘Anibar’-i ju fton nëse keni interesim për animacion, kulturë dhe ushqimin tradicional, atëherë bashkohuni në punëtorinë pesëditore në kinemanë ‘Jusuf Gërvalla’. Kjo punëtori organizohet në kuadër të projektit të ‘Anibar’-it ‘Promovimi i trashëgimisë kulturore dhe ngritja e dialogut ndërmjet komuniteteve’, i cili projekt është i mbështetur nga ‘UNDP Kosovo’. Kuzhina është një pjesë e rëndësishme e çdo identiteti kulturor.

Kuzhina tradicionale, ndryshe nga pjesët e tjera të një identiteti kulturor, është gjithmonë e pranishme. Individët brenda një shoqërie hanë ushqim vendor pothuajse çdo ditë, për ngjarje kulturore dhe festa, si dhe në kremtimet familjare. Kuzhina shërben gjithashtu si një hyrje në një kulturë, zakonisht duke qenë një përvojë e parë e të huajve me një kulturë dhe eksportohet lehtë në vendet e tyre.

Nëpërmjet krijimit të një filmi të animuar gjatë punëtorisë ‘Anibar’-i do të krijojë një retrospektivë të detajuar të traditës unike të kuzhinës së Kosovës dhe trashëgiminë multikulturore në krijimin e kësaj tradite. Ky program mbështetet nga UNDP-ja dhe është pjesë e projektit të ‘Anibar’-it ‘Promovimi i trashëgimisë kulturore edhe ngritja e dialogut ndërmjet komuniteteve’”, thuhet në njoftimin e “Anibar”-it.

Duke inkurajuar të gjithë të interesuarit e moshës 16-30 të aplikojnë më së largu deri më 20 janar, “Anibar”-i bën të ditur se për pjesëmarrësit që do të shkojnë nga vendet e tjera në Pejë do të sigurohet edhe akomodimi.

Punëtoria do të fillojë më 25 janar dhe do të zgjasë deri më 29 janar. “Anibar”-i është formuar nga një grup i të rinjve dhe i artistëve të cilët kanë dëshmuar entuziazmin dhe vizionin e tyre për të promovuar kulturën e filmit të animuar në pesë edicionet e fundit të festivalit, gjithashtu duke demonstruar kapacitetet e zhvilluara për të organizuar ngjarje të mëdha.

“Anibar”-i ka investuar në kapacitetin e zhvillimit të rinisë dhe të fëmijëve nëpërmjet trajnimeve, punëtorive, debateve dhe aktiviteteve të tjera, që u mundëson të gjithë artistëve ballkanikë të rrisin dukshmërinë e tyre në tregjet ndërkombëtare.