Përfundojnë xhirimet e filmit 'Emili' me Arta Dobroshin

Kultura November 29, 2018 - 10:19

Këto ditë filmi i titulluar “Emili”, me regji dhe skenar të Ajola Dajës, ka përfunduar xhirimet. Duke trajtuar historinë e një familjeje ku ka dhunë, ky xhirim kinematografik bëri bashkë në një histori aktoret e njohura Luiza Xhuvani dhe Arta Dobroshi. Në role të tjera interpretojnë Lulzim Zeqja, Margent Caushi dhe Noel Miraka. Por aktorja nga Kosova Arta Dobroshi ishte në rolin kryesor, atë të Emilisë. Ajo mbart historinë e një gruaje të dhunuar, e cila kërkon të gjejë një mënyrë për t’u larguar nga shtëpia bashkë me djalin e saj 6-vjeçar. Në këtë vendim për të ikur ajo ndihmohet nga vjehrra e saj, e cila interpretohet nga Luiza Xhuvai. Për të ndërtuar subjektin e këtij filmi regjisorja Daja është frymëzuar nga një histori reale. shkruan sot gazeta "Zëri".

“Filmi ‘Emili’ ka nisur para një viti e gjysmë, një marrëdhënie dhune në familje, e cila shihet nga sytë e dy grave të shtëpisë. Nisi nga një ngacmim, nga një histori dhune reale, të cilën nuk është e vështirë ta gjesh në realitetin tonë”, tregon regjisorja Daja.

Filmi është një projekt i financuar nga Qendra Kombëtare Kinematografike. Drejtor fotografie është Erald Deda. Filmi i realizoi xhirimet në Tiranë.

Dobroshi është një nga aktoret më të suksesshme kosovare karriera e së cilës është zhvilluar edhe jashtë vendit.  Vite më parë Arta ua tërhoqi vëmendjen dy kinematografistëve belgë. Vëllezërit Dardenne i ofruan asaj rolin kryesor në një film të madh të tyre. Filmi “Heshtja e Lornës” e festoi premierën e tij në festivalin e 61-të në Kanë, ku aktorja shqiptare bashkë me argjentinasen Martina Gusman ishin favoritet kryesore për çmimin e aktrimit. Një ngritje e pakrahasueshme, e cila u vlerësua nga të gjithë kritikët dhe nga e përditshmja franceze “Le Monde” si “Margaritar i ri i Dardenneve”. Kësisoj Dobroshi u bë aktorja e parë shqiptare që u prezantua në Festivalin e Kanës. Arta ka studiuar aktrimin në Akademinë e Arteve të Universitetit të Prishtinës dhe ka luajtur në disa pjesë teatrale klasike të përgatitura në Kosovë, duke përfshirë këtu tekste të Shekspirit, por edhe të autorëve shqiptarë, si Ismail Kadare e Ekrem Kryeziu. Zëri