Kalendari që mëton t’i afrojë skenat kulturore Kosovë - Shqipëri

Kultura November 29, 2018 - 10:15
Image

 

Një kalendar i përbashkët kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë, i ideuar dhe i nënshkruar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë dhe nga Ministria e Kulturës në Shqipëri synon t’i shfaqë para publikut të Shqipërisë projektet kulturore të Kosovës dhe anasjelltas. Në kuadër të këtij programi gjatë vitit kalendarik jepen shfaqje teatrale, prezantohen filma, ekspozita e botime librash, shkruan sot gazeta "Zëri".

Samir Hoxha, këshilltar i ministrit të Kulturës, të Rinisë e të Sportit, thotë për gazetën “Zëri” se deri më tash ky kalendar po del të jetë i frytshëm dhe se aktivitetet e parapara po realizohen me sukses. “Siç jeni të njoftuar kalendari kulturor është nënshkruar në Prizren, më datë 18.06.2018, në mes të ministres znj. Mirela Kumbaro dhe ministrit z. Kujtim Gashi. Në ndërkohë vazhdon koordinimi i aktiviteteve të përbashkëta në bazë të periudhës kohore në të cilën janë përcaktuar aktivitetet të dakorduara nga të dyja palët. Këto aktivitete me përqindje të lartë janë mbajtur me sukses dhe dy aktivitete janë plotësuar, duke marrë parasysh se është ‘Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut’”, thekson Hoxha.

Ai tregon se vetëm muajin e fundit janë mbajtur disa aktivitete. Këshilltari Hoxha përmend këtu ekspozitën e parë personale të artistes Flaka Haliti në Shqipëri, ekspozitën me titull “Unë jam shqiptar”- ekspozitën ku përfshihen materiale fotografike mbi diasporën shqiptare, performancën e Ansamblit Popullor në pallatin e kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë, ekspozitën “Zhvillimet në territor, një mundësi potenciale për arkeologjinë” - si urë lidhëse ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës", premierën e filmit  “Cold November” nga regjisori kosovar Ismet Sijarina në Tiranë, shfaqjen “Kumb” nga ansambli i këngëve dhe i valleve “Shota” në kryeqytetin shqiptar etj.

Një bashkëpunim i tillë institucional në mes të dyja vendeve është i mirëpritur nga artistët, mirëpo ka prej tyre që mendojnë se në këtë drejtim mund të bëhet edhe më shumë.  Profesoresha e muzikës dhe njëherësh aktiviste e shoqërisë civile në Kosovë, Besa Luzha, thotë për “Zërin” se institucionet e të dyja vendeve duhet të bëjnë edhe më tepër në këtë drejtim. Sipas saj përveç shkëmbimit kulturor do të duhej të mendohej dhe për ndonjë projekt serioz të përbashkët. “Flitet shumë për agjendën e përbashkët dhe për kalendarin kulturor, por ende nuk kam parë ndonjë projekt shumë të madh të realizuar. P.sh. një operë e përbashkët mes Filarmonisë së Kosovës dhe Operës Kombëtare. Bashkëpunimi ende duket se është në nivel organizatash, artistësh mes vete e kryesisht skenës së pavarur artistike”, thotë Luzha.

Rikujtojmë se Kosova dhe Shqipëria kanë një kalendar të përbashkët kulturor që nga viti 2016. Përmes këtij akti dy vendet janë pajtuar për përfshirjen e aktiviteteve kulturore në një kalendar të përbashkët, i cili është i bazuar në “Deklaratën e përbashkët për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës”, i nënshkruar në Prizren më datë 11 janar 2014. Përveç koncerteve, festivaleve, shfaqjeve e mbrëmjeve muzikore në kuadër të këtij kalendari planifikohen edhe aktivitete në fushën e trashëgimisë, që kanë të bëjnë me digjitalizimin e trashëgimisë dhe trajnime e edukim në fushën e restaurimit dhe të konservimit; ekspozita në fushën e arkeologjisë dhe të muzeve. Në nënshkrimin e kalendarit të këtij viti të parët e Kulturës në Kosovë e Shqipëri u zotuan se koncepti i kalendarit të përbashkët kulturor është një koncept që është një skenë e hapur me Maqedoninë, me Malin e Zi, pa dyshim edhe me Greqinë  dhe kudo ku ka shqiptarë.Zëri