I kërkoi një milion euro duke u paraqitur si zyrtar publik në internet, arrestohet 25-vjeçari në Tiranë

I kërkoi një milion euro duke u paraqitur si zyrtar publik në internet, arrestohet 25-vjeçari në Tiranë

Kronika November 20, 2026 - 13:23

Policia e Shtetit në Shqipëri ka finalizuar operacionin e koduar “Request”, në kuadër të të cilit është arrestuar një 25-vjeçar, i dyshuar për mashtrim ndaj një 54-vjeçari, të cilit i kishte kërkuar 1 milion euro duke u prezantuar në platformat online si funksionar publik.

Sipas njoftimit të Policisë, arrestimi i të dyshuarit, me inicialet A. M., banues në Tiranë, është bërë në flagrancë, në momentin kur po merrte paratë.

Operacioni u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme Operacionale, pas denoncimit të 54-vjeçarit, i cili kishte shprehur dyshimet se po mashtrohej përmes platformave të komunikimit online nga persona që përdornin identitetin e një funksionari publik.

Policia bën të ditur se arrestimi u realizua pas veprimeve hetimore dhe përdorimit të metodave speciale të hetimit.

Ndërkohë, hetimet po vazhdojnë për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në këtë rast, si dhe në raste të tjera që mund të jenë kryer përmes të njëjtit mekanizëm kriminal.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim.