'Hyjneshat' e Arjetës promovojnë Kosovën

Kultura December 19, 2018 - 10:24
Image

Peizazhet, skulpturat e pikturat e Kosovës gjithmonë e kanë frymëzuar punën e hershme të Arjeta Miftarit, artistes nga Kosova. Javën e kaluar në qytetin e Parisit Ambasada e Kosovës në Francë ka organizuar ekspozitën me skulptura të hyjneshave nga skulptorja Miftari, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ky rrugëtim ka filluar prej vitit 2015 dhe pjesa e bukur e këtij rrugëtimi sipas skulptores është se “Hyjneshat” që ajo ka skulpturuar janë pjesë e artdashësve që i kanë blerë ato dhe paratë e fituara nga skulpturat do të shkojnë për familjet që kanë më së shumti nevojë. Përmes skulpturës Miftari ka arritur që të realizojë motivin dhe idenë që “Hyjneshat” ta prezantojnë trashëgiminë kulturore e të pasur të Kosovës. “Jam e lumtur që nga Parisi u ktheva vetë, nuk më është dashur të merrja asnjë skulpturë me vete. Të gjitha janë në duart e atyre që e duan këtë art e këtë trashëgimi kulturore”, ka thënë Miftari për gazetën “Zëri”.

 Ajo ka thënë se duke e ditur që “Hyjneshat” janë simboli më i rëndësishëm i artefakteve të Kosovës pikërisht prej kësaj është frymëzuar. “Ideja ka nisur që unë të rrugëtoj nëpër ambasada dhe ta bëj një lloj lobimi për vendin tim përmes këtyre skulpturave”, është shprehur Miftari. Miftari tregoi se ky rrugëtim ka filluar me Prishtinën, duke qenë pjesë e shumë festivaleve, pastaj duke e vazhduar rrugëtimin në Berlin dhe në Keln. E së fundi për ta përmbyllur me Parisin.

Image

Me fustan të bardhë, që simbolizon paqen, njerëzit dhe shtetin paqësor të Kosovës, me shall të verdhë e të kaltër artistja Miftari bashkë me “Hyjneshat” kanë dhënë edhe mesazhin estetik të ekspozitës, duke u ndërlidhur mes tradicionales dhe modernes. “Organizimin e ekspozitës e ka bërë Ambasada e Kosovës në Paris, ku tema kryesore kësaj radhe ka dalluar nga herët e tjera. Përveç rrugëtimit, ky ka qenë edhe një koncept për lobimin e Kosovës drejt UNESCO-s, ku përmes figurave të trashëgimisë kulturore, siç është edhe skulptura ‘Hyjnesha në fron”, të prezantohet njëra ndër gjërat më të vlefshme që ka Kosova”, u shpreh Miftari.

Miftari rrëfeu se sa është mirëpritur kjo ekspozitë. Ajo tregoi se ka pasur njerëz të rëndësishëm të institucioneve tona dhe të huaja që kanë ardhur dhe e kanë përcjellë ekspozitën e saj. “Ka pasur delegacione nga Kosova, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Xhavit Haliti ka mbledhur një delegacion nga vendi ynë që e ka nderuar ekspozitën time. Ka pasur dhe ambasadorë të shteteve të ndryshme dhe njerëz të rëndësishëm prej institucioneve të Parisit”, ka potencuar Miftari.

Po ashtu artistja thekson se ambasadori i Kosovës në Paris e ka mirëpritur një promovim të tillë që i bëhet shtetit. Sipas saj, ka qenë shumë interesante mënyra e prezantimit për ta, ku kishte qenë prezent një përfaqësues i Ministrisë së Kulturës së Parisit dhe pas ekspozitës i ka thënë se i ka pëlqyer mënyra sesi është lobuar për ta njohur këtë vend dhe kulturën e tij. “Përmes ‘Hyjneshës’ unë atë e lidhi me punën e trashëgimisë që e bëj çdo ditë. Kosova ka nevojë për njohje të reja, që t’i tregojë botës se ka artistë të mirë dhe kanë çka të promovojnë”, është shprehur Miftari, duke cilësuar që vetë fakti se një qytetar i Kosovës i njohur ose jo e ndan një minutë dhe e përgëzon është e veçantë. Miftari thotë se dhurata më e bukur që i ka bërë Kosova është përkrahja e pakusht nga njerëzit që kanë rrugëtuar me të dhe u kanë duartrokitur sukseseve të saja.

Arjeta rikujtoi edhe përshtypjen tjetër shumë të mirë e që sipas saj ka qenë koha kur ka takuar njerëzit me prejardhje shqiptare që kanë ardhur në ekspozitë të cilët jetojnë në Paris dhe kanë shkuar për të nderuar punën e saj. “Unë e kam përmbyllur këtë sesion, tash e tutje do të vazhdoj me galerinë. Vitin që vjen kam një ofertë prej Athinës dhe kam për të shikuar qendrat kryesore të artit që janë atje. Arsyeja pse do të merrem me pikturë është edhe shkaku i transportit, që po e kam shumë vështirë të rrugëtoj nëpër botë, sepse skulptura si mjet është e rëndë dhe transporti është shumë i shtrenjtë”, tha ajo.  

Artistja Miftari ka përfunduar Fakultetin për Pikturë, kurse që nga 2003-a ka filluar të merret me skulpturë. Sipas saj, duke parë rëndësinë e skulpturës dhe duke ditur që është punë shumë e vështirë dhe që pak njerëz mund të merren me këtë fushë, ajo ka filluar kontributin e saj në skulpturë, duke thënë se e ka ditur që një ditë do ta gjejë mënyrën më të mirë për t’i prezantuar ato. Miftari ka realizuar buste, shtatore të ndryshme dhe ka marrë pjesë në shumë ngjarje kulturore, duke përfshirë ekspozita dhe realizimin e plotë të veprave. Njëkohësisht ajo punon edhe me porosi. Për Arjetën ky vit ka shënuar një sukses dhe një ndjejnë të veçantë. Ngjarja që e ka befasuar artisten është kur pas fluturimit për në Paris ka kuptuar se i është ndarë çmimi “Poleart Pegasi” për vitin 2018, i cili do t’i dorëzohet artistes në kryeqytetin e Shqipërisë, në Festaniaden e Titujve Pegasianë. Zëri