Dogana e Kosovës sekuestron rroba të falsifikuara në vlerë mbi 81 mijë euro

Dogana e Kosovës sekuestron rroba të falsifikuara në vlerë mbi 81 mijë euro

Kronika June 17, 2026 - 12:54

Dogana e Kosovës ka sekuestruar 3.183 produkte tekstile të dyshuara si të falsifikuara gjatë një aksioni të realizuar në kuadër të luftimit të kontrabandës dhe mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektuale.

Sipas njoftimit, njësitet doganore kanë kryer një kontroll të papritur në një objekt të dyshuar për posedim të mallrave pa dokumentacion të rregullt dhe me dyshime për shkelje të markave tregtare.

Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar produkte të markave të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë veshje, bluza, maica, shorce, trenerka, xhaketa, kapela dhe artikuj të tjerë tekstili.

Mallrat e sekuestruara janë dërguar në një depo të sigurt doganore, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.

Sipas vlerësimit të Doganës së Kosovës, vlera e mallrave të sekuestruara arrin në 81,677 euro, ndërsa detyrimet doganore dhe tatimore të llogaritura kapin vlerën prej mbi 24 mijë eurosh.

Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe tregtisë së mallrave që cenojnë të drejtat e pronësisë intelektuale, me synim mbrojtjen e ekonomisë, konsumatorëve dhe konkurrencës së ndershme në treg. /Zëri