'DokuFest' na fton të reflektojmë

Kultura July 05, 2018 - 15:47

Tema e reflektimit do të theksohet në edicionin e ardhshëm të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar “DokuFest”, i cili organizon këtë vit edicionin e 17-të në Prizren, shkruan zeri.info.

“Kjo temë do të trajtohet përmes kampanjës së festivalit si dhe përmes një kombinimi të programit të filmave, ekspozitave digjitale, bisedave me artistë, punëtorive dhe performancave muzikore. Frymëzuar nga kënga e Velvet Underground ‘I’ll Be Your Mirror’, programi i ‘DokuFest’ synon të shndërrohet në pasqyrë të botës ku jetojmë, si një pikënisje të asaj se kush dhe çka jemi. Ne shpresojmë që Prizreni të shndërrohet në një vend ku imagjinohet përtej realitetit, ku reflektohet, mësohet dhe krijohet. Tema e sivjetme është ftesë. Prandaj, hajdeni ashtu si jeni dhe ndriçoni me dritën tuaj”, thuhet në njoftimin e tyre.

Sivjet festivali “DokuFest” organizohet nga data 03-11 gusht. Çdo edicion i “DokuFest”-it ka në qendër një temë të caktuar rreth konceptit të së cilës shfaqen edhe filma, organizohen punëtori e mbahen diskutime. Tema e cila caktohet zakonisht është e një problematike globale që i preokupon shoqëritë, duke përfshirë këtu edhe shoqërinë tonë. Zëri