Para tragjedisë në Gjilan, si përfundoi foshnja në kujdesin e Adonis Demirit?

Para tragjedisë në Gjilan, si përfundoi foshnja në kujdesin e Adonis Demirit?

Kronika November 02, 2026 - 21:51

Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Gjilan, Mursel Zymberi, ka deklaruar se institucioni që ai drejton e kishte trajtuar Adonis Demirin vetëm në cilësinë e prindit biologjik, pasi ai kishte kërkuar që të merrte në kujdes vajzën e tij tre muajshe, e cila ishte braktisur nga nëna në Spitalin e Gjilanit.

Duke folur në Dukagjin, Zymberi tha se Adonisi kishte paraqitur kërkesë me shkrim për ta marrë fëmijën në kujdes prindëror dhe se gjatë paraqitjes në QPS, së bashku me dy prindërit dhe motrën e tij, nuk ishte vërejtur ndonjë shqetësim apo çrregullim psikik.

“Adonisi kur është paraqitur, me dy prindërit dhe motrën e vet, ka qenë në gjendje normale dhe nuk është vërejtur dhe nuk kemi pasur as edhe një shënim që ka pasur shqetësime apo çrregullime psikike”, deklaroi Zymberi.

Ai theksoi se procedura për prindin biologjik ndryshon nga ajo e adoptimit apo kujdestarisë, duke shtuar se Qendra për Punë Sociale nuk ka një databazë që do t’i mundësonte të identifikonte nëse një person është i përfshirë në vepra penale.

“Kur kemi të bëjmë me prindin biologjik, është një procedurë tjetër me adoptimin apo kujdestarinë. Adonisi ka qenë prind që ka kërkuar kujdesin prindëror. Dhe ne si qendër nuk kemi një databazë e cila na tregon se një person mund të jetë i përfshirë në krime të çfarëdo natyre”, tha ai në Debat Plus.

Deklaratat e Zymberit vijnë pas konfirmimit të Gjykatës Themelore në Gjilan për Dukagjinin se Adonis Demiri, 27-vjeçari që u vra më 1 nëntor në fshatin Demiraj bashkë me vajzën e tij tre muajshe, ishte dënuar më herët për kanosje ndaj të fejuarës.

Sipas përgjigjes së gjykatës, më 17 qershor 2026, Gjykata Themelore në Gjilan – Dega në Kamenicë e kishte dënuar Demirin me gjashtë muaj burgim për veprën penale të kanosjes. Me pëlqimin e tij, dënimi ishte zëvendësuar me gjobë prej 1 mijë e 800 eurosh.

Po ashtu, gjykata ka bërë të ditur se në prill të vitit 2026, Demiri kishte qëndruar për dy muaj në Institutin e Forenzikës Psikiatrike në Prishtinë, pasi dyshohej se kishte përdorur kokainë. Sipas gjykatës, eksperti psikiatër kishte rekomanduar dërgimin e tij në këtë institucion për shkak të varësisë nga substancat narkotike.

Në bazë të dispozitave ligjore për kryerësit me çrregullime mendore, gjykata i kishte shqiptuar edhe masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri.

I pyetur nëse e kishte menduar dorëheqjen pas rastit, Zymberi tha se nuk e kishte menduar një gjë të tillë.

Ndërkohë, sipas dosjes së Prokurorisë për vrasjen e dyfishtë në Demiraj, dyshimet për vdekjen e Adonis Demirit dhe foshnjës së tij lidhen me një konflikt brenda familjes. Për rastin është caktuar një muaj paraburgim ndaj babait të tij, B.D., i cili dyshohet për vrasje të rëndë.