Kapet duke vozitur 193 km/h në zonën ku kufizimi ishte 80, gjobitet me 650 euro
Policia e Kosovës ka ndëshkuar një shofer 19-vjeçar në Shtime, i cili është kapur duke vozitur me 193 kilometra në orë në një segment rrugor ku shpejtësia e lejuar ishte 80 km/h.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur në rrugën “Tahir Sinani”, në drejtim të fshatit Gjurkoc, ku i riu me automjetin BMW, me targa vendore, kishte tejkaluar dukshëm kufizimin e shpejtësisë.
Përveç kësaj, shoferi me inicialet D.Q. nuk i ishte bindur urdhrit të zyrtarëve policorë për ndalim, por është identifikuar më pas përmes kamerave të sigurisë.
Për tejkalim të shpejtësisë, atij i është shqiptuar gjobë prej 500 eurosh, pesë pikë negative dhe masa e ndalimit të drejtimit të automjetit për gjashtë muaj.
Ndërsa, për mosbindje ndaj urdhrit të policisë, është gjobitur edhe me 150 euro dhe një pikë negative.
Policia Rajonale në Ferizaj ka apeluar te të gjithë shoferët që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe urdhrat e zyrtarëve policorë.
“Shpejtësia e tepërt rrezikon drejtpërdrejt jetën e pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në apelin e Policisë.