Kadare me 1300 botime në 45 gjuhë

Kultura January 16, 2019 - 10:09
Lexo më shumë detaje

Ismail Kadare, njëri ndër shkrimtarët më të vlerësuar në rangun kombëtar, por edhe botëror, së fundi është studiuar nga studiuesi Bashkim Kuçuku i cili ka sjellë në një libër botimet e shkrimtarit Ismail Kadare në gjuhë të tjera.

Studim ky që nxjerr në pah të dhëna interesante, ku prej tyre mësohet se veprat e Kadaresë janë përkthyer në 45 gjuhë të huaja. Sipas të dhënave, 378 botime janë në shqip dhe 923 prej tyre në 45 gjuhë të huaja.

Siç shpjegohet, funksioni kryesor i veprave të tij thuhet se prej vitesh nuk është më në hapësirën kulturore e gjuhësore letrare shqipe, por në kultura e gjuhë të tjera. Funksioni  kryesor është ai gjithësor-universal, shkruhet në gazetat shqiptare. E që sipas studiuesve nëpërmjet tij letërsia shqipe ka fituar një funksion të ri, që historikisht nuk e ka pasur. Me librat studimorë, në shtatë gjuhë, është shndërruar në dukuri letrare evropiane.

Studimet e bëra nga Kuçuku japin rezultatin se përplotësimi i tretë i “Kadare në gjuhët e botës” ka qenë mjaft befasues. Nga 637 botime në 35 gjuhë janë njëjtësuar 664 të tjera, gjithsej 1301 botime në 45 gjuhë, ose dyfishi i tyre.

Nga 23 vepra kritike e studimore, 8 në frëngjisht, 1 holandisht, 1 në spanjisht, 13 në shqip, që kishte botimi paraardhës, i tanishmi ka 68 me përzgjedhje, 16 në frëngjisht, 8 në italisht, 6 në anglisht, 2 në gjermanisht, 1 në holandisht, 3 në spanjisht, 32 në shqip. Sipas Kuçukut burimet janë tri: a) Botimet dhe ribotimet e reja në gjuhët “e pushtuara” më parë; b) Botimet dhe ribotimet e mëparshme, të cilët nuk kishim mundur t’i njëjtësonim deri atëherë; c) Botimet në gjuhë të tjera, “të pushtuara” rishtas.

Në vitet 2000-2005-2015 kanë marrë përparësi botimet dhe ribotimet në anglisht, përkatësisht në Britani të Madhe, në Angli, në Skoci, në SHBA, në Kanada e në Australi, ku kanë dalë mbi 70 tituj, më shumë se gjysma ose më shumë se në 35 vjetët e kaluara. Siç cilësohet, kjo ka qenë stina anglo-amerikane e veprës së Ismail Kadaresë. Denduri botimesh ka pasur në italisht, spanjisht e portugalisht.

Ritmika e përshpejtuar e tyre ka ndryshuar edhe shkallaren e gjuhëve në të cilat është përkthyer. Italishtja, që ishte e nënta, është ngjitur e katërta, spanjishtja nga e teta e gjashta, portugalishtja nga e nënta e shtata.

Të dhënat krahasuese që janë bërë nga Kuçuku tregojnë se funksioni kryesor prej vitesh është në kultura e gjuhë të tjera, thënë ndryshe funksioni kryesor i saj është ai gjithësor/universal. Edhe me librat studimorë, në shtatë gjuhë, është shndërruar në dukuri letrare evropiane.

Kuçuku njihet si kritik letrar e studiues, redaktor në gazetën letrare “Drita”, kryeredaktor i gazetës “Çamëria – vatra amtare”, kryeredaktor i revistës “Universi Shqiptar i Librit”, është profesor i letërsisë shqipe në Universitetin e Tiranës.

Kuçuku ka botuar dhjetëra artikuj e studime në revista shkencore e letrare në shqip, si dhe në gjuhë të huaja. D.E