Entela Kasi fituese e “Penës së Flakës”

Kultura February 02, 2018 - 10:29

Entela Kasi, me poezinë e saj “Nëse bota është e egër, Anja…”, është fituese e “Penës së Flakës 2018”, aktivitet ky letrar që organizohet në kuadër të Manifestimit kulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2018”, që u mbajt përgjatë muajit janar në Gjilan.

Ndryshe, në hapësirat e bibliotekës “Fan S. Noli”, ishin dy veprimtari letrare, Ora e Madhe Letrare, ku poetët e përzgjedhur paraprakisht, konkurruan për Çmimin e poezisë më të mirë të Manifestimit, “Pena e Flakës” si dhe shpallja e rezultateve të Konkursit anonim letrar për poezi e tregim të shkurtër.

“Për dallim nga herët e tjera, vlerësues të poezisë më të mirë, në “Pena e Flakës” 2018, kësaj here ishte paraparë të jenë vetë poetët konkurrues, të cilët me votën e tyre do të përcaktonin poezinë fituese, por që pas votimit doli që dy poete kishin numër të njëjtë votash (Entela Kasi – Tiranë dhe Rakela Yzeiri – Tiranë), andaj sërish është dashtë përcaktimi të bëhet nga juria e grupit punues (Xhevat Latifi, Fatushe Haliti dhe Sabit Rrustemi), që kishte bërë edhe përzgjedhjen e të gjitha poezive për t’u lexuar në këtë orë letrare, dhe vota e tyre përcaktoi edhe fituesen, Entela Kasi”, thuhet në njoftimin për media të organizatorëve.

Juria që përzgjodhi fituesit nga konkursi letrar ishte e përbërë nga Donikë Dabishevci, Ramadan Musliu dhe Bardh Frangu.