Apeli ia ul dënimin të akuzuarit pë krime lufte Dushko Arsiq nga 13 në 8 vjet burgim
Gjykata e Apelit ka aprovuar pjesërisht ankesën e mbrojtjes së të akuzuarit Dushko Arsiq, duke ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila në rigjykim kishte dënuar me 13 vjet burgim Arsiqin për krime lufte në Kosovë. Apeli ia uli dënimin në 8 vjet burgim.
Aktgjykimi i Apelit i 5 tetorit 2026, është marrë nga kolegji i përbërë nga Vaton Durguti- kryetar, si dhe anëtarët Albina Shabani-Rama e Valon Kurtaj, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“APROVOHET PJESËRISHT si e bazuar ankesa e mbrojtësit të të pandehurit Dushko Arsiç, av. Nebojsha Vlajic. NDRYSHOHET aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special,
PS.nr.89/24, i datës 25.03.2026, në pjesën që ka të bëjë me përshkrimin faktik të veprës penale
për të cilën është shpallur fajtor i pandehuri Dushko Arsiç, si dhe vendimin mbi dënimin”, thuhet në vendim.
Kundër aktgjykimit të Themelores, ankesë kishte parashtruar mbrojtësi i Arsiq, avokati Nebojsha Vllajiq, me pretendimet për vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, shkeljeve esenciale të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, shkeljes së Ligjit Penal dhe vendimit mbi sanksionin penal.
Vllajiq kishte propozuar që Apeli ta ndryshojë aktgjykimin e ankimuar dhe ndaj të pandehurit të nxjerr aktgjykim lirues, me arsyetimin se nuk është provuar se ai e ka kryer veprën penale për të cilën është shpallur fajtor.
Ndërkaq, përgjigje në ankesë kishte parashtruar përfaqësuesi i palës së dëmtuar A.K., avokati Arsim Krasniqi, me propozim që ankesa e mbrojtësit të refuzohet si e pabazuar, ndërsa aktgjykimi i
ankimuar të vërtetohet.
Kurse, Prokuroria e Apelit, me parashtresë ka propozuar që ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit të refuzohet si e pabazuar, ndërsa përgjigja në ankesë e ushtruar nga përfaqësuesi i palës së dëmtuar, të hudhet poshtë si e palejuar.
Gjetjet e Apelit:
Gjykata e Apelit nuk ka gjetur shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilat do të kërkonin anulimin e aktgjykimit.
Por, lidhur me pretendimet e mbrojtjes që lidhen me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, Apeli vlerëson se ankesa e mbrojtjes është pjesërisht e bazuar.
Sipas Apelit, vërtetimi i gjykatës së shkallës së parë lidhur me pjesëmarrjen e të pandehurit në vrasjen e B.Sh. nuk gjen mbështetje në prova të mjaftueshme dhe si i tillë nuk mund të qëndrojë.
Ndërkaq, në pjesën që ka të bëjë me ndalimin dhe keqtrajtimin e A.K., Kolegji vlerëson se provat e administruara e mbështesin konstatimin e gjykatës së shkallës së parë për veprimet konkrete të të pandehurit.
Sa i përket pretendimit se i pandehuri nuk ka marrë pjesë në vrasjen e B.Sh., Apeli këtë pretendim e gjen të bazuar.
“Mbi këtë bazë, Gjykata e Apelit sa i përket këtij përshkrimi faktik të konstatuar në dispozitivin e aktgjykimit të shkallës së parë e gjen të pambështetur ne provat e administruara në shqyrtim gjyqësor, për këtë arsye ky përshkrim i veprimeve të pandehurit si i tillë nuk është pjesë e dispozitivit të këtij aktgjykimi”, thuhet në vendim.
Apeli thekson se ka trajtuar aktgjykimin e animuar në dy çështje: së pari, nëse është provuar përtej dyshimit të bazuar mirë se i pandehuri ka marrë pjesë në vrasjen e B.Sh., dhe, së dyti, nëse është provuar se i pandehuri e ka ndaluar dhe keqtrajtuar A.K., në mënyrën e përshkruar në pikën II të dispozitivit të aktgjykimit të shkallës së parë.
Për Apelin nuk është aspak kontestuese se viktima B.Sh., është gjuajtur me armë si pasojë e së cilës e ka humbur jetën dhe as nuk vihet në dyshim se dëshmitari A.K., ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes, se i ka dëgjuar të shtënat dhe se e ka parë B.Sh., të plagosur rëndë, të rrëzuar në tokë dhe në gjendje të rënduar.
Megjithatë, Apeli vlerëson se këto rrethana vërtetojnë ngjarjen dhe gjendjen e viktimës B.Sh., të plagosur rëndë nga arma e zjarrit, por nuk e identifikojnë të pandehurin si personin që ka shtënë, dhe nuk mund të vërtetojnë përtej dyshimit të bazuar mirë se kryerësi apo pjesëmarrës në veprim ka qenë i
pandehuri Arsiq, pasi që përgjegjësia penale e tij për këtë pjesë duhet të provohet me prova për veprimin e tij konkret ose për kontributin e tij në vrasje.
Kolegji i Apelit gjen se gjykata e shkallës së parë nuk ka pasur bazë të mjaftueshme për ta identifikuar të
pandehurin si personin që ka shtënë ose që ka marrë pjesë në vrasjen e B.Sh., pasi që nuk mund
të përjashtohet mundësia që të shtënat të jenë kryer nga ndonjë person tjetër i grupit që kanë qenë
aty prezentë.
Po ashtu, sipas Apelit, nga gjykata e shkallës së parë dhe në bazë të shkresave të lëndës nuk është
arsyetuar me prova konkrete se cili ka qenë kontributi i të pandehurit në vrasje.
Gjithnjë sipas Apelit, Themelorja nuk ka pasur bazë të mjaftueshme provuese për ta lidhur vrasjen e B.Sh., me të pandehurin Arsiq.
“Provat e administruara në shqyrtim gjyqësor nuk e individualizojnë të pandehurin Dushko Arsiç si personi që ka shtënë në drejtim të viktimës dhe nuk dëshmojnë kontributin e tij konkret në vrasje. Për rrjedhojë, përfundimi i gjykatës së shkallës së parë se i pandehuri Dushko Arsiç ka shtënë ndaj B.SH. ose ka marrë pjesë në vrasjen e tij në ndonjërën nga format e nenit 22 të LP të RSFJ së nuk mund të qëndroj”, thuhet në vendim.
Sipas Apelit, pjesëmarrja e Arsiq në këtë vrasje nuk është provuar përtej dyshimit të bazuar mirë.
Kolegji i Apelit vlerëson se gjetjet e gjykatës së shkallës së parë lidhur me veprimet e përshkruara në pikën II të dispozitivit të aktgjykimit të ankimuar e të vërtetuara edhe në këtë aktgjykim, janë të drejta dhe të plota dhe mbështeten në prova të mjaftueshme që gjenden në shkresa të lëndës. Si provë kryesore, theksohet se është dëshmia e drejtpërdrejtë e të dëmtuarit A.K.
“Kolegji i ka vlerësuar krejt këto rrethana që i ka sqaruar dëshmitari kryesor dhe i drejtpërdrejtë i ngjarjes A.K. dhe ka gjet se me të drejtë gjykata e shkallës së parë ia ka fal besimin pasi që rrethanat e ngjarjes siç janë pozicioni i tij në raport me të pandehurin ku ai e ka përshkruar momentin se ka qenë përballë tij kur ai e ka ndaluar, ka vërejtur afrimin e tij dhe e ka përjetuar personalisht goditjen nga ana e të akuzuarit”, thuhet më tej në vendim.
Kolegji i Apelit thekson se i dëmtuari ka qenë vetëm 15-vjeç në kohën e ngjarjes, ndërsa ndalimi dhe goditja kanë ndodhur në prani të një grupi personash të armatosur. Apeli thotë se ka pasur parasysh gjendjen e rënduar emocionale dhe frikën në të cilën gjendej dëshmitari, që është normale që ëshmitari edhe mund t’i këtë harruar disa detaje, megjithatë në identifikimin e të pandehurit mbështetet në përshkrimin e drejtpërdrejtë të dëshmitarit dhe në mundësinë e tij për ta vërejtur atë nga afër.
“Po ashtu kolegji, në bazë të shkresave të lëndës kolegji ka gjet të mbështetur në prova gjetjen e shkallës së parë se i pandehuri Dushko Arsic gjtaë luftës ka qenë pjesë e grupeve të armatosura serbe, kjo vërtetohet edhe nga dëshmitari S.Y., i cili e ka njohur mirë Dushkon para luftës pasi që kanë jetuar në një lagje”, vlerëson Apeli.
Shkalla e dytë thekson se nga provat e administruara në shqyrtim gjyqësor nga shkalla e parë rezulton se A.K., ka folur për keqtrajtimin e përjetuar menjëherë pas ngjarjes me persona të afërt të tij dhe se gjendja e tij fizike dhe emocionale është vërejtur nga persona që e kanë takuar menjëherë pas ngjarjes.
Kurse, sa i përket dokumentacionit mjekësor të viteve 2004 dhe 2017, Kolegji vlerëson se ai nuk provon
vetvetiu lidhjen shkakësore ndërmjet diagnozave të shënuara në ato dokumente dhe goditjes së
datës 20 prill 1999.
“Në përfundim, Kolegji vlerëson se dëshmia e A.K. është e besueshme për veprimet konkrete që ai i ka përceptuar dhe përjetuar drejtpërdrejt nga i pandehuri Dushko Arsiç, ndërsa dëshmitë e personave që e kanë parë pas ngjarjes mbështesin faktin e keqtrajtimit dhe gjendjen e tij të rënduar, ndërsa pretendimet e mbrojtjes mbeten të pabazuara andaj për këtë arsye, përshkrimi i veprimeve të pandehurit si në hyrje (dispozitiv) të këtij aktgjykimi mbetet e vërtetuar”, thuhet në vendim.
Apeli vlerëson se gjykata e shkallës së parë ka zbatuar drejt Ligjin Penal kur veprimet e të pandehurit i ka cilësuar si vepër penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
“Pretendimi i mbrojtjes se një goditje e vetme me tytën e armës, pa u provuar një dëmtim i rëndë trupor ose pasoja e përhershme shëndetësore e përjashton cilësimin sipas nenit 142 dhe nuk mund të përbëj krim lufte, për Kolegjin është i pabazuar”, konstaton Apeli.
Në vendim thuhet se nga gjetjet e Themelores rezulton se i pandehuri Arsiq ka qenë pjesë e grupit që ka kryer pritën, e ka urdhëruar ndaljen e të dëmtuarit dhe ka ushtruar dhunë fizike ndaj tij, duke përdor edhe tytën e armës dhe po ashtu ka marrë pjesë në trajtimin e dhunshëm të të dëmtuarit.
Ky veprim, sipas Apelit, përbën kontribut konkret në kryerjen e trajtimit çnjerëzor ndaj civilit, dhe nga mënyra e veprimit të të pandehurit rezulton se ai ka vepruar me dashje.
Gjykata e Apelit vlerëson se pretendimet e të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij për një dënim me të butë janë të bazuara.
Shkalla e dytë thekson se Themelorja me rastin e shqiptimit të llojit dhe lartësisë së dënimit ka marrë
parasysh dhe ka vlerësuar drejt të gjitha rrethanat që ndikojnë në llojin dhe lartësinë e dënimit. Por, sipas kësaj Gjykate, ky dënim është ndikuar edhe nga konstatimi se i pandehuri ka marrë pjesë në ekzekutimin e viktimës B.Sh. Aty thuhet se meqenëse kjo pjesë e përshkrimit faktik nuk është vërtetuar, ajo nuk mund të merret parasysh si rrethanë rënduese në individualizimin e dënimit.
Andaj, Gjykata e Apelit thotë se me rastin e vendosjes, si rrethana rënduese mori moshën e të dëmtuarit, i cili në kohën e ngjarjes ishte vetëm 15-vjeç, statusin e tij si civil dhe i pambrojtur, përdorimin e armës automatike nga ana e të pandehurit si mjet për ushtrimin e dhunës, mënyrën e kryerjes së veprës dhe faktin se veprimet janë kryer në kohën e konfliktit të armatosur, në kuadër të një grupi personash të armatosur.
Aty thuhet se këto rrethana tregojnë për shkallë të lartë të cenimit të dinjitetit dhe integritetit fizik të të dëmtuarit. Po ashtu, thuhet se u mor parasysh edhe shkalla e dashjes së të pandehurit, motivet dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra, si dhe pasojat e vërtetuara të keqtrajtimit.
“Kolegji vlerëson se dënimi prej tetë (8) vitesh burgim është brenda kufijve ligjor dhe proporcional me peshën e veprimeve të vërtetuara dhe shkallën e përgjegjësisë penale të të pandehurit”, vlerëson Apeli, duke shtuar se në dënimin me burgim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Apeli gjen se nga vlerësimi i shkresave të lëndës dhe aktgjykimit të ankimuar nuk është provuar përtej dyshimit të bazuar mirë se i pandehuri Dushko Arsiq ka shtënë ndaj B.Sh., ose ka kontribuar në vrasjen e tij, për këtë pjesë, përfundimi i gjykatës së shkallës së parë nuk mund të qëndrojë.
Në anën tjetër, Apeli thekson se është provuar se i pandehuri e ka ndaluar dhe keqtrajtuar A.K., në
rrethanat e përshkruara si në dispozitiv, duke dhënë kontribut aktiv dhe të vetëdijshëm në veprimin e përbashkët të personave të armatosur ndaj tij.
Andaj, sipas Apelit për këtë pjesë, përgjegjësia penale mbetet në fuqi, ndërsa dënimi ndryshohet në 8 vjet burgim, për veprimet e përshkruara si në dispozitiv të këtij aktgjykimi.
Gjykata Themelore në Prishtinë në gjykimin e parë më 2 shkurt 2024 e ka dënuar me 13 vjet burg të akuzuarin Arsiq. Por, Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim. Më pas, në rigjykim më 23 shkurt 2026, Themelorja sërish e dënoi Arsiqin me 13 vjet burgim.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 2 nëntor 2022, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Arsiq në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të Policisë serbe dhe grupet paramilitare, në muajt janar-qershor 1999, ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen e qytetarëve nga Prishtina dhe rrethina. Aktakuza e ngarkon Arsiqin se bashkë me grupin tjetër kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, si dhe më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve ia kanë vënë zjarrin.
Aktakuza e bën përgjegjës Arsiqin edhe për keqtrajtimin e civilëve shqiptarë, plagosje, si dhe për vrasje.
Arsiq akuzohej se ka marrë pjesë në ekzekutimin e tani të ndjerit B.Sh., ashtu që më 20 prill 1999, në fshatin Butovc të Komunës së Prishtinës, në vendin e quajtur “varrezat e Maqedoncve”, derisa viktima kishte qenë duke ecur, e kanë gjuajtur me pushkë automatike dhe pasi që e kanë goditur, e kanë urdhëruar të dëmtuarin A.K., i cili atë kohë ishte 15 vjeçar, që trupin e viktimës B.Sh., ta mbajë në shpinë edhe pse i dëmtuari ka pasur lëndime të konsiderueshme fizike për shkak se i akuzuari paraprakisht e kishte maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.
Me këtë, Arsiq akuzohej se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së. /BetimipërDrejtësi