Arrestohet një person në Prishtinë, dyshohet se lejoi importin e biocideve dhe pesticideve të ndaluara
Foto: Laura Hasani

Arrestohet një person në Prishtinë, dyshohet se lejoi importin e biocideve dhe pesticideve të ndaluara

Kronika July 21, 2026 - 15:12

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se, në koordinim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar një person të dyshuar për veprat penale "Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar" dhe "Falsifikimi i dokumentit zyrtar".

Sipas njoftimit, aksioni është realizuar nga Departamenti për Krime të Rënda i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, transmeton Zeri.info.

Hetimet lidhen me dyshimet se i arrestuari ka keqpërdorur pozitën zyrtare duke tejkaluar kompetencat dhe ka falsifikuar dokumente zyrtare për lëshimin e lejeve për disa operatorë ekonomikë për importin e produkteve biocide dhe pesticide, të cilat janë të ndaluara për përdorim në Republikën e Kosovës sipas listës së Agjencisë Evropiane të Kimikateve (ECHA) të Bashkimit Evropian.

I dyshuari, me inicialet N.M., po hetohet për veprat penale "Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar" dhe "Falsifikimi i dokumentit zyrtar".

Me urdhër të prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente, do të vazhdojë ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit, duke theksuar përkushtimin në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit. /Zëri