Prokuroria: Nëse vërtetohet se zjarri në Sferkë u shkaktua nga njeriu, përgjegjësit do të vihen para drejtësisë
Një person është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës, ndërsa disa të tjerë kanë marrë ndihmë mjekësore në vendngjarje, si pasojë e situatës së krijuar nga zjarri në deponinë e mbeturinave në Sferkë, ku mbrëmjen e së hënës u mbajtën edhe protesta.
Për menaxhimin e situatës janë angazhuar Policia e Kosovës, ekipet emergjente dhe zjarrfikësit.
Prokurori i Shtetit ka kërkuar shtimin e masave dhe angazhimin e ekipeve shtesë të zjarrfikësve, me qëllim lokalizimin sa më të shpejtë të zjarrit.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur se menjëherë pas shpërthimit të zjarrit në deponi javën e kaluar, përveç Policisë së Kosovës, ka autorizuar edhe një ekspert të zjarreve për të përcaktuar shkaqet e tij.
Eksperti pritet ta dorëzojë raportin me të gjeturat në Prokurori. Nëse konstatohet se zjarri është shkaktuar nga faktori njerëzor, Prokuroria ka bërë të ditur se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për identifikimin dhe arrestimin e personit ose personave përgjegjës.
Gjatë intervenimit në deponinë e Sferkës, raportohet se disa punëtorë janë helmuar nga tymi dhe gazrat e krijuar nga djegia e mbeturinave. Ata janë dërguar me urgjencë për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës.
Sipas raportimeve, djegia e mbeturinave në këtë deponi ka vazhduar prej ditësh, duke shkaktuar shqetësim të madh te banorët e zonës dhe reagime të shumta në opinion.
Një ditë më parë, Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK) reagoi lidhur me zjarrin në Deponinë Sanitare të Pejës, në fshatin Sferkë, duke sqaruar se kjo deponi aktualisht nuk është nën menaxhimin e saj.
Ndër reagimet më të forta ka qenë ai i deputetes së zgjedhur të LDK-së, Hykmete Bajrami.
Ajo ka bërë të ditur se, në cilësinë e deputetes së zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, i ka dorëzuar përmes postës elektronike kallëzim penal kryeprokurorit të Shtetit, Zejnulla Gashi, dhe kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, lidhur me gjendjen alarmante në deponinë e mbeturinave në Sferkë të Pejës.
Megjithatë, në deklarimet e saj, Bajrami ka thënë se deponia aktualisht menaxhohet nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), aksionar i vetëm i së cilës është Qeveria e Republikës së Kosovës. Ky pretendim bie në kundërshtim me reagimin e KMDK-së, e cila një ditë më parë deklaroi se deponia në Sferkë nuk është nën menaxhimin e saj. /Rtv21