U ekzekutua me armë zjarri në Spanjë, shqiptari nga Vlora rezulton i dënuar për trafik ndërkombëtar droge

U ekzekutua me armë zjarri në Spanjë, shqiptari nga Vlora rezulton i dënuar për trafik ndërkombëtar droge

Kronika November 11, 2026 - 10:04

Luka Beqiraj, 39-vjeçari nga Vlora i cili u vra me armë zjarri mesditën e së martës në Orihuela Costa, në provincën e Alicantes në Spanjë, rezulton të ketë pasur një të kaluar të lidhur me trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Pas identifikimit të viktimës, të dhënat e publikuara më herët në mediat shqiptare rikthejnë në vëmendje përfshirjen e emrit të tij në një dosje të rëndësishme hetimore për trafikimin e drogës drejt Italisë.

Beqiraj u arrestua në shkurt të vitit 2019 gjatë operacionit ndërkombëtar “Lulet e Pranverës”, të zhvilluar në bashkëpunim mes autoriteteve shqiptare dhe italiane.

Operacioni kishte në fokus disa grupe të dyshuara për trafikimin e lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Italisë. Gjatë hetimeve u sekuestruan sasi të konsiderueshme kanabisi dhe lëndë të tjera narkotike. Më pas, në janar të vitit 2020, Gjykata e Leçes në Itali e kishte dënuar Beqirajn me 4 vjet e 6 muaj burgim, si dhe me një gjobë prej 24 mijë eurosh. Ndërkohë, vrasja e tij në Spanjë ndodhi teksa ndodhej në tarracën e një lokali pranë kompleksit sportiv Playa Flamenca Sport Club.

Autori i dyshuar është afruar me një monopatinë elektrike, ka qëlluar disa herë në drejtim të shqiptarit dhe më pas është larguar me të njëjtin mjet. Pas ngjarjes, në vendin e krimit kanë mbërritur shërbimet policore, ndërsa hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit po drejtohen nga Guardia Civil.

Deri më tani, autoritetet spanjolle nuk kanë bërë të ditur një motiv zyrtar për ekzekutimin. Mes pistave që po përmenden është ajo e larjes së hesapeve, por kjo mundësi mbetet e pakonfirmuar nga hetuesit. Autori i dyshuar vijon të jetë në arrati, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet që çuan në vrasjen e 39-vjeçarit shqiptar.