Helmimi në Han të Elezit, dy pronarë të lokaleve do të intervistohen nga Prokuroria

Helmimi në Han të Elezit, dy pronarë të lokaleve do të intervistohen nga Prokuroria

Kronika July 15, 2026 - 14:13

Policia e Kosovës ka nisur hetimet lidhur me rastin e dyshuar të helmimit ushqimor në Han të Elezit, pasi dhjetëra persona kërkuan ndihmë mjekësore me simptoma të diarresë dhe vjelljes.

Policia në Ferizaj, ka konfirmuar se sot rreth orës 13:40, Njësia e Hetimeve në Han të Elezit ka kontaktuar prokurorin e shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale "Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë".

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka thënë për “Zërin” se në kuadër të hetimeve, do të intervistohen dy pronarë të dy lokaleve në qytetin e Hanit të Elezit, me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit.

Ai bëri të ditur se, në koordinim me prokurorin e shtetit, po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, ndërsa për zhvillimet e mëtejshme do të njoftojë me raporte pasuese.

Më herët gjatë ditës ishte bërë e ditur se, sipas të dhënave të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Han të Elezit, nga 13 deri më 15 korrik janë trajtuar rreth 80 persona me simptoma të diarresë dhe vjelljes. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKShPK) është gjithashtu i përfshirë në trajtimin e rastit. /Zëri