Tentoi të grabisë një argjendari në Gjilan, ndalohet i dyshuari

Tentoi të grabisë një argjendari në Gjilan, ndalohet i dyshuari

Kronika July 13, 2026 - 16:06

Një person është ndaluar nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, pasi dyshohet se ka tentuar të kryejë grabitje në një argjendari në qendër të qytetit.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Gjilan, i dyshuari me inicialet D.B. është ndaluar sot rreth orës 14:00 nga Departamenti për Krime të Rënda, në koordinim me Policinë e Kosovës në Gjilan.

Autoritetet bëjnë të ditur se, menjëherë pas pranimit të informatave të para, Policia ka ndërmarrë veprime të shpejta hetimore, ndërsa me urdhër të prokurorit të shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

D.B. dyshohet për veprën penale “Tentim grabitje”, të paraparë me nenin 317 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria ka nisur hetimet lidhur me rastin dhe ka bërë të ditur se, brenda afateve ligjore, do të paraqesë në Gjykatën Themelore në Gjilan kërkesën për caktimin e masës për sigurimin e pranisë së të dyshuarit në procedurë penale.