Kërkohet paraburgim për të dyshuarin që kanosi një gazetare në Prishtinë
Foto: Laura Hasani

Kërkohet paraburgim për të dyshuarin që kanosi një gazetare në Prishtinë

Kronika November 06, 2026 - 19:27

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi me inicialet A.I., i cili dyshohet se ka kanosur gazetaren D.I., për shkak të ushtrimit të detyrës dhe profesionit të saj.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit kujdestar, nën dyshimin e bazuar për kryerjen e veprës penale “Kanosja”, nga neni 181 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në kuadër të veprimeve hetimore, janë intervistuar gazetarja D.I., në cilësinë e të dëmtuarës, si dhe i dyshuari A.I., me qëllim të mbledhjes së informatave relevante lidhur me rastin.

Prokurori i Shtetit ka paraqitur pranë gjykatës kompetente kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e gazetarëve dhe garantimin e sigurisë së tyre, si dhe në respektimin e plotë të lirisë së shprehjes.