Brenda shtëpisë ku jeton kujtimi për vëllezërit Gërvalla (FOTO)

Kultura November 27, 2018 - 15:34
Lexo Detajet
Image

Në janarin e vitit që po vjen do të mbushen 37 vjet nga vrasja e veprimtarëve Jusuf e Bardhosh Gërvalla, si dhe e mikut të tyre Kadri Zeka në Untergrupenbach të Gjermanisë. Derisa ngadalë po i afrohemi dekadës së katërt nga vdekja e këtyre atdhedashësve, që zënë vend të rëndësishëm në historinë e re të Kosovës, në fshatin prej nga vijnë vëllezërit Gërvalla ruhet ende me përkushtim kujtimi për ta.

Në Dubovik të komunës së Pejës lartohet kulla e familjes Gërvalla që para dy vjetësh ka hapur dyert si shtëpi-muze. Në kthinat ku veprimtarët Jusuf e Bardhosh Gërvalla kanë ecur hapat e parë si fëmijë sot me fanatizëm ruhen e ekspozohen fotografitë, letrat e shkruara nga ta për familjen e gjësendet të cilat të dy vëllezërit i kanë përdorur në faza të ndryshme të jetës. Xhevat dhe Ajmone Gërvalla, familjarë të Jusufit e të Bardhoshit, jetojnë afër këtij muzeu të cilin e mirëmbajnë dhe hapin çdo ditë dyert e tij për vizitorët. Për “Zërin” ata tregojnë se ka interesim të vazhdueshëm nga vizitorë dhe grupe të organizuara që shkojnë për të parë nga afër vendin ku u rritën ata të dy.

Palltot e shpuara me plumba në Gjermani ekspozohen në Dubovik

Pantallonat, xhakaventot, këmishët, fanellat, këpucët, pasteli i kuq, libreza dhe çakmaku i Jusuf Gërvallës janë kthyer pas disa vitesh në shtëpinë e tij nga Muzeu Historik i Tiranës, në të cilin janë ruajtur për një kohë. Të ekspozuara aty njësojë janë edhe gjësendet e Bardhoshit si vizitkartat, çakmakët, filxhanët e kafesë e blloku i shënimeve. Përmes një vargu fotografish tregohet rrugëtimi i tyre që nga lindja, shkollimi, jeta në Dubovik, migrimi, martesat e tyre e deri te vdekja. Në muret e këtij muzeu janë të varura edhe dy palltot, të cilat Jusufi e Bardhoshi i kishin veshur ditën e vrasjes së tyre. Ajmone Gërvalla tregon për gazetën “Zëri” se pse njëra prej tyre është e dëmtuar nga plumbat, kurse tjera jo.  

“Kjo është palltoja e Jusufit që e ka pasur veshur atë ditë. Këtu janë ende shenjat e plumbave dhe njollat e gjakut. Kurse kjo tjetra është palltoja e Bardhit. Kjo nuk ka shenja plumbash sepse siç kanë treguar dëshmitarët Bardhi ka qenë duke vozitur makinën dhe pallton e ka pasur prapa në veturë”, tregon Ajmonja. Në këtë muze ekspozohen edhe rrobat e tjera që Jusufi e Bardhoshi i kishin të veshura atë ditë. Në këmishët e tyre, ndonëse të zbehura nga vitet, vërehen ende njollat e gjakut.

E kohën kur e morën lajmin se Jusufi e Bardhoshi, bashkë me Kadri Zekën, kishin rënë pre e një atentati në Gjermani e kujton shumë mirë edhe kushëriri i tyre, Haxhë Gërvalla. “Atë natë kemi pasur darkë të pastërmasë. Kemi ndenjur të gjithë bashkë deri në orën 10-11 të mbrëmjes bashkë me komshinjtë. Atë natë mysafirët u çuan e shkuan më herët. Kur u bë ora rreth 12:00 na erdhi lajmi. E lajmëruan babën se Jusufin, Bardhoshin e Kadrinë i kishin vrarë”, tregon Haxhë Gërvalla.

Ai tutje kujton se asokohe u përballën edhe me presion që të mos mbanin derën hapur për ngushëllime siç e do tradita, por megjithatë ata nuk u dorëzuan. “Njerëzit vinin nga të gjitha anët për ngushëllime. Ishim nën përcjelljen e pushtetit se kush po hyn e kush po del tek ne. Komuna na lajmëroi të mos mbajmë të pame, por ne e mbajtëm për disa ditë me radhë dhe shumë e shumë njerëz erdhën për ngushëllime”, tregon Gërvalla.

Kushëriri i atdhetarëve thotë se vepra e Jusufit dhe e Bardhoshit duhet të njihet nga gjeneratat e reja dhe organet kompetente duhet të bëjnë më shumë për këtë muze, në mënyrë që sa më shume njerëz ta njohin prej së afërmi historinë e tyre.

Delli artistik i vëllezërve Gërvalla

Përveç angazhimit politik për të kontribuuar në lirimin e tokave të pushtuara të atdheut, Jusuf e Bardhosh Gërvalla kujtohen edhe për krijimtarinë e tyre artistike. “Njeri, ku je?”, e “Do të kthehem nënë” janë dy nga këngët që vëllezërit Gërvalla kanë lënë pas. Në shtëpinë-muze të tyre sot ekspozohet edhe kitara e Jusufit, përderisa ajo e Bardhoshit ruhet nga djali i tij në Gjermani. Me këtë instrument Jusufi i këndon vargjet: “Kthehu shpejt m’ke pas thënë/se brengat më kanë molisur/të presin shokët një varr nën bli/porositë e babait tënd”. Kështu i këndon ai nënës Ajshe, që shquhet për qëndrimin e saj stoik edhe pas humbjes së djemve.

“Kaluan pranvera e vjeshta o nënë/ qëkur ti e ndjell veç një kthim/ nëse vetë nuk do të mundem/ do i them birit tim/ në vendlindje le t’shtrojë çdo gëzim”, këndon tutje Jusufi, duke e parandier se më nuk do të këtë rastin të kthehet në Dubovik.

Jusufi njihet edhe si poet dhe ka disa vëllime me poezi të botuara. Në dy përmbledhjet e tij të para “Fluturojnë e bien” (1975) dhe “Kanjushë e verdhë” (1978), poezia e tij merrej kryesisht me vatrën e poetit tek janë mjaft kuptimplotë titujt e cikleve “Shtëpia në kornizë” dhe “Skena nga jeta e fshatit”. Poezia e tij e përmallshme i këndon dashurisë, kujton dhimbshëm vendlindjen dhe na rrëfen porosinë e saj qendrore, kërkimin e poetit për “pak frymë njeriu e pak dritë qiriri”. Me kohë, duke u bërë gjithnjë e më shumë refleksiv, poeti kaloi gjithnjë e më shumë te një qark më i gjerë tematik dhe te të folurit poetik me bukuri e begati të rrallë metaforike e figurative. Vepra e plotë e Jusuf Gërvallës u botua më 1992 nga Sabri Hamiti. Tash e disa vite emrin e tij e mban edhe kinemaja e qytetit të Pejës.

Image
Image