Zëri i Riza Bytyqit mban gjallë edhe sot muzikën qytetare

Kultura December 29, 2018 - 10:38
Lexo tjera detaje
Image

Për shumë dekada muzika qytetare ka dominuar në tregun shqiptar dhe akoma garniturë e argëtimit konsiderohen të jenë këngët e këtij zhanri muzikor. Njëri ndër përfaqësuesit kosovarë të kësaj muzike ndër kohëra dëshmohet se është këngëtari Riza Bytyqi. “Rreth e rreth bahçes ju solla t’uj mendu”, është kënga e parë që në moshën 6-vjeçare është kënduar nga simboli i muzikës qytetare, Riza Bytyqi. Ky pasion për këndim vazhdohet me paraqitjet e para në programet shkollore të shkollës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, që nxënësit e atyre viteve ishin familjarizuar me muzikën e Bytyqit dhe sipas tyre kujtimet që lidhen me shkollën mbajnë emrin Riza Bytyqi, shkruan Gazeta "Zëri".

Bytyqi, ky mjeshtër i muzikës që njeh më shumë se 1.000 mijë këngë shqiptare, paraqitjen e parë serioze të rangut profesional e ka zhvilluar në vitin e 67-të, kur me shoqërinë kulturore artistike “Bajram Curri” u shfaq në koncertin e Shkollës së Mesme Normale. Shoqatë kjo të cilën Riza Bytyqi me shokë e kishin themeluar dhe pagëzuar me këtë emër dhe që sot pjesë e repertuarit që ai këndon janë disa këngë që i dedikohen Bajram Currit. Duke u kthyer në retrospektivë dhe duke rrëfyer për gazetën “Zëri” kujtime nga hapat e parë të karrierës, Bytyqi tregoi se sa i rëndësishëm ishte ky koncert, duke e cilësuar si të parin dhe më të ngrohtin. “Në këtë koncert kënduam këngët ‘Dedë Gjo Lulin’, duetin ‘Ma ke gishtin për unazë’ dhe shumë këngë të tjera që publiku i mirëpriti aq shumë, saqë u bë arsyeja e zhvillimit të karrierës së muzikës”, tregon Bytyqi, duke kujtuar pritjen e ngrohtë që ia kishte bërë publiku. Ky fakt jo vetëm që i kishte hapur rrugët e muzikës, por sipas Bytyqit ka ndikuar që ai të bëhet pjesë e asaj shkolle që kishte atëkohë vlera dhe njihej si shkollë shumë e madhe me 1000 nxënës. Ky ambient ka bërë që këngëtari të bëhet pjesë e shkollës dhe pjesë e ambientit ku zhvillohej çdo ditë dhe praktikonte atë që shumë e donte, këndimin. Pjesë e kujtimeve të Bytyqit ishte se kjo shkollë i ofronte dy kënaqësi, këndimin dhe mësimin. Babai i tij nuk ishte këngëtar, por që muzikën ia mësoi duke ia blerë Rizaut një çifteli, me të cilën kishte arritur që të këndonte shumë këngë e që për të ky kishte qenë hapi i parë i ushtrimit të këndimit profesional. “Dikur në moshën 10-vjeçare baba më kishte blerë një çifteli dhe unë fillova ta ushtroja atë së bashku me këndimin. Në klasën e pestë me arsimtarin Junuz Zeqa filluam të ushtronim bashkë, ai me mandolinë e unë me kitarë. Filluam të zhvillonim diçka që për mua ishte interesante dhe ofronte kënaqësi”, kujton Bytyqi. Në mungesë të videoincizimeve lindi dilema se pse nuk ka bërë edhe më shumë promovim, që do të mbesin më gjatë në historinë e muzikës.

Riza Bytyqi thotë se ka zhvilluar aq shumë incizime për televizione me shoqërinë “Bajram Curri”, pastaj me shoqërinë kulturore akademike të studentëve “Ramiz Sadiku”, me orkestrën e Radio Prishtinës, koncerte e festivale të ndryshme, pastaj pas viteve të ’99-ta ka bërë incizime orkestrale me ansamblin “Shota”, saqë nuk ndiente nevojën për videoincizime.

Përtej muzikës, Riza Bytyqi është jurist i diplomuar dhe ka zhvilluar punën edhe si punonjës në arsim, krahas muzikës me të cilën merret më shumë se gjysmë shekulli, kurse që nga viti 2003 është solist i rregullt i ansamblit “Shota”. Duke folur për gjendjen e muzikës qytetare sot, Riza Bytyqi thekson se përveç festivalit “Zambaku i Prizrenit”, që shënon më shumë se 30 edicione, nuk ka ndonjë festival tjetër për këngë qytetare. Sipas tij, kjo është pak e kënaqshme sa i përket promovimit të këtij zhanri me vlerë, që rrënjët i ka të moçme. Së fundi përpunimet e këngëve të vjetra po bëhen nga artistët e rinj, duke i shndërruar në zhanër tjetër, se a është degradim i muzikës qytetare ky veprim ose mund të konsiderohet vetëm si rikujtim, Riza Bytyqi thotë se: “Më mirë të përkujtohen kështu sesa fare”.

Bytyqi për “Zërin” rikujtoi dhe këngën më të bukur të jetës së tij, që e ka kënduar dhe vazhdon ta këndojë ndër vite dhe ndihet i plotësuar çdoherë që e këndon e ajo është “Dashuroj një topolake”, këngë që sjell kujtimet dhe e kompleton Bytyqin. “Këngët që kam interpretuar për herë të parë janë këngët që janë incizuar nga Akordet e Kosovës, festival që mbahej në Kosovë nga vitet e ’60 ta, ku në këtë festival tri herë jam shpërblyer me vendin e parë dhe me shumë çmime tjera”, është shprehur Bytyqi, duke cilësuar se ky festival ka qenë njëri ndër festivalet më të mëdha dhe më të rëndësishme, ku janë arritur të shkruhen këngë nga shumë tekstshkrues, sikur edhe tekste të poetëve të ndryshëm, po edhe të kompozitorëve më të mëdhenj të asaj kohe, ku njëherësh melodia dhe kënga kanë qenë të orkestruara për herë të parë.

Në mesin e repertuarit të gjerë Riza Bytyqi ka veçuar disa këngë, që sipas tij kanë pasur jehonë më të madhe e ato janë: “Hej çka m’ka gjet”, “Vijnë vaporat”, “Zemra ç’mu dogj”, “Ëndrrat tona të vjetra” etj.

Në nëntorin e këtij viti Ministria e Kulturës Riza Bytyqit i ka ndarë “Çmimin për Kultivimin dhe Prezantimin e Këngës Shqipe”. Bytyqi thotë se kjo mirënjohje e ka nderuar punën edhe kontributin e tij dhe i është mirënjohës kësaj ministrie që kohëve të fundit po shihen disa ndryshime në aspektin e kulturës, por që sipas tij ka ende shumë punë për t’i ndryshuar, duke kujtuar se në Prishtinë ka një mungesë të një salle të koncerteve, ku mund të këndohet dhe është një problem që duhet të zgjidhet, sepse Prishtina është kryeqytet, kurse vendet tjera provinca nuk e ndiejnë mungesën e një salle të koncerteve.

Riza Bytyqi, ky emër që argëton akoma të gjitha gjeneratat, muzikën nuk e ka lënë edhe sot kur ka mbushur të 60-at. Sipas tij, zëri është si vena, sa më shumë plaket, aq më shumë i shtohet shija./ZËRI