Për tri ditë u helmuan rreth 80 persona në Han të Elezit, Policia flet për rastin
Rreth 80 persona kanë kërkuar trajtim mjekësor në Han të Elezit gjatë tri ditëve të fundit, pasi kanë shfaqur simptoma të diarresë dhe vjelljes.
Lajmin për “Zërin” e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili tha se sipas të dhënave të pranuara nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Han të Elezit, nga 13 deri më 15 korrik 2026 janë trajtuar rreth 80 persona.
“Ju njoftojmë se, sipas të dhënave të pranuara nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Han të Elezit, nga data 13.07.2026 deri më 15.07.2026 janë trajtuar rreth 80 persona me simptoma të diarresë dhe vjelljes. Lidhur me këtë situatë janë njoftuar edhe institucionet përkatëse, duke përfshirë Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), të cilat janë duke e trajtuar rastin”, tha Veseli për “Zërin”.
Ai shtoi se, deri më tani, në Policinë Rajonale të Ferizajt nuk është raportuar asnjë rast lidhur me këtë çështje.
“Këto janë informacionet e pranuara nga QKMF-ja në Han të Elezit. Ndërkohë, ju njoftojmë se në Policinë rajonale të Ferizajt, deri në këtë moment, nuk është raportuar asnjë rast lidhur me këtë çështje”, deklaroi Veseli.