Dy shtetas të Kosovës ekstradohen nga Shqipëria dhe Franca, kërkoheshin nga INTERPOL-i
Dy shtetas kosovarë, të cilët ishin në kërkim ndërkombëtar me urdhër-arreste të lëshuara nga INTERPOL-i, janë ekstraduar në Kosovë nga Shqipëria dhe Franca.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, operacioni është realizuar nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim me njësitet përkatëse policore dhe institucionet e drejtësisë.
Njëri nga personat, me inicialet H.K., është ekstraduar nga Shqipëria, ndërsa shtetasi tjetër, A.S., është kthyer në Kosovë nga Franca. Të dy kërkoheshin nga autoritetet kosovare përmes urdhër-arresteve ndërkombëtare.
Pas mbërritjes në Kosovë, të dy personat u janë dorëzuar njësive përkatëse të Policisë së Kosovës, për vazhdimin e procedurave ligjore.
H.K. i është dorëzuar Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, ndërsa A.S. Drejtorisë Rajonale në Ferizaj.
Policia ka bërë të ditur se këto ekstradime janë realizuar në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar policor dhe koordinimit me institucionet e drejtësisë.