Aktakuzë për fajde në Prizren, dy të dyshuar kërkuan 550 mijë euro dhe prona me vlerë rreth një milion euro
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, E.K. dhe A.K., nën dyshimin për fajde, ndërsa ndaj të parit edhe për veprën penale të detyrimit.
Sipas aktakuzës, E.K. dyshohet se nga viti 2021, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës B.Ç., i kishte dhënë shuma të ndryshme parash, duke kërkuar në këmbim përfitime dukshëm joproporcionale.
Prokuroria pretendon se vetëm në emër të kamatave, nga viktima kishte përfituar mbi 400 mijë euro.
Përveç fajdesë, E.K. akuzohet edhe se përmes kanosjeve serioze dhe presionit e kishte detyruar viktimën të paguante kamatat dhe të mos e denonconte rastin në polici. Sipas aktakuzës, ai e kishte kërcënuar me vrasje viktimën dhe anëtarët e familjes së tij.
Në këtë marrëdhënie financiare ishte përfshirë edhe viktima e dytë, B.B., i cili kishte marrë para nga të pandehurit për ta ndihmuar B.Ç. në shlyerjen e borxhit.
Megjithatë, sipas Prokurorisë, për shkak të grumbullimit të kamatave, të dyshuarit kishin kërkuar nga viktima shumën prej 550 mijë eurosh.
Në vijim, E.K. dyshohet se i kishte kërkuar viktimës 450 mijë euro, duke i propozuar që në emër të kamatave t'ia kalonte në pronësi lokalet afariste dhe shtëpinë, me vlerë të përgjithshme rreth një milion euro.
Prokuroria bën të ditur se më 11 mars 2026, i dyshuari, së bashku me viktimën dhe nënën e tij, kishte shkuar fillimisht në zyrën e përmbaruesit privat, për të vazhduar më pas me procedurat noteriale për bartjen e pronës. Mirëpo, pas zbatimit të masave të veçanta hetimore, policia kishte ndërhyrë dhe kishte arrestuar të dyshuarit.
Ndërkohë, lidhur me këtë rast, Prokuroria ka zgjeruar hetimet edhe për veprën penale të pastrimit të parave. Janë ngrirë disa patundshmëri, ndërsa është propozuar konfiskimi i parave të gatshme, dy automjeteve, akteve të ndryshme noteriale dhe provave të tjera materiale.
Me ngritjen e aktakuzës, prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. /Zëri