Aksidenti me fatalitet në Studime, shoferi i dehur hyri në kahun e kundërt të rrugës

Aksidenti me fatalitet në Studime, shoferi i dehur hyri në kahun e kundërt të rrugës

Kronika July 23, 2026 - 11:11

Një grua ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku që ndodhi mëngjesin e së enjtes në fshatin Studime, në magjistralen Mitrovicë–Prishtinë.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë njoftoi se ka ndaluar një person të dyshuar për veprën penale “Ngasja në gjendje të paaftë apo të dehur”.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, ka kaluar në shiritin e kundërt të rrugës, ku është përplasur me një veturë tjetër, transmeton Zeri.info.

Si pasojë e aksidentit, një grua ka vdekur, ndërsa shoferi i automjetit tjetër dhe tre pasagjerë kanë pësuar lëndime të rënda trupore dhe po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Në vendin e ngjarjes ka dalë prokurori kujdestar i Departamentit për Krime të Rënda, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Prokuroria bëri të ditur se brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit. /Zëri