I dëmtuari thotë se 450 mijë euro ishte shuma e borxhit që Curri dhe dy të akuzuarit e tjerë ia njohën si obligim
Foto: Laura Hasani

I dëmtuari thotë se 450 mijë euro ishte shuma e borxhit që Curri dhe dy të akuzuarit e tjerë ia njohën si obligim

Kronika November 18, 2026 - 14:15

Në gjykimin ndaj Ismet Osmanit, i njohur si “Curri”, Mentor Maqanit, Adil Thaqit, Ilir Bojkut dhe Sami Nikës, të akuzuar për fajde, detyrim dhe mashtrim, edhe të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë vazhdoi dëshminë i dëmtuari Faton Dalladaku, i cili deklaroi se 450 mijë euro ishte shuma e borxhit që tre të akuzuarit, Curri, Nika dhe Bojku, ia njohën si obligim.

Në këtë rast Ismet Osmani-Curri, Sami Nika, Ilir Bojku dhe Mentor Maqani akuzohen për veprat penale “Fajde” dhe “Detyrim”. Ndërkaq, i akuzuari Adil Thaqi ngarkohet me veprën penale “Mashtrimi”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjatë deklarimit, Dalladaku tha se i akuzuari Maqani nuk iu kishte përmbajtur një marrëveshjeje që e kishte lidhur paraprakisht.

“Pra, Mentor Maqani përveçse nuk ju përmbajt marrëveshjes, nuk e bëri bartjen, nuk e bën bartjen e objektit, m’i mori edhe makinat që m’i dha. Dhe fare pa i pas obligime për objektin në Pejton, ai tentonte të ma merrte”, tha Dalladaku.

I dëmtuari tha se në një rast tjetër në takim me Maqanin dhe L.R., Maqani i ishte vërsulur fizikisht, duke i kërkuar para.

“Ulemi unë, Mentor Maqani, L., dhe përnjëherë si u ulëm, Mentor Maqani më vërsulet mua, më thotë ‘paret’. Isha në situatë të rrezikshme, isha në kurth”, shtoi Dalladaku.

Ai tha se i ishte caktuar obligimi nga Maqani në shumën prej 592 mijë eurove.

Sipas tij, Maqani njihej me të akuzuarin Thaqin, duke shtuar se ky i fundit i ishte dukur i sjellshëm në fillim të takimeve me të.

Gjithashtu, Dalladaku deklaroi se për një periudhë ishte ndjekur nga Maqani, për çka edhe kishte njoftuar Policinë në Pejë.

Gjatë dëshmisë, Dalladaku tha se 450 mijë euro janë shuma totale e borxhit që ishte njohur si obligim nga Osmani, Nika dhe Bojku.

“450 mijë euro nga Ismet Osmani, Sami Nika dhe Ilir Bojku”, tha Dalladaku.

Dalladaku rrëfeu edhe për një ngjarje tjetër, duke thënë se Maqani me dikë na familja e tij apo Thaqin, kishin thyer dyert e zyrës në Pejton, për çka tha se paraprakisht kishte angazhuar sigurim privat.

Ndryshe, rasti tani po gjykohet nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Alban Ajvazi dhe anëtarët Gent Beka dhe Agim Kuçi, pasi që kryetarja paraprake trupit gjykues, Medie Bytyqi është avancuar si gjyqtare në Departamentin Special.

Avokati i “Currit”, Besnik Berisha kishte kërkuar përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, Medie Bytyqit. Mirëpo, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama, ka refuzuar kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit. Këtë kërkesë, e refuzoi edhe Apeli.