Piktorja Kelmendi hap ekspozitën personale në Romë

Kultura January 16, 2019 - 10:02
Lexo më shumë detaje

Të mërkurën e 16 janarit në Romë të Italisë do të hapet ekspozita “Coesistenza” e piktores Majlinda Kelmendi. Muzeu i Laboratorit të Artit Bashkëkohor (MLAC) në universitetin “Sapienza” është vendi ku do të mbahet ekspozita, e cila hapet nga ora 17:00. Në ekspozitë do të prezantohen punimet më të reja të krijuara në dy vjetët e fundit të piktores Kelmendi.

Në profilin e saj në “Facebook” Kelmendi bënë të ditur se përveç saj në hapje të ekspozitës do të marrin pjesë edhe presidenti i fondacionit “Sapienza” në Romë, Antonello Folco Biagini, po ashtu edhe drejtori i MLAC-ut, Claudio Zambianchi. Kjo ngjarje është në patronazh të Ambasadës së Kosovës në Itali, të fondacionit “Sapienza” në Romë dhe të universitetit “Sapienza” të Romës, kurse Kelmendi në “Sapienza” prezantohet edhe si pedagoge e Degës së Artit Konceptual dhe Medieve të Reja në Fakultetin e Arteve.

Kelmendi si artiste është vlerësuar ndërkombëtarisht dhe që nga viti 2000 është profesoreshë në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin e Arteve, Departamenti i Artit Konceptual dhe Medieve të Reja. Majlinda Kelmendi është gjithashtu themeluese e galerisë “ExpoArt40” dhe drejtore artistike nga viti 2008 e këtej në projektin multimedial internacional “Net-Rrjet”. Studimet i përfundoi në Akademinë e Arteve të Bukura, Tiranë, kurse ato pasuniversitare në Prishtinë.