Aktakuzë ndaj një personi për vrasjen e vitit 2015 në Prizren
Kronika
July 17, 2026 - 15:17
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet A.P. për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës, më 7 shtator 2015 në Prizren, A.P., në bashkëkryerje me tashmë të dënuarin B.P. dhe të shtyrë nga qëllimi për përfitim pasuror, kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të H.M., F.M. dhe B.H.
Si pasojë e të shtënave, H.M. ka humbur jetën, F.M. ka pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa B.H. ka marrë lëndime të lehta.
Prokuroria njoftoi se rasti i është përcjellë për shqyrtim Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa i pandehuri ndodhet në paraburgim. /Zëri