Baleti i Kosovës mbyll vitin 2018 me 'O.TAKËN'

Kultura December 06, 2018 - 09:56
Image

 

Gjithçka është gati që këtë mbrëmje, me fillim nga ora 20:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës të prezantohet premiera e katërt për këtë vit e Trupës Kombëtare të Baletit. Shfaqja “O.TAKA” vjen para publikut nën koreografinë e balerinit Sinan Kajtazi, i cili po e sfidon për herë të parë veten në këtë rol, shkruan sot gazeta "Zëri".

Në konferencën për medie që i parapriu kësaj premiere Sinan Kajtazi para të pranishmëve tha se e ka intriguar gjithmonë historia e Osman Takës duke qenë vetë kërcimtar. Në këtë projekt që nisi Kajtazi kishte edhe një synim tjetër. Ai këtë shfaqje po e konsideron dhuratë për profesorin dhe drejtorin e Trupës Kombëtare të Baletit Ahmet Brahimaj, me rastin e 65-vjetorit të tij. Duke e vlerësuar kontributin që Brahimaj ka dhënë për baletin në Kosovë Kajtazi thotë se njerëzit sot çdo ditë e më shumë po e vendosin veten e tyre në radhë të parë e pastaj të tjerat gjëra. “Mendoj se njerëzimi sot është ku është falë njerëzve që kanë sakrifikuar veten për të tjerët. Për fat të keq i kemi rastet e rralla ku njerëzit e sakrifikojnë interesin personal në shërbim të interesit të përbashkët”, është shprehur Kajtazi, i cili e konsideron Brahimajn si njërin nga njerëzit që e ka mbajtur gjallë idealin e tyre. Personazhi kryesor i kësaj shfaqjeje, Osman Taka, është i njohur sidomos në Shqipëri. Thuhet se ai ka qenë një valltar i jashtëzakonshëm, i cili ka qenë i dënuar me vdekje nga Perandoria Otomane. Historia thotë se si dëshirë të fundit Osman Taka ka kërkuar të vallëzojë edhe një herë dhe se aq bukur ka vallëzuar në sheshin e varjes, saqë ia kanë falur dënimin.

Koreografi Kajtazi ka treguar se gjithë ideja e shfaqjes lidhet me historinë e Baletit të Kosovës dhe se ata si balerinë interesin personal e kanë vënë shpesh në plan të dytë. Sipas tij, ky art nuk është duke u vlerësuar sa duhet edhe pse me ta përfaqësohet edhe shteti i Kosovës. “Ky sukses nuk është duke u vlerësuar sa duhet nga njerëzit që e kanë për obligim ta vlerësojnë kulturën e Kosovës. Ky sukses ka ardhur prej dëshirës së secilit balerin për të bërë diçka bashkë. Baleti Kombëtar i Kosovës është institucion që na ka rritur neve dhe do të na prezantojë neve dhe kulturën e Kosovës”, ka thënë Kajtazi në konferencë për medie.

Përveç koreografisë së shfaqjes, Kajtazi e që është klarinetist i diplomuar, e ka përgatitur edhe muzikën e saj. Ai ka falënderuar veç e veç të gjithë ata që kanë kontribuar në shfaqje. Duke u bazuar në provat gjenerale, ai zotohet se mbrëmjen e sotme Baleti Kombëtar i Kosovës do të paraqitet në nivel jashtëzakonisht të mirë.

Kajtazi u shpreh se gjithmonë niset prej thënies së koreografit të famshëm shqiptar Anxhelin Prelocaj: “Shfaqjet e mia fillojnë jetën e vet pas shfaqjes së parë”, kështu që edhe pritjet e tij bazohen në performancën e balerinëve kolegë që asnjëherë nuk e kanë kursyer veten në çfarëdo shfaqjeje që kanë punuar. “Si balerin e ndiej veten shumë me fat që i përkas një trupe që përkundër kushteve shumë të rënda në të cilat punohet në atë podrumin poshtë ka arritur të tregohet një trupë e jashtëzakonshme”, ka theksuar ai.

Punën e kolegut të tyre e kanë vlerësuar edhe anëtarët e Trupës së Baletit. Balerini Sead Vuniqi tha se është bërë punë e mirë duke marrë parasysh se nuk është aspak e lehtë që një ngjarje reale të kthehet në shfaqje. “Kjo shfaqje është histori në vete, e cila njëkohësisht është shumë delikate për t’u transmetuar me anë të lëvizjeve. Të krijosh balet me këtë histori është diçka e veçantë”, ka thënë ai, duke shtuar se pavarësisht asaj që ka qenë një muaj shumë i angazhuar, çdo gjë ka shkuar në mënyrë të përkryer. “Provat kanë kaluar shumë mirë dhe na kanë bërë secilin të ndihemi shumë mirë dhe prej momentit që kanë filluar ato ne jemi duke e përjetuar çdo moment dhe gjithë ngjarjen që po mundohemi ta përcjellim te publiku”, ka thënë balerini Vuniqi.

Si rrëfim të veçantë subjektin e kësaj shfaqjeje e ka cilësuar edhe balerina Teuta Krasniqi, e cila tha se për Osman Takën për herë të parë ka dëgjuar nga kolegu i saj, Sinan Kajtazi.  “Nuk ka më mirë se ne si balerinë ta ndiejmë veten mirë kur vallëzojmë, me gjithë lëvizjet dhe gjithë skenën që ka përgatitur Sinani. Tjetër gjë me rëndësi është muzika, që e ka bërë Sinani dhe e ka lidhur mjaft mirë me lëvizjet tona në skenë”, është shprehur Krasniqi.

“O.TAKA” do të jetë shfaqja e dytë e Baletit Kombëtar të Kosovës koreografinë e së cilës e ka punuar njëri nga balerinët e kësaj trupe.Rikujtojmë se në fillim të këtij viti kjo trupë dha premierë shfaqjen “Pa mure”, nën koreografinë e balerinës Teuta Krasniqi. Zëri