Drogë nga Shqipëria në Kosovë, i akuzuari dënohet me 4 vjet e 6 muaj burgim dhe 8 mijë euro gjobë
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim dhe 8 mijë euro gjobë të akuzuarin Sylejman Jusufi për akuzën se kishte transportuar drogë përmes një kamioni nga Shqipëria në Kosovë në peshë prej 259.55 kilogramë. Aktgjykimi u shpall pas pranimit të fajësisë nga i akuzuari.
Shpallja e aktgjykimit u bë të martën nga gjykatësi Rrahman Beqiri.
Masa e paraburgimit ndaj Jusufit u ndërpre nga ana e gjyqtarit Beqiri, i cili theksoi se dënimin me burgimin i akuzuari do ta vuajë pasi që aktgjykimi të marrë formë të prerë.
I akuzuari obligohet të paguajë edhe 200 euro për paushallin gjyqësor dhe 100 euro për Fondin për Kompenismin e Viktimave të Krimit.
Prezent në shpallje të aktgjykimit ishte mbrojtësi i Jusufit, avokati Bekim Kafexholli, ndërkaq nga Prokuroria Speciale askush.
Ndaj këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.
Në këtë rast janë dy të akuzuar: Sylejman Jusufi dhe Bujar Krasniqi, por meqenëse i akuzuari Krasniqi nuk ka pranuar fajësinë, atij iu dha e drejta në kundërshtim të provave dhe kërkesë për hedhje të aktakuzës në afat prej 15 ditësh.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të datës 23 tetor 2026, Sylejman Jusufi akuzohet se në bashkëveprim me persona të tjerë dhe me qëllim të përfitimit për vete, më 29 tetor 2025 me kamionin që e drejtonte vetë, ka transportuar drogë prej 259.55 kilogramë, nga Republika e Shqipërisë në të Kosovës.
Sipas aktakuzës thuhet se narkotiku ishte i mbështjellë në qese najloni dhe i fshehur në pjesë të rimorkios në një hapsirë të modifikuar e ku ishte mbuluar me ngarkesë të armaturës prej 12 tubave në peshë prej 24 tonë, ndërsa një sasi tjetër e kishte vendosur në çantë brenda kabinës së kamionit me qëlim shprëndarjen e narkotikut në vende të ndryshme evropiane, e ku pas ekzaminimit nga Agjencia Forenzike e Kosovës del se pesha totale e narkotikut ishte 239.55 kilogramë.
Më këtë, Jusufi ngarkohej me veprën penale “Blerja, posedimi, shprëndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 267, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Për të akuzuarin e dytë, Bujar Krasniqi thuhet se në bashkëveprim me persona të tjerë, me qëllim të përfitimit për vete, më 21 nëntor 2025 në autobusin që e drejtonte vetë, ka transportuar narkotik nga Shqipëria për në Kosovë ku në ulset e autobusit kishte vendosur narkotikun e mbështjellë me najlon dhe se qëllimi ishte shpërndarja në vende të Evropnës. Totali i narkotikut ishte 117 kilogrmë e 414.8 gramë.
Më këtë, Krasniqi ngarkohet me veprën penale “Blerja, posedimi, shprëndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 267, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Krasniqi ngarkohet edhe për armëmbajtje pa leje, pasi i ishte gjet në posedim arma e llojit REX DELTA, dy karikatorë, 29 fshekë të armës dhe tre fishekë të tjerë të gjuetisë. /BetimipërDrejtësi